Suplementi Pena Shqiptare/ Vepror Hasani: Vendosëm të vdisnim bashkë

691
Sigal

Vendosëm të vdisnim bashkë
Tregim

Vepror Hasani

Mua dhe Lorenës nuk na mbeti asnjë rrugë tjetër. Vendosëm të emigronim si klandestinë. Kufirin e kaluam herët në mëngjes. Udhëtuam më këmbë gjatë gjithë ditës. Papritur u gjendëm në rrugët e një pylli që s’po dilnim dot prej andej. Befas nisi një shi i rrëmbyer, vetëtinte nga të gjitha anët e horizontit, gjëmimet dukeshin sikur do të zbrazeshin mbi kokat tona, një ah i lartë u ça mespërmes nga rrufeja dhe gjithë zona përreth u përfshi nga flakët. Një hungërimë e frikshme bishe përhapej ngado që shkonim. Edhe kafshët e egra ishin më të tmerruara se ne. “O Zot, – klithi Lorena, – mos na lër të vdesim rrugëve të botës”! Atë çast edhe unë ndjeva frikë. Errësira ishte bërë më e thellë, shiu nuk kishte ndërmend të pushonte, era e marrë që frynte prej mëngjesit ishte bërë edhe më e akullt, nuk dukej kurrkund asnjë dritë, nuk dëgjohej asnjë zë, nuk dukej gjëkundi as ndonjë stan çobenjësh ku mund të kërkonim ndihmë. “Të vjen keq që do të vdesim në këtë mënyrë”? – më tha Lorena. Nuk i ktheva dot përgjigje. Para disa vitesh kisha dashur vërtet  të vdisja. Në atë kohë sapo isha njohur me Lorenën. Çuditërisht, pas një viti u gjendëm në një grindje të fortë. U ndamë për të mos u takuar kurrë, por mua më mbërtheu një dëshpërim i tejskajshëm. Vetmia paskësh qenë e tmerrshme. Vazhdimisht më kujtohej Lorena, zëri i saj, fjalët, gjestet, gjithçka. I kërkova të vinte “te vendi ynë”, atje ku takoheshim gjithnjë, por ajo nuk erdhi. E prita gjatë. Dëshpërimi im u bë edhe më i madh. Vendosa t’i jepja fund vetes. Mora një grusht medikamentesh nga të gjyshes dhe i piva të gjitha njëherësh.

 II

Pas një çasti të shkurtër e pashë veten në një ëndërr të gjatë, fluturoja nëpër qiell së bashku me Lorenën. Ndoshta edhe ajo pasi kishte marrë vesh vdekjen time, ishte vetëvrarë. Po shkonim të dy drejt parajsës. Pas një çasti e pyeta: “Po me  ty si ndodhi? Nga e more vesh që unë u helmova për ty? Je e lumtuar tani që ne të dy do të jemi përjetësisht bashkë? Por ajo nuk më kthente përgjigje, vetëm qante, nuk e di sa gjatë vazhdoi ajo ëndërr. Befas  m’u duk sikur humba në një humnerë të errët, ku nuk dalloja asgjë; nuk shihja dot as veten time. Kisha qenë në shtratin e spitalit… Aty mësova gjithçka: prindërit më kishin çuar në spital pothuajse të vdekur. Nëna më qëndronte te koka dhe qante; babai mundohej ta mbante veten, por nuk mundej. Dy prindërit e mi ishin bërë për të vrarë veten; nuk e donin më jetën. Në këtë gjendje i gjeta kur hapa sytë. Si nëpër mjegull dëgjova një zë: “Më duket se ia dolëm”! Ishte  zëri i doktorit. Kur shikimi im u bë më i qartë, pashë se nëna ime po të qante me të madhe, por përpiqej të mos nxirrte zë që të mos më shqetësonte. Im at i lutej të qetësohej: “Mos qaj, djalin e kemi gjallë”! Por nëna ime qante nga gëzimi: Tani që m’u kthye djali në jetë, – tha ajo,- edhe po të vijë Zoti të më marrë ia kam

bërë hallall”. Atë çast kuptova çfarë janë në gjendje të bëjnë njerëzit kur të duan fort. 
III

