Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti: Atje, në Split… 

73
Sigal

Atje në Split, më priste një Anë tjetër,

Anjushka, tha dikush, duke i qeshur.

Nëntori dridhej butë si një ketër,

dhe malet rreth, me borë kishte veshur.

 

Atje në Split, Anjushka, set gëzofesh,

kish hedhur trupit, dukej si arushkë.

Anjush, Anjush, po ti dhe nëse ftohesh,

më shumë e ndez të kuqen, flakë mbi buzë.

 

Brenda gëzofit hyj, të ngroh pak zëmrën,

duket, i hyj në gji, Parkut Marjan.

Të ëmbël, deti tej, nanurit këngën,

më sheh me sytë e mbretit Dioklecian.

 

Atje në Split, hyra Portës së Artë.

Po s’mund ta dija dot, kurrë sesi,

që do më turbullonte keq, një tjetër Anë;

një çupkë, që rrënjët kish në lashtësi.

 

 

Kohë  abulistësh.

 

U shtriq nëpër çlodhje maçoku,

mustaqe e mjekër bëri sfurk.

Kotelen përzgjodhi nga stoku,

i tha: Ti s’futesh dot në burg!

 

E hoqa mace sojeleshën,

mjaft mjaulliu kot më kot.

U majm, sa bënte Perëndeshën,

edhe harroi që jam unë Zot!

 

U step gjithë tufa pulla-ngjyra.

O Zot! Kjo ministreshë?! Kotelja?!

Kur dhe maçokët në fytyra,

mejkap vendosnin, sa për media…

 

Më e guximshmja mjaullitëse,

e pyeti, Kreun bërë xhind:

Pse kjo reformë kaq shumë tronditëse?

Kotelja foshnjë, tani u lind!

 

Qeshi sa deshi me zë të drittë,

dhe foli Kreu, me zë prej Krishti:

Ju, rrisni thonjtë ditë për ditë,

aq sa iu rritet edhe bishti.

 

Koteles, pak dhe çdo sekondë,

i rri mbi kokë, kur kthetrat nxjerr.

Dhe hera-herës, i pres thonjtë;

ia bëj të mëndafsht dhe nuk më çjerr.

 

Se është një fjalë e lashtë sa bota:

Me thonj, një mace, bëhet xhind!

Dhe, po iu bënë kthetrat të forta,

nuk pyet për gjë.Të çjerr, të grin.

 

O ti, e brishta dashuri!

 

O e brishtë dashuri, përpëlimë luleshqerrash!

Çdo që s’fle, zgjon në heshje një rënkim pranveror?

Shkrin nga lart një ylber, ajkë nuri prej bredhash.

Ndrin që tej krejt e flaktë dhe humbet. Ç’po kërkon?

 

Ti e zjarrta e hershme me rënkime prej vitesh,

ccfarë të humbi ashtu që m’i shtyn ditët tej?

Sheh vetveten kudo, nuk e njeh dhe çuditesh.

Hesht pastaj, në hutim, vëngërron nëpër qiej.

 

Humbi krejt çdo shkëlqim që më ndizej në gji,

ku u tret s’e di kush, bredhat prapë bredhërojnë…

Bie borë dhe fryn erë, vjeshta qesh përsëri.

Vajzat prapë të qelqta, nëpër stinë vajzërojnë.

 

Po s’ka më kaltërim, pylli im po dremit.

Ca ylberë të verbër ndezin muzgje të ftohtë.

O e brishtë dashuri! Mos më ikë! Më prit!

S’ka kuptim, pa pak zjarr, është e akullt kjo botë!