Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Kush e di kë kemi përpara!

148
Sigal

Moti i keq po e shëmtonte pamjen. Përtej xhamave të barit, të gjitha ishin bërë gri dhe tundeshin në erë. “Kush e di kë kemi përpara…” Gjithë në atë gri, edhe Idlira Mati i kishte hyrë një meditimi të cilit s’i dihej fundi. “Në fillim, të tërheq pamja… Megjithatë, përpiqesh të lexosh sytë, të kuptosh gjestet, të “përkthesh” ndonjë fjalë tek-tuk. Por ti ke humbur, je dorëzuar. Më shumë se kaq, është një ndjesi që nuk mund të shpjegohet me fjalë, sikur edhe një roman të tërë të shkruash.”  Eh jo, ajo nuk kishte shkuar ende te romani, meqë ish fjala. Më e shumta, tash po mendonte për novelën e parë, që titullohej “Pema e Krishtlindjes”. Kishte filluar t’ia tregonte edhe atij. Ishte ai njeriu i saj? Ai i duhuri? Si mund ta kishte atë, kur kishin ndarë mes vedi vetëm disa orë? Hë, novela… Ai dukej një dëgjues i mirë. Jo? E bënte këtë thjesht për t’i fituar asaj zemrën?  Zilja e celularit e ngriti vajzën nga tryeza. -Po, Lili… -Kohë e papërshtatshme, je në punë? -Hm, nuk jam në Tiranë. Eej! – u duk sikur gazetarja ishte duke folur me dikë që po qante. Ajo e uli zërin. – Qetësohu! -Kur kthehesh ti motra? -Çfarë ka ndodhur? -Ajo që di ti…  Lili ishte mikesha e saj, gjithashtu një Miss; ato ishin njohur gjatë garës. Qe martuar me një biznesmen; të paktën, në dukje aso… Kishte ëndërruar gjithnjë të jetonte në shkëlqim e në pasuri. -Ikë, zemër… Flasim kur të kthehesh.  -Ti më le të lënduar. -Asgjë, asgjë… Po pija një kafe me Lekon dhe zotëria e tij u bë xheloz.  Leko ishte një i njohuri i tyre, operator në një TV. Qenë miqësuar gjatë provave për spektaklin. Kurse “zotëria e tij” ishte “bosi” në fjalë. Burri! Në ç’epokë jetojmë? Idlira Mati po dukej më e brengosur se moti. -Më bëj zë… Lili s’e mbaroi fjalinë; dëgjohej që dëneste. Ishte burri, po. Historia e saj nuk ngjante ajo më e mira. Kamja qe siguruar, tash ata kishin edhe një fëmijë. Por po t’ia dëgjoje ankesat, ca më tepër po të mundje të kuptoje përtej rënkimeve, ajo… hante dru një herë në dy në ditë. Kush e ka sjellë në gjuhë këtë metaforë kaq të ashpër? Sa herë që fliste me të, Matit i bëhej zemra copë. Do ndahem, duhet të ndahem… Por të nesërmen e çdohere, ajo kthehej në folenë e bukur. Këto janë zgjedhje. Asnjëherë nuk e dimë kë kemi përpara. Ndoshta edhe e dimë… U duk sikur nga çasti në çast Idlira Mati do të mbushte sytë me lot. Adi Kraja nuk po kuptonte asgjë; kishte qenë një telefonatë e shurdhët. Vajza me të cilën sapo ishte njohur, po vuante për dikë tjetër. Dhe gjithë ajo bukuri, tash po ndante atje veç trishtim e ftohtësi.  Ajo ishte kthyer në tryezë disi e trazuar; e s’u muar vesh nëse tha “më fal” a diçka tjetër apo vazhdonte me meditimin që kishte ngecur gjithë në të njëjtën fjali: Kush e di kë kemi përpara… -A mund… – djali u zgjat të kapte dorën e saj, si për ta qetësuar, por pastaj mendoi që mund të ishte pa vend – a mund ta di çfarë po ndodh? -Edhe unë do të doja, – tha Mati, duke e parë në sy dhe pa e fshehur dot nënkuptimin e asaj fjalie cfilitëse. Përjashta, era vazhdonte të frynte si një shtrigë e marrë.