Do ta gdhend portretin tënd,
përmbi trungun e një pishe,
ashtu siç gdhenden ikonat,
nëpër muret e një kishe.
Do ta gdhend portretin tënd,
Te një pishë mbi kodrinë,
Emri yt do të gjelbërojë,
Si pisha në katër stinë.
Do ta gdhend portretin tënd!
Një portret që do të jetë ndryshe.
Flokët do t’i krehi era,
me krehër prej halash pishe.
Do ta gdhend portretin tënd,
nga gjoksi te maja e flokëve.
Do ta gdhend, por jo me dorë,
do ta gdhend me sqep të zogjve.
Dhe kur mosha të jetë thyer,
Të mbetesh e re siç ishe,
se do të kesh portretin gdhendur
përmbi trungun e një pishe…
Do ta gdhend portretin tënd,
përmbi trungun e një pishe,
ashtu siç gdhenden ikonat,
përmbi muret e një kishe.





















