Suplementi Pena Shqiptare/  Ilmi Qazimi: “Shuplaka” e xha Dules

352
Sigal

Ishte ora e gjuhës shqipe në klasën e tretë fillore. Kish ardhur për kontroll edhe drejtori i shkollës i cili ishte bir i nderuar i atij fshati dhe qe ulur në bangën e fundit të rreshtit të mesit. Unë, për një vit që punoja aty, njihesha si mësues i kulturuar,  i thjeshtë dhe  komunikues  si me nxënësit ashtu edhe me prindët e tyre. Meqenëse qeshë dashuruar me një vajzë të këtij fshati, banorët më quanin dhëndërr dhe respekti i tyre ndaj meje ishte rritur.  Ngrita në dërrasë të zezë  Shegushen. I bëra pyetjen dhe më pas  ajo duhej të shkruante fjalën ‘gjarpër’. Ajo mori shkumësin dhe zbardhi shkronjat  ‘gjalpër’ ashtu siç shqiptohej në atë fshat, dhe në tërësi në të folurën  shqipe, e bindur se ishte e saktë. I thashë që të shikonte edhe një herë atë që kish shkruar, por nxënësja, edhe pse  e vështroi për të gjetur  ku mund të ishte gabimi, ktheu kokën për të thënë se ashtu shkruhej. Paksa i nxituar dhe disi i inatosur se si mund  që nxënësja , e cila renditej ndër më të mirat e klasës,të mos e kuptonte gabimin  në shkrimin e fjalës së dhënë, iu afrova  dhe tepër i përmbajtur  i them:” Shikoje përsëri , mos ke ndonjë gabim?”Ajo  i hodhi  sytë  në  dërrasë  dhe tha : ”Mirë e kam shkruar, shoku mësues!”  Nuk m’u durua. E qëllova me një shpullë në faqe. Asaj iu përplas koka në dërrasë të zezë. U pendova sakaqë, por … zogu kish fluturuar. Nxënësja e skuqur tani e kish humbur fare torruan dhe as që mund ta gjente  dot gabimin në të shkruar. Bëra një hap prapa dhe desha t’i drejtohem klasës që të ndihmonte Shegushen. Mirëpo, ç’të shoh? Drejtori i shkollës  ish ngritur  rrëmbimthi dhe me  katër hapa të gjata u gjend pranë meje, në dërrasë të zezë dhe e qëlloi Shegushen edhe tre herë të tjera me pëllëmbë. Ajo filloi të lotojë, e drobitur, e shpërfillur dhe e poshtëruar. Ashtu siç mund të ndjejë veten gjithkush në një rast të tillë. Pasi hodhi një vështrim midis urrejtjes e lutjes nga drejtori, pastaj nga unë, kokulur e me një krenari të nëpërkëmbur keqas, bëri të fshinte hundën e gjakosur, u drejtua nga dera siç ishte e skuqur në fytyrë ku mund të dalloheshin lehtë gishtat e pëllëmbës së drejtorit. Doli me shpejtësi dhe nxënësit panë nga dritarja  që  po ecte thuajse me vrap për nga shtëpia e saj. Kush e di se çfarë mendonte tani ajo!? Ne vijuam mësimin,  por unë isha  si më gjemba. U mundova që të shpjegoj  rastin e gabimit në fjalë dhe fillova  mësimin e ri, por kuptohet që s’isha  as në qiell e as në tokë. Në mbarim të orës mësimore  drejtori tha disa fjalë për t’u tërhequr vëmendjen nxënësve që të studjojnë rregullisht, të ngulisin në mendje  mirë që në klasë  mësimin dhe t’u vënë më tepër rëndësi  ushtrimeve gramatikore. Pasi ra zilja dolëm jashtë dhe shkuam në  dhomën e mësuesve. U tregova shokëve ndodhinë. Në këto e sipër dikush trokiti në derë. E hapa unë. Përballë meje ishte 88 -vjeçari Dule, babai i  Shegushes dhe, pa më dhënë dorën, pa bërë asnjë gjest tjetër, duke më parë drejt në sy, shqiptoi pastër këto fjalë : “Po pse, or bir, nuk ishe i zoti ti të rrihje një nxënëse, po vajte kërkove ndihmën e drejtorit të shkollës?”  Shtanga i hutuar. Sytë m’u errën. Sikur më ra tavani mbi kokë. U ndjeva i mekur dhe goja  nuk më hapej. Nuk dija se çfarë  të bëja e ç’të thosha. M’u duk sikur ai, plaku i njohur në tërë fshatin për fisnikërinë e tij, babai i asaj fëmije që e kishte lindur në moshë të vonë, më qëlloi fort me shuplakë…Sakaq afrohet drejtori i shkollës. Ai i kërkoi falje xha Dules disa herë, duke  pranuar gabimin  e tij dhe timin e u mat  të thosh ndonjë fjalë për kujdesin që duhej të tregonte nxënësja, por vështrimi zhbirilues, qortues e paksa shpërfillës i plakut  e mposhti…Drejtori uli kokën. Xha Dulja u kthye për nga dera kryesore, çapiti tutje nëpër oborrin e shkollës dhe ne si të ngrirë, vështronim të heshtur  rëndesën e  hapave të tij ndihmuar nga shkopi në dorën e majtë…Më mbeti gozhdë në shpirt ajo thënie.Kurrë nuk e kam harruar atë ditë të majit 1964 edhe tani që po i afrohem moshës së xha Dules. Ishte  një  mësim  sa  dhjetra leksione për  detyrën e mësuesit dhe  vetë jetën…