Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Fjalët që ndalën mortin

162
Sigal

Papritmas u ndie gërvima e derës së jashtme të kullës dhe pas tre-katër hapash të nxituar, u shfaq te pragu i konakut të zjarrit, i biri i Gjin Prendit, Lulashi. -Or Tatë! -thirri duke u mbushur me frymë. -Ndije çka po ndodh! Mark Vuka matanë malit, ashtë tue e lanë këtë jetë!… Ndigjova se ka tre-katër ditë që ka ra në grahmat e vdekjes e s’po bahet i gjallë!… Plaku Gjin e shigjetoi të birin nga nënvetullat e trasha dhe mbeti gati pa frymë. Filxhani i ngriu në afërsi të gojës së hapur dhe nuk mundi të flasë. Sinjali tronditës i këtij lajmi u përcoll nëpër trurin e tij, duke u përplasur me forcë në të gjitha nyjet e degëzimeve nervore . -Ma sill njatë shkop, or të pastë Tata! -tha plaku më në fund me një zë të lehtë. -Njitash po i shkoj fill e te shpia!… Ky vendim i kobshëm, që mori plaku papritmas, e bëri Lulashin t’i zgurdullojë sytë, aq sa grija e retinave ia mbuloi krejt ninëzat nën ballin e mprehtë dhe në vend të tyre u duk sikur shkëlqyen dy guralecë të hirtë. -Heu, ça je tue qit sot prej goje, si me qenë i çartun, or tatë!…Gjin Prendi, ke shpia e gjaksit të vet pas pesëdhjetë vjet mënie!? -pyeti me ton shpërthyes duke zgjatur krejt trupin përpara nga çmeritja. -Po, lum tata për ty, or Lulash, njashtu jam tuj thanë. kam katërdhetë vjet që jam nisë me shkue. Me zemër kam mbërritun, me kambë ala jo. E tash nderi e burrnia e lypin me shkue atje larg edhe me këto kambë të cungueme… Lulashi hodhi shikimin te këmbët e sëmura të të atit, mandej e ndali te gjoksi i rrëgjuar nga pleqëria. Befas iu bë sikur një krismë plumbi hapi aty një rrëke të kuqe dhe prej saj iu përflakën sytë. Përfytyrimi që lindi atë çast në trurin e tij e bëri të mendoj për boshësinë e rrypit të mesit në shtatin e plakut. -Tash po ta sjell alltien, -tha dhe u bë gati të lëvizë. -Jo, besa! -refuzoi plaku duke u rrekur të mbathë opingat. -Po arma s’i ka mungue kurrë shtatit tand, or Tatë! -ngulmoi Lulashi dhe u përkul ta ndihmojë. -E pra, sot s’më duhet për kurrgja. -u gjegj plaku dhe si i mpirë nga gjunjët bëri drejt derës. Lulashi e ndoqi pas. -Ku…kuuu, për ty, or Tatë, Mark Vuka vërtetë po vdes, po ai ka në nji taborr me gjaksa të gjallë!… -Për të gjallët jam tuj shkue… -tha plaku me shpërfillje. -Po ata e kanë brezin të ngjeshun me plumba, or trim i malësisë! -E paçin për nderin e kullës së tyne. I biri u përtyp një grimë. Mandej shkoi në konakun tjetër, mori pas derës bastunin dhe ia solli në çast. -A të vij edhe vet me të shoqnue? -Tu rrittë ndera, tash që u çova në kambë e gjej rrugën vet. Lulashi mblodhi supet dhe heshti. Ra në mendime. U zhyt në merak të thellë. Hieja e plakut shtatmadh u çvendos dhe lëvizi nëpër oborr. I mbështetur në shkopin e tij të vjetër, ai pastroi dy-tri herë fytin me një kollë të mbytur. Frymëmarrja e thellë në ajrin e pastër ia ngrohu gjoksin dhe ia mbushi damarët me gjak. Qëllimi për të cilin e nisi këtë rrugë, ia gjallëroi papritmas tërë qenien. Ai pati ndjesinë e ripërtëritjes dhe kjo po e bënte mjaft të lehtë nga trupi. Qielli i ngushtë sipër luginës ishte transparent si qelq. Dhe brigjet e largët deri në fund të maleve të hirtë ishin mbytur me dritë të bardhë. Plaku Gjin bëri përpjetë drejt një rrugine të ngushtë, e cila dredhonte përmes drurëve të arrave që kishin lidhur një mori kokrrash. Përballë i doli vargu i alpeve të lartë me pamjen e vet madhështore. U ndal një grimë dhe i kundroi me mall. Pati një vërshim të menjëhershëm kujtimesh dhe emcionesh. Eh, djalëri kaprolle!