Suplementi Pena Shqiptare/ Tomorr Shasho: Studenti i shkëlqyer dhe soba e gatimit

756
Sigal

Alo! Alo! – dëgjohej zëri në celular. -Jam Agroni. Sapo dhashë provimin e fundit. – Atë me dekanin? – ngriti zërin i ati. – Po, po, atë me dekanin. – Dhe, besoj, dole shkëlqyer! – E vënke në dyshim, baba?! – ia ktheu i biri përmes telefonit. – Si ta ve në dyshim, mor bir, më ke ngjarë mua… – Ty?!… I kam ngjarë mamasë, – bëri humor i biri. – E po, mirë ardhsh, o bir!- qenë fjalët e fundit të Qerimit. Dhe e mbylli celularin. Burrë e grua u ndjenë të gëzuar. – Dëgjo, grua. Unë mendoj, që djali ta ftojë dekanin për një darkë në shtëpinë tonë. – Bukur, – ia ktheu Nazimeja. – Kur të bëjmë gostinë e diplomimit të djalit, ftojmë edhe dekanin. Edhe ai kënaqet midis njerëzve tanë, por edhe ne krenohemi me mikun e ri. Ta marrin vesh këta të fshatit, se cili është djali ynë e se cilin ka shok! Ajo e shtunë e 13 shtatorit 2017 për familjen e Qerim Malit do të mbetet e paharruar. Dekani kishte mbërritur aty nga mesdita. Agroni pat marrë makinën e një shoku dhe e pati pritur në rrugën kryesore. Ndërsa ecte drejt shtëpisë së Agronit, dekanit i bënin përshtypje shtëpitë e reja, rrethuar me gjelbërim. “Sa bukur, sa bukur!” përsëriste shpeshherë dekani. Teksa e shikonte ashtu si të pataksur, Agronit i bëhej sikur po shoqëronte Zylon e Dritëroit. Dalëngadalë e si pakuptuar, u gjendën para derës së shtëpisë. Kur u futën në dhomën e madhe, dekani e pa të mbushur plot me burra e gra. Gjithë ç’ishin brenda, u ngritën në këmbë. Kuptohet, kishte ardhur një dekan universiteti nga Tirana! Pas përshëndetjeve të para, fjalën e mori dekani. – Ju keni rritur dhe edukuar një djalë të merkullueshëm. Një shkencëtar nga ana teorike në fushën e elektricitetit. Mjeshtër i vërtetë për pajisjet që punojnë me rrymë elektrike… Kemi lënë mendtë nga aftësitë e jashtëzakonshme inxhinierike të djalit tuaj… – E po, student i një dekani shumë të njohur në mbarë Shqipërinë.., – ndërhyri Nazimeja, e shoqja e Qerimit. – Ç’thua kështu, zonjë! Ky që tani më ka dalë përpara! – shkeli mbi modestinë e vetë dekani. Mysafirët e dëgjonin më vemëndje. Habiteshin për aftësitë që po tregoheshin për Agronin, kur ata e njihnin si një djalë, që edhe dhitë ai nuk i sillte tamam në darkë! – Më falni që po e marr fjalën unë, por unë dëshiroj që sonte pajisjet elektrike t’i vërë në përdorim studenti im, Agroni. Jeni dakort? – Dakort! – u shprehën me një gojë tërë të pranishmit. – Atëherë, Agron, trego diplomën! Dhe i bëri shënjë që të shkonte nga guzhina. Në çast Agroni mori detyrën. Shkoi në guzhinë dhe ia filloi punës. Ndërsa orët kalonin, e shoqja e Qerimit hynte e dilte e zverdhur në dhomë për t’i bërë me shënjë të shoqit, se diçka nuk po shkonte mirë. – U pu pu, ç’na gjeti! Ora po shkon nëntë e darkës dhe asgjë nuk është gati. Çfarë ka kjo e flamosura sobë, që sot në mëngjez e blemë!? Sot po e vemë në punë për herë të parë! Ç’më duhej soba mua, korbës! Vër saçin, moj të rëntë pika! Doje dhe sobë të re! Qerimi shkoi në guzhinë, ku pa djalin teksa jepte e merte me pajisjen e re, por… Për të mos u turpëruar, Nazimeja shkoi e ndezi zjarrin poshtë në guzhinën e vjetër. Dhe filloi të përgatiste darkën. Ora po i afrohej dhjetës. Disa mysafirë filluan të dremisnin. Si e pa se që nuk po ia gjente dot defektin sobës, Agroni shkoi e u konsultua me dekanin. – A, mos u mërzit! Kështu e kemi nisur profesionin të gjithë. Dëgjo këtu: sipas ligjit fizik, defektin duhet ta kesh te ndonjë lidhje me rezistencën e ndërmjetme. Mirë? Shko te soba! Shkoi Agroni, hapi çelësat e vatrave ku ishin rezistencat, por… asgjë! Nazimeja ul e ngri saçin, ndërsa Agroni hyrë e dil te dekani. Gjatë tërë atyre minutave, dekani i kujtoi thuajse të gjitha leksionet e elektricitetit. Kur pa se po vinte mesnata, atëhere dekani luajti vendit dhe iu drejtua mysafirëve në dhomë. – Të gjitha ia kam mësuar Agronit, por…, dhe vuri buzën në gaz, – një diçka e kemi ruajtur për vete… Dhe u ngrit e shkoi në guzhinë. – E ke lëvizur këtë? – iu drejtua Agronit. – Po, profesor. – Bukur! Po këtë rezistencën këtu, nga futet rryma? – Po, profesor. Edhe këtë e kam lëvizur… – Bukur, bukur; nuk po ju them gjë. T’i marrim të gjitha gjërat me radhë. Po këtë këtu, se mos kemi induksion?! – Po, profesor; edhe këtë e kam lëvizur; edhe atë, edhe atë… – Atëherë, shokë, Agroni ta gëzoi diplomën! Soba ka ardhur me defekt nga fabrika. Menjëherë të kthehet mbrapsht! – Ç’fat i keq! -foli Nazimeja. Sakaq në guzhinë u duk një burrë i gjatë dhe i thatë, veshur me kominoshe. – Mirëmbrëma! – përshëndeti i porsaardhuri. Dhe lëshoi posht një trastë të madhe me tela, çelësa dhe mjete të tjera elektrike. – Çfarë ka soba? – pyeti. Dekani drejtoi trupin dhe nuk iu përgjigj. – Sot e kemi marrë në treg, por, me sa duket, e paskemi marrë me defekt, – ndërhyri Agroni. – Ashtu?! – foli i porsaardhuri. Iu afrua sobës dhe … – Ja, t’ia nisim nga e para. Dhe e ngjeshi me forcë në prizë spinën e kordonit që ushqente sobën me rrymë elektrike. – Tani në rregull. Ta gëzoni sobën! Vazhdoni! Kapi çantën, përshëndeti dhe mori të ikte. – Cili është ky? – pyeti dekani. – Është elektricisti i pallatit tonë, – u përgjegj me gjysëm zëri Agroni.