Kisha filluar të kthjellohesha; po më kujtoheshin të gjitha: dëshpërimi për Lorenën, pirja e

medikamenteve, dëshira për të vdekur sa më parë, lumturia që po sakrifikohesha e shumë ndjesi të tjera; të gjitha më dukeshin të bukura. Por tashmë i saporikthyer në jetë, nuk ndihesha as i lumtur, as i dëshpëruar, më mundonte diçka e turbullt: nuk isha i sigurtë nëse ajo që kisha bërë kishtë qenë gjë e duhur apo e gabuar. Një infermiere e re që qëndronte pranë meje, nuk m’i hodhi sytë asnjëherë. Kjo më trishtoi edhe më shumë. Ndjeva se ajo më përçmonte. Doja të dija çfarë kishte ndodhur me Lorenën? Ishte vetëvrarë edhe ajo? Nëse ishte gjallë, a kishte ardhur në spital të më shihte? Nëna ime sikur ta kishte kuptuar atë çka po mendoja, më tha: “Ajo që ndodhi, ndodhi, rëndësi ka që je gjallë”! Edhe gjyshja kur kishte marrë vesh vdekjen time, kishte mallkuar veten, nuk donte të jetonte më: “Po të mos kishin qenë ilaçet e mia, nipi im do të ishte gjallë tani”, kishte thënë ajo. Trishtimi im u bë edhe më i madh kur mora vesh se Lorena nuk kishte qenë në spital. Gjithë sakrifica ime s’kishte qenë gjë tjetër veçse një marrëzi. Askush nuk më kishte quajtur hero, përkundrazi… infermierja vazhdonte të më shihte me përçmim dhe kjo gjë më lëndonte shumë. Por, oh, gjendja ime ndryshoi sakaq, Lorena u duk në derë, erdhi drejt meje, u përkul mbi mua, më përqafoi fort, dhe më puthi: “Nuk e  kisha menduar kurrë të ndahesha nga ty, – më tha, dhe një pikë loti nisi t’i zbriste prej syrit. U betuam se do të vdisnim bashkë.  Kur dola nga spitali, infermierja m’u afrua me shumë dashamirësi, më shtrëngoi dorën dhe me tha: “Dhe mos e bëj më atë marrëzi”. Atë çast kuptova se ajo nuk më përçmonte,  ndoshta i kishte ardhur keq për mua. Shtrëngimin e dorës së saj e ndjeva për një kohë të gjatë.

IV

Por që atëherë kishte kaluar kohë. Tashmë gjendesha bashkë me Lorenën mes një pylli të madh e të frikshëm, edhe  mund të vdisnim.Vallë, do të mbetemi gjallë? – pyeti Lorena. “Sigurisht, – iu përgjigja, më shumë për t’i dhënë kurajo. Atë çast u dëgjua një gjëmim edhe më i forte; shiu u bë edhe më rrëmbyeshëm, u futëm poshtë një shkëmbi, por s’mundëm të qëndronim për një kohë të gjatë, i ftohti ishte i padurueshëm. Ishte një vjeshtë tejet e hidhur. Ikim, – i thashë Lorenës. Ikim, – më tha ajo, – ndoshta dalim nga ky pyll i mallkuar që duket sikur sikur kemi mbetur  në një humbëtirë”. Pas një çasti kuptuam se po ecnim mbi varreza. Ishte një hapësirë e madhe e rrethuar me një gardh të vjetër. Binte erë kalbësirë. Varret ishin gjysëm të shkretuar, disa të vithisur krejt. Një gjarpër lëvizi nëpër këmbët tona. E tillë ishte fëshfëritja e asaj lëvizjeje. “Gjarpër”!– tha Lorena. “Ndoshta”, – ia ktheva. Lëvizjet tona u bënë edhe më e frikshme. Më tej, mes pellgjeve të shiut, gjetëm një palë rroba të grisura, ndoshta ndonjë emigrant kishte gjetur vdekjen pikërisht në këtë vend. Një mëngë e këmishës kishte mbetur varur në degët e një ahu. Diku, më larg, dëgjohej një si e qarë gruaje. “Duhet të jetë era që vajton kështu”,- i thashë Lorenës për ta qetësuar. Befas vendi u ndriçua nga një vetëtimë e fuqishme. Diku më tej u dëgjua një rrëzim muri. Kishim mbërritur te një fshat i braktisur; të gjitha shtëpitë ishin të shembura, gërmadhat e ndërtesave dukeshin si fantazama; lakuriqtë e natës krijonin zhurma të frikshme. “Po dëgjoj hapa”, – tha Lorena. Ashtu po më dukej edhe mua. Kur kapërcyem një mur të gremisur, u thye një dërrasë e kalbur dhe u bë zhurmë. Dikush që kishte qenë fshehur aty, nisi të largohej me vrap. Hapat e tij u dëgjuan deri tutje.

V

“Kush ishte ai”, – më pyeti Lorena. “Nuk e di, – iu përgjigja, ndoshta ndonjë kafshë e egër”. Jo, – këmbënguli ajo, – ishte njeri, hapat e tij ngjanin me të njeriut! Dikush fshihej në atë vend të frikshëm. Kur vetëtiu sërish, vura re se sytë e Lorenës ishin zmadhuar nga frika. Nëpër fytyrë i rridhnin rrëket e shiut, dukej si e tjetërsuar, befas m’u duk sikur dikush ma kishte rrëmbyer Lorenën dhe në vend të saj kishte lënë një fantazmë. U rrëqetha nga ky mendim i beftë.