…mendoi. Ne malësorët lejmë dhe e kalojmë jetën këtu, vetëm për me i mbrojtun këta shkëmbinj të lartë nga gjurma e huaj. – tha me vete.- Prandaj gjithkush prej nesh, para se me vdekë, në akujt e tyne duhet të ketë lanë gjallë gjurmët e veta. Përndryshe si mundet me thanë, kam jetue në bjeshkë?” Ato shkrepa ishin bërë edhe foleja e ngujimit të Gjin Prendit për të shpëtuar nga gjakmarrja e Mark Vukës, për tek i cili ishte nisur sot. Të parët e tyre kishin vrarë njëri-tjetrin dhe radha i kishte ardhur Gjinit. Ata i kishin dalë disa herë në pritë për të vrarë. Marku kishte qëlluar mbi të, me gjithë urrejtjen e egërsuar të fisit, por plumbi i kishte shkuar Gjinit në ije të xhamadanit dhe ai ishte detyruar të fshihej në shpellat e shkrepave. Doli me pushkën në dorë, vetëm kur dëgjoi krismat e para të luftës dhe mori rrugën për te Qafa e Agrit, ku Serbët kishin hyrë në për të pushtuar Veriun, duke përfituar nga Lufta Italo-Greke në Jug. Gjinit iu rishfaq në kujtesë viti ’41, kur ai bashkë me njëqindedymbëdhjetë burra të armatosur nga fshati i tij u kishte dalë përpara te Qafa shkëmbore e Agrit. Tre male më tutje edhe Marku ishte lidhur me këtë luftë. Kështu, të dy trimat, hasmë deri në vdekje, kishin dalë për të çliruar vendin, njëri në Dukagjin, tjetri në Tropojë. Të dy arritën të bëhen komandantë batalionesh. Lufta bëri të njohur në malësi edhe karakteret e tyre. Për Mark Vukën thuhej, se ishte “Trim i mençëm”, ndërsa për Gjin Prendin “Trim i çartun”. Dhe ja, kaluan kaq vite. Të dy jetonin si dy male, secili në lavdinë e vet, larg njëri-tjetrit. Tani Marku po vdiste i pari… Plaku Gjin filloi t’i ngjitej shkëmbit të madh gjatë një rrugine të shkallëzuar me thepa gurësh, nga mund të kalohej pa kafshë e pa shok te supi. Por mendjen s’e kishte te këmbët që po i thernin nga reumatizmi, po te Marku dhe njerëzit e tij. Si do ta kuptonin ata këtë vajtje në prag të vdekjes? Si do ta prisnin këtë vizitë të papritur? Do ta quanin pendim e nderim para lamtumirës së Markut, apo shprehje e triumfit të Gjinit që mbetej ende gjallë?… Në mos gjysmë shekulli në hasmëri, të paktën dyzet vjet pas çlirimit, ata s’kishin pasur fare kontakte me njëri-tjetrin. I mbanin për patriotë të dëgjuar në të gjithë Veriun dhe secili gëzote respektin e madh të malësorëve. Plaku Gjin, i sulmuar në tru nga dilemat, çapitej drejt kullës së Markut ngadalë, por vendosmërisht. Atë rrugë të ngushtë, që po e çonte tani fill e te strofka e llahtarshme e tjetrit, nuk e kishte marrë dot me mend as në ëndrra. Para dyzet vjetësh edhe trungjet e pemëve do t’i ngjanin me njerëz në pritë. Edhe degët e zgjatura mbi rrugë, do t’i dukeshin pushkë që e kishin vënë në shënjestër. Edhe guralecët do t’i shëmbëllenin me pirgje plumbash që prisnin rradhën për të vjellur zjarr pëmbi të, deri sa të shkërmoqej e të bëhej pluhur. Po tani mjetet e