Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: E shtrenjta ime!

49
Sigal

E shtrenjta ime, grua moj,

jeta jonë, u nis të shkojë…,

Ah, sa keq, moj, ah, sa keq,

si papritur u bëmë pleq!?…

Kur isha kaproll e ishe sorkadhe,

s’dinim se vinte pleqëria me halle…

Unë të trokita në zemër një ditë,

dhe ti më trokite fort në shpirt!

Të desha, si s’desha tjetër njeri,

pa ditur se do humbisje atë bukuri…

Më deshe, si askush tjetër,

pa menduar se do bëhesha i vjetër!

Vilja tek ti, mollë e dardha,

pa menduar për thinja të bardha….

Dhe nuk dyshuam, asnjëherë,

se jeta ish, sa për t’i marrë erë!

Kur çelnin lastarë, e degë të reja,

dukej prapa botës, dimër rrufeja…

Pleqëria na dukej, larg një shekull,

teksa po vinte, si nëpër mjegull!

E bukura ime, grua e shtrenjtë,

jeta jonë, ka nisur të shkojë…

Zoti mos na ndaftë shpirtrat veç,

kur të fluturojmë, nga kjo jetë!

Të jemi bashkë dhe në parajsë,

atje, unë si djalë, e ti si vajzë…

Të fitojmë kohën humbur, në rini,

kur andrallat na lanë pa dashuri!..