Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Takimi i parë

194
Sigal

Erind Kraja përtypej ngadalë dhe duke kthyer herë pas here gotën e verës. Mund të thuhej se ai po drekonte sikur të ishte në rol e të kishte aty pranë ndonjë kamera, që po e xhironte. Gazetarja ishte ajo që ia kish rrëmbyer qetësinë edhe atij. Kishte mjaftuar një shikim i vajzës, që ai të skuqej. Ajo ishte jo thjesht e bukur, e hijshme; ajo buzëqeshte natyrshëm, pa asnjëlloj sforcimi dhe i vështronte bashkëfolësit plot mirësi. Veshja sportive dhe syzet e bënin edhe më tërheqëse. Të vinte ta përqafoje… Në tryezën ku ende po drekonin Bashkia dhe ekipi i TV 7, po flitej që bredhi i famshëm ishte siguruar me shumë mund nga korija private e z. Bedalla*, vetëm e vetëm pasi përgjegjësja e departamentit të blerjeve kishte flirtuar një copë herë me të moshuarin kokëkrisur. Përgjegjësi i ceremonive, z. Miri, dhe dy punonjësit e tjerë të bashkisë, debatuan tani një copë herë në lidhje me transportimin e pemës, sepse njëri thoshte t’i thoshin një shokut të tij, “që ka një kamion”, tjetri mendonte se duhej shpallur një tender. Bredhi vinte pak i rëndë, pa për ta vendosur prapë kishte punë, sadoqë i pari tha sërish se kishte një mik “që kishte një matrapik”, por jo jo, se pa gërmime është më mirë, kundërshtoi tjetri, apo jo z. Miri e, më në fund, ky, bosi i tyre pra, përdori shprehjen “tu pa, tu bo” dhe kërkoi të paguante kuponin dhe e deshi të shkruar thërrimthi, se do ta dorëzonte në llogari…Uf, ç’mërzi! Idlira Mati ngeci edhe njëherë te ai djali që dukej si i huaj, por jo dhe aq i patrazuar; vështronte ndonjëherë këtej. Në tryezën ndanë dritares, dy burrat e ngeshëm, që kishin heshtur një copë herë, filluan të grindeshin sërish. -Po ju hidhni poshtë luftën e lavdishme, heronjtë, dëshmorët… -E e, ishte luftë civile. -Mos more! Po si kështu, apo ju intereson tradhtarëve të Atdheut? -Tradhtarët ishit ju…

Në debat e sipër, njëri nga burrat rrëzoi padashur takëmin e errëzave, që ishte një pajisje plastike dhe kështu, nuk se bëri zhurmë, por vetëm u derdh njëfarësoj në dysheme. Idlira Mati dhe djali që ishte aty për atë porosinë nga larg, papritur u gjendën njëherësh në këmbët e tryezës së politikës; të dy për të ngritur sendin e rrëzuar. Nuk u muar vesh kush e mbajti në duar i pari, por ata u panë një copë herë në sy, kurse koha rendte. Burrat që debatonin as që ua vunë veshin dhe s’e kishin mendjen për ndonjë “faleminderit”; kërleshja e tyre ideologjike vazhdonte. -Ne po e zhvillojmë vendin. Ja, për herë të parë, këtu do të kemi Pemën e Krishtlindjes. -Lale, nëqoftëse vjedhjet quhen zhvillim, unë po mbytem me këtë pikë rakie… -Ua ua, hajdutët jeni ju! Vajza dhe djali u ngritën në të njëjtën kohë, pothuaj u përplasën kokë më kokë. Tani Erind Kraja e pa atë gjë të bukur edhe më nga afër; dhe ndjeu një aromë të këndshme. Ishte diçka prej flokëve dhe qafës dhe jo parfumi i saj. -Më falni! – tha ai. Pastaj, sikur ta kishin rrëzuar ata pipermbajtësen, shtoi zëulët: – Dikush duhet të pastrojë këtu…  -Po. – Idlira Mati pa në sytë e tij hutimin. -Përshëndetje!  Ishte vetëm një fjalë, anipse mjaft e gjatë dhe u deshën vetëm disa pak sekonda për t’u kuptuar që nuk ishte një episod i rëndomtë; ai u ndje i mundur.