Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti: Ti veç më prit …

31
Sigal

 

Në ardhsha prapë, si fryma e një reje,

besoj do vij, se ndryshe s’mund të ndodhë!

Në flokë, përzierë si përkëdhelje ere,

dhe sigurisht, askush s’mund të më shohë…

 

Në ardhsha prapë dy sytë do të t’i pi,

siç i kam pirë, i dehur krejt, atëherë…

Për tek një lumë, e lirë do derdhesh ti,

siç shket një valë e lumtur, nëpër erë.

 

Në ardhsha prapë…i praptë, siç jam unë,

dy buzët- brigje të lagur do t’i kthej…

Aty do zgjohesh si çupkë që bën zhurmë,

që poshtë rrëzon dhe yje edhe qiej.

 

Në ardhsha prapë…ashtu, si fshehtësisht…

-Do vij, do vij, se mallin kam shtrëngatë!

Ti ,veç më prit… siç di… krejt vajzërisht,

se, pa u parë…u bë një kohë mjaft e gjatë…

 Ah,  Ç’ish njëherë!

 Eh, mike e vjetër, leshra verdhë,

ende më pret, të puthet vjeshta?

Ah, ç’ish atëherë, eh, ç’ish njëherë,

kur ëndrra qepnim nëpër vjersha.

 

Ah, moshë e re, krejt e harbuar,

zëra dëshirash, që zbret ylberë!

Ç’t’i bëj një flirti të vonuar,

të, vjen sërish, vjen si atëherë?!

 

Dhe rend, dhe shkon, dhe fluturon

nën qiejt ku rënkon parajsa…

…Zbret flokët, derdh dhe pikturon,

 zëra hyjnish- ëndërra të lashta…

 

Dhe prej kubesh rrëzon ylberë,

me shpirtin lënë mbi frymë përrenjsh.

…Ah, ç’ish atëherë… eh, ç’ish njëherë!

Një ëndërr… si një qeshje djemsh!