Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Bukuroshja që na mahniti

269
Sigal

 

Në grupin tonë të arsimtarëve, kishim krijuar teatrin amator, ku bënin pjesë djem e vajza të rinj, me arsim të lartë dhe të gjithë të pashëm. Për të mos thënë se kishte edhe shumë të bukur, si Zela fantastike, të cilën e quanim bukuroshja e Kavajës. Por, ishte afruar mes nesh, për inerci e si për të kompensuar tërë hijeshinë e grupit, edhe më i shëmtuari i efektivit të arsimtarëve të rrethit, që kishte vetëm emrin e bukur, Fatmir. Për të cilin edhe ai vetë thoshte shpesh: “Unë duhej të quhesha “Fatkeq”, po nuk e kuptoj pse krijuesit e mi prindër, më vunë këtë emër, që stonon tmerrësisht me pamjen time.” Na prekte në shpirt me këto fjalë dhe me dëshirën e tij për të marrë në pjesët teatrale vetëm rolet negative, të cilat i qante, si askush tjetër. Por ndjeheshim keq, sidomos, kur padashur hidhnim sytë vëmendshëm mbi fytyrën e tij. Apo kur unë, që bëja makijazhet e shfaqjes, punoja gjatë për të transformuar në përshtatje me rolin, detajet e gjymtyrëve të tij të llahtarshme. Duke bërë të pranueshëm për spektatorin ballin e zbuluar deri në zhogën e kokës, me dy gunga kockore të dala në të dy anët çuditërisht, sikur natyra kishte përgatitur me to bazamentin për t’i nxjerrë brirë kafshe, por më pas ishte penduar dhe e kishte kthyer në njeri. Dy sytë e thelluar në gropat pamore pa qepalla, vetullat e kreshpëruara, bulçitë e rrafshuara nga dobësia, të ngjitura fare pranë dhëmbëve, xigomatikët si dy funde dardhash dhe mjekrën si të cjapit, të zgjatur deri afër fikthit të theksuar mashkullor, që i lëvizte si kokërr arrë poshtë e përpjetë gurmazit, sa herë fliste. “ O zot, – kishte thënë Zela nën zë, – edhe sikur ndonjë piktor të kërkonte tipare të tilla, për të bërë portretin e një xhindi, zor se mund t’i gjente këtu mes nesh!” Ne shokët e tij, u thoshim vajzave dhe vetë Zelës, të mos e vrisnin shpirtërisht, duke e braktisur në biseda, kur ato gjatë gjithë kohës qëndronin vetëm pranë të tjerëve. Madje, për ta bërë të afruar e të domosdoshëm për secilin gjatë provave, shëmtarakun e zgjodhëm regjisor të grupit teatral. Ndonëse kishte mësues të tjerë me prirje letrare e me njohuri skenike të mjafta për atë punë, por Fatmiri, që kishte mbaruar për matematikë, e justifikonte më së miri atë përgjegjësi shoqërore që i kishim caktuar. Sepse ai ishte prej natyre, më me shije e me durim të pamposhtur, për të lexuar pjesë teatrale. Me të cilat pushtuam skenën e shtëpisë së kulturës dhe disa herë bëmë turne në disa shkolla të mesme jashtë rrethit. Në marrëdhëniet tona shoqërore, vajzat mësuese, si Zela, Leta, Neja e ndonjë tjetër, ishin tejet të lakmuara nga djemtë si Petriti, Kashani, e gjithë beqarët e tjerë. Por sidomos Zelës bukuroshe i vardiseshin, jo vetëm amatorët, por edhe djem të qytetit, të cilët i rrëmbente portreti i saj fantastik gjatë shfaqjeve, në disa role vajzash heroina të repertorit skenik. Madje Petriti thoshte me shaka, “Lum ai pallosh që do t’ia mbushë mendjen, ta ketë gjithë jetën në shtrat këtë perri, e cila ka zbukuruar edhe vet këngën “Vajza të bukura ka Kavaja.”

