Basha: Rama asnjë plan për të dalë nga kriza e rëndë ekonomike dhe sociale që po shkakton pandemia

271
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagon lidhur me situatën e rëndë që ka shkaktuar kriza e pandemisë së koronavirusit në vendin tonë, kjo dhe për shkak të keqmenaxhuimit të saj nga ana e qeverisë “Rama”.

Në reagimin e tij, Basha thekson se kriza e pandemisë dhe kriza ekonomike, po rëndohen çdo ditë, ku mjekët dhe infermierët janë sot të vetmit që kujdesen për qytetarët e prekur nga virusi. Por kjo, thotë kryedemokrati, fatkeqësisht nuk mjafton.

Reagimi i Bashës

Kriza e pandemisë dhe kriza ekonomike, po rëndohen çdo ditë. Mjekët dhe infermierët janë sot të vetmit që kujdesen për qytetarët e prekur nga virusi. Por kjo fatkeqësisht nuk mjafton.

Në kulmin e pandemisë, kur numri i të infektuarve dhe atyre që humbin jetën po rriten frikshëm, kryeministri nuk ka asnjë plan për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe ekonomisë, asnjë strategji për pandeminë, asgjë përveç propagandës dhe heshtjes apo sulmeve trashanike ndaj çdokujt, që kërkon transparencë dhe veprim.

Që prej marsit, pas konsultimeve me ekspertët e shëndetësisë dhe ekonomisë, i propozuam qeverisë një plan masash për të mbrojtur shëndetin dhe ekonominë e qytetarëve.

Mosveprimi dhe mungesa e masave për të mbrojtur spitalet dhe qëndrat shëndetësore, i ktheu ato në vatra të rrezikshme të përhapjes së virusit. Refuzimi për të marrë masat për mbrojten e stafeve mjekësore, i la mjekët dhe infermierët të pambrojtur përballë virusit.

Shqiptarëve vazhdon t’ju mungojë informacioni se si është gjendja në spitale, sa teste, sa shtretër, sa aparate respiratore dhe medikamente janë në dispozicion për të infektuarit nga COVID-19 dhe për qytetarët që vuajnë nga sëmundje të tjera.

Numri i testimeve vazhdon të jetë i pamjaftueshëm. Shumë qytetarë që kanë patur kontakt apo familjarë të prekur nga virusi, u refuzohet testimi. Si në asnjë vend tjetër nuk ka asnjë transparencë për kushtet apo mënyrën e trajtimit të qytetarëve, që kurohen në Spitalin Infektiv apo te “Shefqet Ndroqi”. Situata është katastrofike në rrethe, ku të infektuarit e kanë të pamundur të marrin trajtim shëndetësor dhe ju duhet të blejnë vetë edhe aparaturat për oksigjenoterapi.

Censura për atë ç’ka po ndodh realisht, gënjeshtrat e përsëritura për hapjen e spitaleve të reja COVID, pamjet e rënda të familjarëve që sigurojnë aparatura dhe medikamente për të afërmit e tyre të shtruar në spital, janë pasqyra e qartë e dështimit të qeverisë përballë pandemisë.

Për të mos prekur paratë që shkojnë për tenderat dhe koncesionet korruptive, nuk u morën masa për pajisjen e strukturave  spitalore me aparaturat e nevojshme. Shqipëria ka sot shpenzimet më të ulëta për shëndetësinë nga gjithë shtetet e Europës Juglindore. Ndërkohë kryeministri ndan miliona euro më shumë për klientët e tij.

Mosplotësimi i nevojave për aparatura e mjetet e nevojshme të strukturave spitalore, ka vënë në rrezik dhe jetën e mijëra qytetarëve të prekur nga sëmundje të ndryshme, që nuk po marrin shërbimin e nevojshëm shëndetësor.

Shqiptarët po kalojnë ditët me ankthin e kërcënimit ndaj shëndetit, me frikën e humbjes së vendit të punës dhe pamundësisë që i kërcënon çdo ditë.

Mijëra biznese janë mbyllur e qindra të tjera janë në prag falimentimi, mijëra njerëz kanë mbetur pa punë, e për rrjedhojë pa asnjë të ardhur për familjen e fëmijët e tyre. Çmimet po rriten dhe pamundësia po shtohet. Qytetarët duan zgjidhje, duan mbështetje, kanë nevojë për ndihmë. Por kjo qeveri ofron vetëm gënjeshtra dhe propagandë.

Mijëra prindër dhe fëmijë janë të paqartë çfarë do të ndodhë me arsimin këtë vit. Kur do të fillojë shkolla? Do të ketë mësim online? A janë masat për dezinfektim dhe distancim social? Nëse do të ketë mësim online, çfarë masash ka marrë qeveria që të gjithë fëmijët të kenë mundësi të pajisen me mjetet dhe internetin e nevojshëm? Asnjë plan, asnjë informacion nuk ka deri më tani.

Në këtë situatë të rëndë, një kryeministër dhe një qeveri e përgjegjshme nuk do ishin përthithur në qejfet e veta dhe pushime luksoze, por do të merreshin seriozisht me pandeminë dhe krizën ekonomike. Sot qytetarët kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje konkrete. Për këtë nevojitet urgjentisht një plan i detajuar për përballimin e situatës së pandemisë, ndihmë reale për gjithë familjet në nevojë, për të përballuar krizën ekonomike, si edhe një rrugëzgjidhje për arsimin, në kushtet kur prindërit dhe nxënësit kërkojnë qartësi së çfarë do të bëhet në shtator me shkollat. Koha nuk pret!