Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti: Puhizë adoleshence 

(Letër nga e bija)

E lexova letrën tënde, shumë i dashur, im atë!

NOA

E lexova dhe qesha e shkurdisur, lirshëm fare, pa ndrojtjen dhe frikën e dikurshme, kur ti ngrije gishtin drejtues si shpatë jeniçerësh drejt akrepave llomotitës të orës së murit dhe gërmusheshe: Që tani iu hapet goja për gjumë?! Nesër keni pesë orë mësimi! Pesë, herë dy orë, dhjetë! Pra, iu duhen dhjetë orë studimi të paktën…dhe gishti s’qetësohej asnjëherë përpara se të vendosej sërish situata studimore. Si një kafkë e hershme, ora s’pushonte së llomotituri. Tani unë s’jam më adoleshente! Ndoshta, pak gjurmë të kësaj sëmundjeje moshore, mund të ngrenë krye hera-herës dhe bëjnë sikur rebelohen sërishmi; por tanimë, kjo s’ka më kuptim.Vitet kafshojnë dhe përtypin njëri-tjetrin, duke prodhuar një lloj silazhi, që ka të njëjtën aromë dekompozimi. Kuptim për mua ka ëndërrimi i dikurshëm, kur nofullat hapeshin pa komandë dhe gjumi ishte mrekullia më e madhe e kësaj bote. Sa më flihej, o Zot! Atëherë po! Atëherë ëndërroja sikur nofullat e mia të buta të ishin morseta mekanike, të futja aty atë gishtin tënd sfidues dhe të paskrupullt, ta bluaja mirë e mirë, të dëgjoja zhurmën e mbytur të dhembjes që kafshonte vetveten dhe pastaj, ah, pastaj; ta marinoja me pak kripë dhe rigon mali për ta ngrënë ngadalë, ngadalë siç shijohet një sushi, kur ke uri. Atëherë, s’besoj se do ta quaja kanibalizëm. Kanibalizmi me hakmarrjen, s’kanë asnjë lloj lidhjeje. Kjo nuk është çmenduri moshore. Ashtu siç nuk ishte çmenduri moshore inati drejt skërrmitjes së dhëmbëve të akrepave të sahatit, që çuditërisht ngadalësonin ritmin. Ajo që quhet kohë dhe nuk ekziston asnjëherë si matëse e lëvizjeve, ngadalësonte paturpësisht, nuk ecte, nuk e kishte ritmin e përhershëm, sikur të kurdisej vetëm nga ai gishti yt tregues, që stërgjatej si të ishte një shtyllë që do të gozhdonte Jezu Krishtin e radhës. Ky Jezu Krisht isha unë.Sigurisht, morseta e nofullave hapej e mbyllej vetë, ndoshta edhe nga nxitja instiktive e gishtit urdhërues, drejtuar përherë nga koha e varur në murin e boshtë dhe pa shpirt. Edhe sot çuditem me nocionin e kohës. Kur s’bën asgjë, ajo lëviz; kur djersitesh dhe dy hapa i mbledh në një, ajo sërishmi lëviz po njësoj. Me një trokth të çjerrë, monoton, të pakohë, të pakuptimtë…tallës edhe për sakrificat më të kuptimshme. Jam e bindur, që nëse sot, sërishmi do të jepet mundësia, dhe nën vështrimin e vrenjtur dhe të pakohë, të komandoje orare studimesh, do ta bëje po njëlloj. Me gishtin tregues si akrep sahati, që s’pushon asnjëherë së treguari atje ku duhet të arrish, do ta gdhije edhe vetë qëllimin tënd fisnik, por të pakohë, të etertë, madje të turbullt fare; mjafton që të mbretëronte kanunërimi i arritjes së rezultateve të shkëlqyera. Ende nuk e di. E kishte fajin koha jote e ëndrrave që s’kishin gjetur udhë, apo koha e të gjithëve. Me nocionin koha e të gjithëve, kam parasysh rrëketë e përrenjve të një jete të pakohë, që vërtitej si somnambul dhe s’e dinte kurrë ku do të derdhej, apo diçka më të fisshme, kanunore, që pillej nga sedra prindërore, për të qenë medoemos në rresht të parë. Ndoshta të dyja vegjetonin njëra-tjetrën… Kishte edhe të tjerë si ti. Ca më të mirë, ca edhe më të këqinj. Shumica nuk ishin fare. Për mua këta ishin më të mirët. Moskokëçarës, të butë si dejet e kënetës, sikur jetonin diku tjetër dhe kishin zbritur aty padëshirueshëm… Të gjithë bashkëmoshatarët e mi e kanë hapur nga një udhëzë. Edhe ata; të parët, edhe ata që stepeshin në fund dhe mezi çapiteshin, ndërsa ora sërishmi papagallon ritmin gjoja të ecjes. Akrep sekondash, akrep minutash, akrep orësh… E di, vetëm ti mund të më thuash sërish: Ecja është sfidë! Sërish duke drejtuar gishtin tregues, tani të shtrembëruar nga koha, tek ora e varur në mur, që rrokanis gjithnjë të njëjtin trok, që nga kohët kur u kryqëzuan edhe shenjtët.