Disa nga motivet e këtij shënimi, janë trajtuar (pjesërisht) edhe më parë; nga unë apo nga autorë të tjerë. Fakti që rikthehemi në një temë, tregon se ka ende vend për më shumë vëmendje e seriozitet. Shoh gjithfarë krijues, sidomos të fushës së poezisë, që hidhen andej-këndej e sulen ku të mundin, duke u përpjekur të promovojnë krijimtarinë e tyre në një mënyrë që – nuk po e fsheh – lë për të dëshiruar. Ta kërkosh vëmendjen, kjo është normale; por çështja shtrohet si prezantohesh, me çfarë “pasaporte letrare”, domethënë me ç’arritje… Më duket që radha e krijuesve, e poetëve sidomos dhe, veças, e atyre që bëjnë sikur janë të tillë, ka mbërritur tani në një stad vetëbesimi e vetëmburrjeje, që më shumë se gjithçka, po u bën dëm atyre vetë. Po nisesh të shkosh në një takim, në një promovim, herë këtu e herë atje, me bindjen se po lartëson veten tënde dhe… Letërsinë në tërësi. Por harron që je thjesht një letrar ose një letrare (ja po themi një poet ose një poete) që boton aty-këtu ndonjë vjershë, ndonjë libër; kjo ishte. Nuk ke ende me vete as Mendimin Letrar, as Publikun; ata nuk janë shprehur për ty, nuk të kanë blerë, nuk të njohin. Nëse do t’i kishe ata diku përqark, mund ta ngrije pak “stekën”; nëse jo, rri me këmbë në tokë. (“Mësojmë duke u zbrapsur…” Emili Dickinson). Thelbi i këtij shënimi është të menduarit pak më thellë se qysh mund të përballohet qasja në Publik. Kam shkruar kundër snobizmit dhe s’ dua t’i lejoj vetes as edhe një gërmë aso. Nuk është problem takimi, aktiviteti, vendi ku ai zhvillohet. Mund të ketë gjithnjë një herë të parë; pra, një prezantim. Puna është si (mund të) shfaqesh me ose pa ato arritjet që treguam më lart. Nëse shkon modestisht, duke shpjeguar si vjen në art, çfarë po përpiqesh të sjellësh, e thënë ndryshe… duke kërkuar mbështetje, kjo është mirë; për ty dhe për auditorin. Por nëse merr përsipër të shfaqesh si nuk je, të përfaqësosh gjininë, llojin, artin, një arritje që s’është, atëherë këtu ke shkelur në dërrasë të kalbur. (“Për zemrën është mirë të jetë naive, por jo për mendjen.”Anatol Frans) Në disa takime e promovime, shpërthehet në patetizëm, flitet për arritje të mëdha, për talent, për individualitet; ndërkohë, ato nuk janë. Ka ardhur koha të përballemi me të vërtetën; domethënë t’i drejtohemi Publikut me fjalët e Kritikës Letrare, (nëse ajo është ndalur në krijimtarinë tonë); është koha t’i tregojmë Publikut sa dhe si ia kemi fituar atij zemrën, mendjen; kuletën gjithashtu, pse jo. E kam fjalën sërish e sërish që krijuesit i duhet një “pasaportë letrare”, njëlloj prapavije; përndryshe, grishja për të marrë merita dhe vëmendje, shndërrohet në njëlloj narcizmi.
Po e përmbledh edhe njëherë idenë e këtij shënimi letrar: Hidhe hapin aq sa e ke. Kënaqësia (e përkohshme) e një takimi, e një promovimi, nuk duhet ndarë nga vetpërmbajtja intelektuale, më mirë nga detyrimi profesional; që do të thotë se duhet të shfaqesh aq sa je, ai apo ajo që je; as më shumë e as më pak. Çdo sjellje tjetër – vanitoze, prepotente, diktuese – të largon nga Letërsia dhe të zhyt edhe më keq në diletantizëm. (“Për hiç gjë do t’i zgjoj njerëzit…” Fjodor Dostojevski)





