gjakmarrjes i kishte zhvleftësuar koha dhe së fundi, afrimi i vdekjes së Markut e kishte bërë atë rrugë më të sheshtë. Ndaloi në afërsi të kullës së lashtë me myshqe të Vukajve. Dhe para një gardhi me listela të reja u mbush me frymë. Gjoksin e ndjente prush. Lodhja iu zhduk nga trupi si me magji. Nga fundi i oborrit një qen i murrmë e priti me të lehura të forta e me kërcime të hovshme, gati të shkëputej prej zinxhirit. Dikush doli një grimë te porta e kullës dhe hyri përsëri brënda. Gjini priti… Mandej një djalë i ri, me sytë depërtues të ngulitur përmbi të dhe me duart lëshuar mbi kofshët me pantallona kadife të zëzë, e shoqëroi krejt i heshtur. Çuditërisht, në buzët e tij nuk ishte fshehur asnjë pyetje dhe në mendjen e tij nuk pluskoi asnjë kuriozitet për vizitorin e paftuar që po çonte brënda. Gjin Prendi kapërceu pragun dhe shkeli në plloçat e gurtë, sikur nën opinga të kishte dy patkonj çeliku. Mandej duke u ngjitur në katin e dytë të kullës, iu duk sikur gurët e shkallëve lëviznin e përplaseshin me njëri-tjetrin duke shkrepur xixa. Pesha e rëndë dhe e heshtur e kësaj shtëpie të errët dukej sikur kërkonte ta shtypte bashkë me hijet e saj. Ai u ndal te dera e konakut të Markut, ku dalloi si në mjegull një turmë njerëzish. Papritmas lëshoi kokën mbi gjoks në shenjë nderimi dhe qëndroi ashtu sikur të kishte ngrirë befas. Asnjë nuk lëvizi. Vetëm gjuhët e flakëve të zjarrit, që digjej në vatër, lëpiheshin mbi muret e gurtë të zbardhur me gëlqere dhe mbi pushkën e gjatë të varur sipër oxhakut. Dikush prej tyre tha me një zë të dridhshëm burri: -Mirë se erdhe e mirë se të pru zoti, or Gjin Prendi, mbarësi sjelltë këmba jote! -Plaku Gjin nuk ktheu përgjigje, por vuri dorën mbi zemër dhe vijoi të qëndronte kryeulur. Mark Vuka ishte shtrirë mbi një shtrat të madh prej druri, si mbi shpinën e një katallani të pamposhtur me katër këmbë, nga i cili merrte parreshtur helmet e lëngatës. Ai po jetonte çastet e fundit të një agonie që po zgjaste prej ditesh. Mjeku, që e kishte vizituar dy ditë më parë, ua kishte prerë shpresat dy djemve të tij që i rrinin te koka. Mosha e kapërcyer do të bënte punën e saj. Qysh prej tre ditësh ai nuk komunikonte më me njerëzit. Goja e tij ishte mbyllur për të mos u hapur as për amanetet e fundit dhe as për mashtrapën e ujit që gjendej aty pranë. Pasqyra te goja dhe nje puls i dobët në rrëzë të qafës, treguan se pritej nga çasti në çast të jepte shpirt. Nipi, që solli nga jashtë vizitorin e largët, shkoi iu përkul te veshi dhe sa për t’i bërë qejfin të sapoardhurit, i pëshpëriti me zë të ndjeshëm: -Zgjohu një dekikë, or Bacë, Ka ardhun Gjin Prendi!… Por për habinë e të gjithëve, këto fjalë patën për Markun një fuqi të tillë, që edhe nga varri do ta kishin çuar në këmbë. Ato i ranë si goditje topuzi në zemër dhe regëtimat që shkrepëtinë prej tyre ia rindezën gjakun që kishte filluar t’i venitej. Ai ngriti kokën lehtë dhe pastaj zgurdulloi jashtë mase sytë e humbur thellë në gropat e nënballit. Nga reflektimi i zjarrit, u duk sikur dy flakëza qiriri u ndezën në një kafkë mortore. Damarët e qafës që mbanin peshën e kokës, i kërcyen nën lëkurë si litarë të tendosur. Me një stërmundim të tillë gjymtyrësh, ai dukej