“Ma jep dorën”, – i thashë. Ajo më zgjati dorën. Ishte një dorë e vogël, e ftohtë si akull. Qënke i ftohtë, – më tha ajo, – pastaj shtoi, – kam shumë frikë! Mos ki frikë i thashë, kemi vendosur të vdesim bashkë! Diku tej u duk diçka si një ndërtesë.Është shtëpi, – thamë të dy në të njëjtën kohë. U nisëm për atje. Ishte një shtëpi e vjetër dykatëshe, e rrethur me avlli. Porta hapej dhe

mbyllej prej erës dhe përplasej pas murit me një zë të kobshëm. Desha ta mbyllja portën, por nuk i kishte mbetur asnjë brave; i vura një gur përfundi. “E sigurove portën”? – më pyeti Lorena. “I vura një gur të madh”, – iu përgjigja. Kati i parë ishte i zhytur në ujë, binte erë lagështirë dhe myku, suvatë ishin të rëna. U ngjitëm në e katin e dytë. Dërrasat e shkallëve ishin të kalbura. Edhe dhomat ishi të çara dhe të plasaritura. Hymë në njërën prej tyre  Ndeza çakmakun për të parë rreth e rrotull. E çuditshme! Dikush kishte qenë aty para nesh. Një krah dru të mbledhura në pyll i kishte sjellë aty. Pranë oxhakut kishte sajuar një krevat. Diku aty kishte mbetur edhe një qiri gjysmë i djegur. E ndezëm për të bërë dritë. Pastaj ndezëm zjarrin. Unë vështroja Lorenën dhe ajo më vështronte mua. Ndoshta po mendonim të njëjtën gjë: para nesh duhej të kishte qene njeriu që i dëgjuam hapat teksa vraponte tek varret, por pse kishte dalë përsëri nga shtëpia? Mos vallë po ndihmonte edhe dikë tjetër?

VI

Pasi i thamë rrobat pranë zjarrit dhe hëngrëm pak bukë me duart që ende na dridheshin nga të ftohtit u shtrimë në krevatin e sajuar dhe u mbuluam me disa rroba të vjetra. Lorenën e zuri gjumi shpejt, dukej si e vdekur nga lodhja dhe rraskapitja. E lashë të flinte. Papritur u dëgjua një zhurmë e frikshme. Dikush hapi portën duke e shtyrë me forcë. Kush mund të ishte vallë? U dëgjua era që hyri brenda oborrit të shtëpisë, u ndje kërcitja e dyerve të dhomave, përplasja e kanateve të dritareve, thyerja e një xhami që ra poshtë, krrakaritja e një shpendi të trebur dhe pastaj heshtje. Kush ishte vallë, njeriu që ishte fshehur te varret apo era. Ndoshta porta ishte hapur nga era, ndoshta ishte njeriu që i kishim zënë dhomën dhe donte të hakmerrej. M’u kujtua mënga e këmishës së emigrantit, varur në degët e një ahu. Vështrova nga Lorena, ajo vazhdonte të flinte. Kasha nevojë t’i merrja një mendim, por ajo flinte. E kasha të nevoshme edhe një shtrëngim dore, por nuk mund ta zgjoja lorenën. Qiriri vazhdonte të bënte ende dritë. Ndoshta duhej të ngrihesha të merrja vesh çfarë po ndodhte  por nuk po vendosja dot, sepse më duhej të zbrisja shkallëve të kalbura përmes një errësire të plotë, kurse njeriu që ishte jashtë, mund ta njihte mirë çdo cep të shtëpisë dhe unë mund të gjendesha në kurthin e tij.  Pas një heshtjeje, m’u duk sikur u dëgjuan përsëri hapa. Ai ngjiti shkallët dhe u ndal para derës së dhomës tonë. Nnuk po vendoste dot të hynte apo të ikte. Ndoshta dhe ai kishte frikë. U drodha i gjithi nga tmerri. Pak më vonë m’u duk sikur po largohej.

VII
Kur nata isha larguar, dola dhe pashë që porta ishte e hapur.Nuk e di as sot, nëse e kishteshtyrë era me gjithë gurin që i kisha vënë përfundi, apo dikush tjetër e kishte shtyrë atë. U ktheva sërish në dhomë dhe pashë Lorenën që ishte zgjuar nga gjumi: Si fjete? – e pyeta. Shumë keq,  m’u përgjigj, – si nuk u ngrite ta mbyllje portën, më le gjithë natën të frikësuar dhe pa gjumë.

Mbeta i hutuar, nuk dija çfarë t’i thosha. Nuk di pse atë çast më kujtua shtrëngimi i dorës së infermieres, ajo nuk më përçmonte, thjesht i vinte keq për mua.