Suplementi Pena Shqiptare/ Sulejman Mato: Ja edhe një poet tjetër magjistar i fjalës

49
Sigal

Kur nisa të shkruaj poezi, gjashtëdhjetë vjet më parë, më ka bërë përshtypje një poezi e Ismail Kadaresë titulluar “Iku koha e poezisë”, ndërkohë unë kam po 60 vjet që shkruaj poezi, i bindur që koha e poezisë nuk mund të iki kurrë, përderisa të ketë poet si Ismail Xhaferi me shokë që i këndojnë jetës, dashurisë, vendlindjes, e mbi të gjitha, poetë që prekin temat aktuale të kohës sonë. Me poezinë e Ismail Xhaferit jam njohur kohët e fundit. Ishte një befasi kur kam lexuar poezinë e parë të tij: “Bëhu një unazë floriri.” E dallon të veçantën e një poeti qoftë dhe me një poezi: Bëhu një unazë floriri, Një unazë e hollë tek gishti, Bëhu zog e shko të ulesh, Përmbi telat e një shpirti! Bëhu hënë e zbrit në muzg, Përmbi shpatin e një mali, Bëhu verë e kuqe flakë, Dehe shpirtin e një djali! Bëhu lule edhe çel, Përmbi ngricë, përmbi dëborë, Bëhu ajër që dikush, Të të mbajë në kraharor! Bëhu mall e bëhu erë, Bëhu një ujëvare me shkumë, Bëhu ëndërr nëpër netë, Që ta lesh dikë pa gjumë! Një poezi ku ngërthen në fare pak vargje ndjesi, lirizëm, figuracion dhe muzikalitet. Ja një poet i vërtetë! – thashë me vete, – Ja një magjistar i fjalës! Ky vend ka lindur shumë poetë dhe do të lindi të tjerë në brezat që vijnë. Gjirokastra në vitin 1936 lindi një Ismail… Ismaili tjetër i poezisë do të lindte tri dekada më vonë. Sot shkruajnë shumë poezi, pjesa më e madhe e tyre duken diej që ndriçojnë, por nuk ngrohin. Pak janë si Ismail Xhaferi, që nuk vargëzojnë, por këndojnë, pak janë ata që u burojnë metaforat rrezëllitëse plot dritë dhe ndjesi njerëzore…. Të paktë janë ata poetë që përdorin një gjuhë imazhesh. Marr një lumë dhe e bëj këngë, Marr një yll dhe e bëj dritë, Marr dy sytë e tu të bukur, i bëj mall e i bëj shpirt. Marr një natë dhe e bëj ëndërr, Marr pak borë e bëj ujëvarë, Marr një zemër që e dua Marr një zemër e ndez zjarr. Marr gishtrinjtë e tu të hollë, Dhe për flokët i bëjnë krehër, Marr ca lule nga bajamja, Dhe ja hedh marsit në prehër. Kur miku im, publicisti i njohur Aleksandër Çipa, pasi më pyeti se çfarë mendimi kisha për poezinë e Ismail Xhaferit dhe a mund të shkruaja një parathënie për librin e tij, unë iu përgjigja pa hezitim. “Është një kënaqësi për mua të them dy fjalë për një poezi të vërtetë të një poeti të vërtetë”, – i thashë unë. Në këtë libër ka rreth 75 poezi, ku për secilën do doja të bëja një koment, duke evidentuar atë që nënvizon nobelisti Ezra Paund: – Imazhi është në vetvete gjuha. Imazhi është fjala përtej gjuhës së formëzuar. “Më jep të pi ca gota mall”, është një ndër poezitë më të bukura të këtij libri. Më jep të pi ca gota mall, Mbledhur diku në Lunxhëri, Ca gota me mall për miqtë që s’kam, Ca gota mall t’i pi për ty! Më jep të pi ca gota mall, Se është e qelqtë kjo zemra ime, Ta pi për miqtë që dikur kisha, Më jep të pi dhe një gotë dhimbje! Më jep të pi një gotë me mall, Ta pi për qejf të shpirtin tim, Oh, do ta pi se s’kam rrugë tjetër, Siç pi dhe hënën një burim! Ca gota mall për nënën time, Që iku larg u fsheh në yje, Ca gota mall për Arben Dukën, Mbledhur diku nëpër Odrie! Autori i këtyre vargjeve ka diçka nga Esenini, për më tepër, Ismaili i Lunxhërisë si poet imazhinist, shkon në gjurmët e poezisë lirike të Ismail Kadaresë. “Imagjinata është vlerë”, – thotë shkrimtari i njohur, Milan Kundera. Këtë ide mund ta ilustroja me një nga poezitë e këtij libri. Pret pranvera të dalë dimri, Me fustan të lehtë të vishet, Pret e pret dhe një fole, Që të kthehen dallandyshet… Në një mbrëmje të bekuar, Për takim një djalë po ngutet, Pret një vajzë në