sikur atë çast çast do të brofte nga shtrati i vdekjes për t’i dalë përballë Gjin Prendit. Por lëkundja e dridhëshme e kokës së tij prej meiti tregoi qartë, se ishte tepër i raskapitur. Dy djemtë u përkulën menjëherë dhe e ngritën nga supet. Kopsa e këmishës, që iu zbërthye vetiu, tregoi gjoksin e zgavërt të një skeleti, që u duk sikur po ngrihej nga arkivoli. Gjin Prendi vazhdonte të qëndronte përballë me pamjen e një statuje shkëmbore e me vështrimin të hedhur ngultas, mbi atë që kishte qenë rivali i tij i përjetshëm, në dashurinë e madhe për ta jetuar këtë botë. Dhe pasi ndeshi sytë e tij të venitur, tha me ton gjëmimtar: -Mirë se të gjej, o Mark Vuka! – zëri i tij jehoi për pak sekonda në të katër faqet e mureve të kullës. Sytë e Markut e dalluan atë si përmes një mjegullnaje të dëndur. Ai e mbushi me frymë gjoksin e drobitur dhe shpërtheu prej tij ca tinguj rrëqethës që ishin midis zërit dhe klithmës: -Për ça ke ardhë… në ditën e mortit tim… Gjin Prendi?… – Oshëtima e dridhëshme e këtij zëri, që vinte nga kufijtë e largët të përhumbjes njerëzore, u suall rrotull kullës një copë herë. -Kam ardhun me t’i falë nja dy sahatë jetë, or Mark Vuka, se e di që në sytë e mi, ti nuk vdes!… – kumboi zëri i ngrohtë i Gjinit dhe pas këtyre fjalëve, me një gjest të devotshëm ai përkuli sërish kokën mbi gjoks. Në kullën e lashtë u bë një heshtje aq e thellë, sa ndjehej vetëm mola që brente trarët e vjetëruar të lisave. Të gjithë kishin mbetur si të goditur në vend nga kjo atmosferë e ngurtësuar papritmas. Mark Vuka u rimbush me frymë, sa i krisën shkarpat e thata të brinjëve. Po nuk mundi të përgjigjej menjëherë. Truri i tij, i zgjuar befasisht prej gjumit të vdekjes, rrekej të fitonte ekuilibrin. Mendoi turbull, se do të ishte vërtetë turp i madh të vdiste para syve të Atij… Ta shihte Ai të mundur, të rrëzuar, të përpëlitur në krahët e zinj të mortit… Ta shihte ai me sy prej fitimtari… Jo, jo, kurrë! Tani kishte ardhur koha që ta tregonte trimërinë e vet edhe në përleshjen e fundit me vdekjen. “Mbahu zemër edhe pak! Mos më ler!…” gati sa s’thirri me zë. – Jo besa, s’kam ndërmend me vdekë!… – fjalët i dolën të rrokëzuara, si krismat e degëve të lisit kur digjen në zjarr. Bijtë dhe nipat ishin shushatur dhe me sy të shqyer shikonin të sapongjallurin, sikur nga çasti në çast do të brofte në këmbë e te rrokte alltien për t’i dalë ballëpërballë Gjin Prendit legjendar. -Mbahu, pra, or trim, e dashtë Zoti i madh po të fal edhe diçka nga jeta e vet e pasosun! -shtoi plaku Gjin me dashamirësi. Fjalët e tij kishin pasur brënda një energji të çuditshme. Ato e rindezën gjakun e shuar të Markut dhe sikur ia çmpinë damarët e akullt nga qafa deri në fund të këmbëve. Ndjeu se kthetrat e vdekjes, që po e mbanin mbërthyer e po e mundonin aq shumë, u shkëputën papritmas nga trupi i tij e ranë përtokë si copra druri. Ai mbylli sytë një grimë herë i rrëmbyer nga një kënaqësi çlodhëse. Mirëpo atë kohë iu përvijua nën qepalla figura mirëdashëse e Gjin Prendit, tek qëndronte kokulur para tij në pritje të një fjale miqësore. Hapi qepallat sërish dhe me sytë si dy dritëza të sapondezura në fytyrën e zbardhur si një copë akull, e këqyrii me një vështrim tepër