I dua shtatorët, i dua, sa ç’desha shtatorin e parë,
sërish aty qesh mësuesi, dikur djalosh-flokëzi
pas vitesh, tani më i pjekur, nga erërat vjeshtore i tharë,
jo më sa atëherë çapkën, i mpakur, i bërë qiri.
I dua shtatorët…i dua, janë qiejt e bukur të dijes.
Parajsash më morën më poqën, si burrë dhanë vlerë.
…është vjeshtë… tej shikoj Diogjenin, gërrmuqur pas hijes,
te mban edhe ndrin nëpër duar me qindra fenerë.
I dua shtatorët, i dua.Dhe vetë mirë e di:-Jam shtator!
Sokrati i vjetër s’më ndahet, te tund nëpër duar një gotë.
Rend stina e ndezur planetit dhe rihet në zjarrin yjor.
Kështu mund të digjet veç vjeshta. E gjitha.Kudo nëpër botë.
Kaq vite. Shtatorësh kam festë e vishem si dhëndër.
Kaq vite.I theva fenerët. E brenda e gjeta njerinë.
Mbi flokë, hi nga vjeshtërat, që digjen, ra ëmbël.
Ndaj vjeshta më mbeti e shenjtë, e mirë për dashurinë.
Më duan shtatorët. Çdo vjeshtë më kthen shtator mua.
Më ndjek Sokrati i ditur, në gotën e lashtë tund helm…
Ndaj rihem në vjeshtë dhe jetës, të bukur çdo ditë ia dua ,
ndaj vishem si dhëndër çdo vjeshtë, kostumin ma qep një ylber…




