anë të rrugës, Pret qershia që të skuqet. Pret një mal e pret një kreshtë, Që mbi sup t’i ulen retë, Pret një lumë të bjerë shi, Që të mbërrijë më shpejt në det. Nga eksperinca ime e gjatë, kam vënë re që poetët e mirë, ata që arrijnë të quhen ”poetë kombëtarë”, janë të tillë pikërisht se paralel me ndjesitë individuale, prekin dhe tema të mëdha që i përkasin popullit të tyre. Në këtë cilësi poetike spikat dhe poezia e Ismail Xhaferit. Këtë veçanti e shohim te poezia “Baladë për Adem Jasharin”, ku autori me nota epiko-lirike ngre në vargje një përmendore për heroin e Kosovës. Të gjithë malet u përulën, Gjak i kuq çdo gur çdo plis, Se po shkon Adem Jashari, Drejt altarit të lirisë. Sa e panë nëpër beteja, Bubullimat qiejt drodhën, Se po shkon Adem Jashari Që të vdesi për Kosovën. Një cilësi tjetër që i diferencon poetët e vërtetë, nga poetët mesatarë, është dashuria për vendlindjen, një ndjesi e rrallë, e cila përshkon gjithë poezinë e këtij poeti. Në këtë drejtim ai shkon në gjurmat e poezisë popullore e ushqyer nga malli, njerëzit dhe peizazhet e vendlindjes. Në këtë drejtim të duket sikur ai ndjek një amanet të paraardhësit të tij, të madhit Andon Zako Çajupi. Ëndërr larg do të të shpie, Në një kopësht dashurie, Nëpër brigje Lunxhërie, Ku nata ngopet me yje. Do shkojmë në vendlindjen time, Të pimë ujë në burime, Të takojmë ca shokë e shoqe, Të dëgjojmë këngët e zogjve. Në poezinë e Ismail Xhaferit ka shumë Lunxhëri, plot peizazhe, banorë, pleq e plaka që kanë mbetur në fshat, si në kohën e Çajupit dhe të rinj që kanë ikur në emigrim, siç emigroi Çajupi dikur dhe Ismail Xhaferi në ditët tona. Lunxhëria e poetit është plot mall e brengë, por gjithësesi një Lunxhëri ku qielli pikon yje netëve, në pritje të kthimit të djemve dhe vajzave të saj. Së pari fshati u braktis nga të rinjtë, Pastaj ikën prindërit, gjyshërit dhe gjyshet, Ikën buzëqeshjet e trëndafilta të fëmijëve, Të fundit ikën dallëndyshet. Ikën edhe ato pak vajza që kishin mbetur, Sapo vendosën unazë në dorë, Nuk pritën vjeshtën për të bërë dasma, Sepse në fshat nuk kishte më dasmore. Në poezinë e tij si në një pikturë do të gjeni rrugicën e ngushtë, kopshtin dhe muret e shtëpisë, do të gjeni hënën e malit të Çajupit si ftua të pjekur, xixëllonjat e fëminisë dhe shkollën e zhytur në trishtim nga që nuk ka më nxënës, as mësues. Do të gjeni fushën e braktisur që dikur bënte bukë, shpellat mbi fshat, luleshqerrat, gjethet e pemëve, burimet etj. Do gjeni rrapin e moçëm me çezmën pranë dhe hardhinë e vjetër te pragu i portës, që lëshon çdo pranverë lastarë të rinj nga frika se mos vdes. I mblodha të gjitha si një pikturë, Dhe me dhimbje rri i vështroj, Po brengën e ikjes… Ah, brengën si ta pikturoj?! Një dimension tjetër i poezisë së këtij poeti të formuar, është trajtimi me sukses i temave sociale, diçka që nuk e shohim te poetë të këtij brezi. Po mbi të gjitha në këtë libër qëndrojnë lirikat e dashurisë. Ato janë plot mall e brengë, plot bukuri shpirtërore. Ato janë kaq të shumta dhe kaq të ndryshme, sa nuk do mundja të shkëput si të parë ndonjërën prej tyre për të mos u mbetur hartri të tjerave. Sa herë të shoh mendoj me vete, Te je e ngjajshme me një flutur, O zoti ynë u çmendën djemtë, Përse e bëre kaq të bukur?! Nuk ka piktor të të ribëjë, Jo, kjo nuk mund të ndodhi kurrë, Sepse është gati e pamundur, Të vihet ëndrra në pikturë. Në fund të këtyre rreshtave, duke i uruar rrugë të mbarë drejt lexuesit këtij libri të mrekullueshëm poetik, nuk mund të rri pa përmendur dy poezitë lapidare ku autori i ngre himn Gjirokastrës së rinisë, qytetit të gurtë, ku u edukua e prej nga nisi fluturimin për në vise të tjera.