zhbirues. E vështroi me tru. Me zemër. E vështroi gjatë, duke u dridhmuar. Ai vështrim ishte i ngarkuar me kërshërinë e viteve. Me dëshirën gjysmëshekullore për ta takuar një herë, por dhe me mirënjohjen e ditës së sotme. Pastaj shikimi i tij u bë më i butë dhe më pas u përzie me vërshimin e një zëri tashmë krejt të qetë e fare të kthjellët: -Zoti e ndigjoftë urimin tand, or Gjin Prendi… Pra, qofsh i falun për gjithë çka më ke pasun borxh e hallall ta baftë zoti, or trim!.. -Qofsh bekue, se je i falun përjetë edhe prej meje, në këtë botë e në atë botë, or kreshniku Mark Vuka!…Pas një shprehjeje të lehtë kënaqësie që ia flladiti fytyrën e vrerosur, Marku zgjati drejt tij një dorë të thatë me gishtrinj të zbehtë tërë damarë që i dridheshin. Dhe me një psherëtimë të lehtë tha: -Bjere njatë dorë, or krenar malësie!… Se aq sa të kam ndie për trim, besa paske kenë edhe bash burrnie!… Gjindja rretheqark kishin ngrirë, ishin stepur nën peshën e pazakontë të këtij dialogu trimash, që i ngjante dialogut bubullues të dy maleve në stuhitë e mëdha dimërore. Dora e Mark Vukës, me përvijime të qarta kockash gjithë nyje, kishte qëndruar pezull, si ajo dega e këputur që lëkundet brënda ujrave të një përroi, duke pritur mbështetjen te dora e tjetrit. Gjin Prendi bëri ca hapa fare të zakonshëm, por që në atë mjedis të mbyllur kulle, ku zotëronte heshtja, patën tingullimin e trompetës. Ai kapi në ajër dorën e regjur e të dëgjuar për trimëri, po që s’e pati rrokur kurrë për ta shtrënguar miqësisht në jetën e tij. Dhe atë çast ndjeu përbrënda dorës së vet tendosjen e stërmunduar të muskujve të një njeriu, që i grumbulloi te një dorështrëngim burri të gjitha ndjenjat dhe energjitë e fundit. Marku mbahej duke shtrënguar dhëmbët me një kërcitje të ethëshme, sepse nuk donte t’i dilte shpirti në sy të tjetrit. Dhe sakaq e shikonte ngultas me bebëza të zmadhuara si dy eklipse të vegjël dielli në perëndim. Atëherë fytyra e Gjinit u kthye padashur nga njerëzit që e kishin harkuar dhe mori një shprehje sikur pyeste: Pse habiteni, a s’luftuam dhe u përpoqëm në këtë jetë për malësinë tonë, sikur të ishim miq, pse duhej të vdisnim si armiq?… Mendoi kështu dhe ndjeu se pak nga pak brënda dorës së tij gjithçka po zbutej. Dora e Mark Vukës gjithnjë e më tepër po i nënshtrohej dorës së tij, po i dorëzohej besës së tij. Derisa midis gishtave i mbeti një gjymtyrë e qullët, e këputur, pa jetë, që u harkua befas. Mandej Markut iu var koka prapa dhe u lëshua i tëri në duart e djemve. Ata e ulën me kujdes mbi nënkresë. -Mos ka ra prapë në koma? – pyeti dikush aty pranë. Njëri nga djemtë vuri veshin mbi zgavrën e gjoksit të tij. -Jo, sapo dha shpirt… – tha pas pak duke u çuar ngadalë. -Shpirti i tij shkoftë në qiell pranë zotit! – tha dikush i pari dhe të tjerët pasuan fjalët e tij. Pastaj heshtja e nderimit u shtri gjerësisht në të gjithë hapësirën e konakut. Bijtë dhe nipat nuk zunë të qajnë. Por shikonin të vdekurin, sikur ai nga çasti në çast do të niste të tregonte ndonjë nga bëmat e shumta nëpër male, apo do t’i thërriste sërish, për t’i dërguar diku, me porositë e tij të shpeshta për shokët dhe miqtë e shumtë të shpërndarë nëpër të gjithë gjerësinë e ashpër të malësisë.