Sandër Lleshaj fajëson qytetarët për kaosin në kufi: Të informohen, pastaj të nisen!

244
Sigal

Radhët kilometrike në kufirin shqiptaro-grek që kanë tensionuar situatën e shqiptarëve që duan të hyjnë e të dalin përmes Kakavijës, kanë sjellë edhe reagimin e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lleshaj lë të kuptohet se faji për situatën është i qytetarëve që sipas tij nuk u informuan para se të niseshin.

“Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetareve që të informohen për gjendjen në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë përpara se të ndërmarrin udhëtim drejt tyre, me qëllim që të shmangen sa të jetë e mundur pritjet e gjata në kushtet e temperaturave të larta” shkruan Lleshaj në postimin e tij.

Në fakt, qytetarët u informuan papritur se grekët ndryshuan rregullat e kalimit në kufi prandaj dhe nxituan të kalojnë. Po ashtu, fakti që sportelet janë të mbyllur gjatë natës, e ka bërë akoma më të vështirë kalimin në anën tjetër të kufirit.