Pra, siç lashë të kuptohet edhe më sipër, djemtë ndjeheshin të gjithë të dashuruar në mënyrë të njëanshme me këtë vajzë të rrallë. Por Shëmtaraku psherëtinte nga dhimbja, kur vështronte Zelën, dhe bukuroshja lëndohej në shpirt, kur ai e shigjetonte në sy, njësoj si trëndafili që vyshket, kur gjembi në afërsi i prek petalet. Ndoshta mjerimi shpirtëror që ndjente kohët e fundit Fatmiri, nga shëmtimi tij, i shkaktohej kryesisht, sepse ndjente largësinë kilometrike prej saj. Por edhe pamundësinë për të qenë në raport të barabartë pozicional me djemtë e tjerë, që e ngacmonin e bënin shaka me këtë vajzë, të cilën fati ia kishte privuar vetëm atij, duke e dënuar të përgjërohej për të. Aq sa kishte arritur të shfrynte te shokët: “Ah, moj nënë, ç’bëre që s’më mbajte dhe nja dy javë në bark, të më rregulloheshin defektet.” Dhe këtë duf e nxirrte pikërisht në rastet, kur nuk ia varte Zela. Sepse, edhe kur ai i afrohej për ndonjë shpjegim roli, ajo e dëgjonte me kokën anash, pa e vështruar në sy. Megjithatë, kishte edhe raste, kur ajo e falënderonte përzemërsisht, për mendimet që i jepte, duke ndjerë ngrohtësinë e sinqertë të zërit të tij të butë e të nënshtruar tërësisht para saj. Gjithsesi edhe në këto raste, ajo komunikonte kokëmënjanë e me sytë diku në boshësi. Teksa Fatmiri ndjehej mirë, sepse kishte idenë, se kur vajza të kthen shpinën duke të qëndruar afër, do të thotë se të bluan në trurin e saj. Në fund të atij viti mësimor, me arritje të mjafta në punë e në lëvizjen amatore të shkollës sonë të mesme, ndodhi çudia e të gjitha çudirave, që e la pa mend krejt grupin tonë të arsimtarëve. Zela me kasafortën e mbyllur rreptësisht e tepër sekrete të mendimeve të saj, u kthye befas për një vizitë në familjen e Fatmirit, te shtëpia e tij dykatëshe, me oborrin e madh nën hijen aromatike të portokalleve në Elbasan. Pas këtij pelegrinazhi në Edenin e fshehtë të këtij qyteti të lashtë, ajo bindi prindërit e saj në Kavajë, për vendimin e rëndësishëm jetësor që kishte marrë papritmas.

Të gjithë ne të tjerët, por sidomos pretendentet për t‘u fejuar me të, sa nuk shkalluam nga trutë, kur morëm vesh se Zela bukuroshe ishte fejuar me shëmtarakun misterioz. Tejet i mahnitur Petriti, tha se Zela duhet ta kishte dredhur patjetër gjatë viteve të universitetit në Tiranë, që pranoi verbërisht të martohej me Fatmirin e përçudnuar fizikisht. Unë ia ktheva në çast: -E ka dredhur, apo e ka spërdredhur, është puna e saj, në fund të fundit, e di vetë e zonja përse e ka zgjedhur…

Nga një bisedë me Letën, mësuam se Zela i kishte thënë asaj: “Mua, moj motër, nuk më duhet bukuria që kam vetë, më duhet burrëria, mençuria dhe besnikëria, në atë masë, që e ka Fatmiri, por sidomos shpirti i tij i bukur e fisnik me të cilin ndjehem fare mirë.“ Këto fjalë të qarkulluara me shpejtësi të habitshme, mes të gjithë atyre, që i njihnin, bënë të mbylleshin përfundimisht të gjitha gojët. Madje pas kësaj, edhe vetë Shëmtaraku filloi të na dukej disi më i natyrshëm, me atë hijen e re të pamjes së tij prej bashkëshorti. Por nuk na shkulej nga mendja sidomos zhgënjimi që pësuam, kur kuptuam se teksa qahej për fatin e keq të fytyrës së shëmtuar, kishte punuar në mënyrën më misterioze, për të shtënë në dorë fytyrën më të bukur që gjendej mes nesh. Por në fund të fundit, u bindëm se jeta është përpjekje e pareshtur e njeriut, për të arritur të pamundurën, në të gjitha format dhe trajtat ku shfaqet ajo. Dhe na mbetej vetëm t’i shtrëngonim dorën këtij fitimtari të madh, që i la me gisht në gojë të gjithë pretendentët.