Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Eja, me yjet e parë!

(Nostalgji për moshën rinore)

Eja moj, kur nata qiellin,
të stolisi, me yjet e parë,
eja tinëz, tundma belin,
nxirrmë mallin, kur isha djalë!

NOA

Eja moj, shkundma gjirin,
me trupin tënd, si perri,
të rrufis buzëve, eliksirin,
siç të puthja, në djalëri!

Lëshomi flokët, si jele pele,
mbi jastëk, derdhi me valë,
t’i lëmoj, me përkëdhelje,
të dehem, si kur isha djalë!

Mbështillma kokën me duar,
të më ngrohet palca e trurit,
të më ndizet gjaku i përvëluar,
me fuqinë e djalosh burrit.

Rrëqethma mishin, drithëromë,
si dikur, me vetëtima zjarri,
zbrazma frymën, me aromë,
ta thith prapë, me etje djali!

Hiq fustanin, me pala shumë,
zbulo kurmin tënd të bardhë,
të notojmë, si nëpër lumë,
në valët e tua, të mbytem djalë!

Tundmi vithet, si pelë pa fre,
të kalërojmë trokun e tërbuar,
të rendim bashkë, gjer mbi re
të bëhemi engjëj të harbuar!

Eja moj, me yjet në mesnatë,
siç më vije, kur isha djalë,
pastaj, s’dua të jetoj më gjatë,
le të më futin në dhe’ të gjallë!…