Suplementi Pena Shqiptare/ Vepror Hasani: Dashuritë e mëdha

466
Sigal

(Për shkak të biografisë që pati njëri prej tyre)

Më dërgoi një letër, e kujtoj si sot,
Më mbërriti kohëve kur zhytur isha në vetmi
Adresën e saj pashë e më rrodhën lot,
“Vallë nga e dinte sa shumë më duhej kjo letër tani?”

Sekret desha ta mbaj, askujt mos’ia tregoja
Sado e vështirë për mua të ish.
Po zemra më thoshte: “Le ta marrë vesh gjithë bota,
Se sot jam ndjer më bukur e më mirë!”

Dhe nisa ta lexoj me mall çdo gërmë e radhë
Frymëmarrjen e saj nisa të ndjej
Dhembsuri të pafundme gjeta te çdo fjalë
Dhe thirrjen e saj: “Eja më merr!”

U bëra me krahë, si shpend fluturova
Në qiellin tim të madh të përmalluar
Dhe mes yjesh të ndriçmë vallëzova
Kur mes rreshtash gjeta: “Nuk të kam harruar!”

Qielli ma kuptoi brengën dhe me tha:
“Po vuan si shkretëtira prej etjes,
Por dashuria jote është bijë e dashurive të mëdha
Ajo do jetojë dhe përtej vdekjes!

Sepse ju lindët në kohë të vështira
Kur e mira dhe e bukura pa mëshirë vritet
Kur e nesërmja mund të gdhihet me intriga
Kur çmenduria prej të çmendurve duartrokitet”

Ndaj kështu mbetëm për gjithë jetën,
Herë në ëndërr, herë në përrallë.
Sepse shumë e deshëm njëri-tjetrin
Sepse s’deshëm kurrë të na ndajnë.