Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj : Delo Isufi – Poeti që i këndom aq bukur dashurisë

502
Sigal

Me poetin Delo Isufi, u njohëm rastësisht. Kishim disa gjëra të përbashkëta, si moshën, gradat e kolonelit në ushtri; unë në trupat tokësore dhe ai në ato ajrore si pilot, ishim juristë dhe mbi të gjitha edhe poetë, ndaj dhe u miqësuam aq shpejt e pa asnjë ceremoni, atje buzë detit, mes një grupi miqsh letrarë. Delua ishte nga ata që të duket se e ke pasur mik prej kohësh, ose që të vjen plasja që nuk e ke pasur të tillë qysh herët. Po të perifrazoja Stendalin, dua të them, fjalët e zonjës de Shasteler, pa frikë për këtë lloj njeriu duhet thënë: “Ti o Delua im i dashur, je një i tanishëm, që kurrë nuk ke qenë i kaluar dhe as do bëhesh i ardhshëm”. Dhe pse i them këto? I them pasi vetë ai sapo u takuam e ka dhënë përgjigjen: “Mua më flisni vetëm për dashuri. Nuk dua të dëgjoj gjë tjetër. Vetëm dashuria është e barabartë me jetën. Ajo nuk më lë të plakem asnjëherë”. Dhe kishte të drejtë, se kaq deshëm gjithësa ishim në tavolinë dhe nisëm nga recitimet rreth kësaj teme që s`është tjetër, veçse rezultantja e të gjitha ndjenjave të bukura që njeriu ka. Ishim relativisht të moshuar, por asqë donim t`ia dinim se mos na dëgjonin të rinjtë rreth e rrotull, e qeshnin me ne. Jeta, pra përvoja, pikërisht këtë na kishte mësuar: se kjo ishte e vetmja, e madhërishmja, hyjnorja që zbukuronte gjithçka; edhe mendimet, edhe sjelljet, edhe karakteret njerëzorë. Dhe mesa duket, ajo në kundërshtim me trupin që duke kaluar vitet nis e vyshket, sa vjen e bëhet më e freskët, më pasionante, më e zjarrtë, më e domosdoshme. Këtë mund ta marrësh si të duash, qoftë edhe në kuptimin e ngatërruar filozofik, por vështirë t`ia gjesh fundin. Ajo që thjeshtazi kuptohet është fakti se duke kaluan koha, njeriu bindet përherë e më shumë se nuk është turp as të dashurosh dhe as të flasësh për të. Madje, askush nuk duhet të ruhet nga paragjykimet, kur duke qenë poet, vazhdon t`i bjerë fyellit të tij magjik, po te dashuria. Kur vitet ikin, dashuria, kujtimet e reminishencat e saj, jo vetëm për poetin, por për këdo, janë një kompensim, një përjetim virtual ngazëllyes që duhet përçuar edhe te të tjerët, ashtu sikurse bën edhe Delo Isufi në të gjithë librat e tij, ku i thurr pareshtur himne dashurisë. Ja këtë pashë edhe unë te librat që më dhuroi: “Tavolinë e rezervuar” viti 2016 dhe  “Vajza e manaferrave” botim i vitit 2019 nga ADA. Këtyre librave, parathënien ua ka shkruar me shumë ngrohtësi e profesionalizëm, shkrimtari i njohur Viron Kona, i cili thekson se “Poezitë lirike janë nga më të spikaturat në krijimtarinë e Delo Isufit. Aty ai shkëlqen me tërë bukurinë e ndjenjave, të fjalës dhe të mendimit, aty frymëzimi i tij hap krahët si zgalemat e lirë në fluturim, që lëvizin në hapësirën qiellore kohë e pa kohë, në kohë me diell e në shtrëngatë, në shi e në dëborë”. Duke lexuar këta libra, nuk ndesh ndonjë princeshë, por një vajzë çobani atje lart në stan, një studente, një shitëseje manaferrash, një fshatare si sorkadhe, një nuse kosovare, çupa vlonjate, një shoqe të bangës, një lozonjare me të cilën momenti e ka takuar në kafene, një mikeshë që martohet, një kaçurrelse, një e huaj nga Uralet, gruaja e tij që mbeti për të përjetësisht e bukur, një piktore në një ekspozitë, një bareshë, një poeteshë indiane, një grua e thinjur që e ruan madhështinë, një vajzë anonime… Jo, shumë vajza anonime. Se ato të gjitha kanë vlerat, virtytet, dëshirat dhe mrekullinë e qënies femër, që dinë të ëndërrojnë, të kenë synime të pastra, të jenë të sinqerta, të qëndrojnë besnike, të frymëzojnë mirësi, të bëhen nëna të përkushtuara. Ai tronditet nga shikimi i dy syve të magjishëm i atyre që i quan mike, dhe e zbraz gjithë atë që ndjen, duke qendisur një poezi. Për të nuk ka rëndësi nëse puna shkon deri këtu. Ai ve në lëvizje fantazinë dhe krijon merrëdhënie shpesh eterike, nga ato që nuk kanë ekzistuar kurrë. Ai shpesh futet në një botë iluzive, por këtu qëndron dhe mrekullia e natyrës qysh kurse e krijoi njeriun. Ai është njëkohësisht trup dhe shpirt. Dhe, kini parasysh se nëqoftëse njerëzit e zakonshëm janë trupa me shpirt, të jeni të sigurt se poetët janë shpritra me trup. Dhe shpirti ka logjikën e tij. Ky është dhe ndryshimi. Ja pse edhe Friedrich Nietzsche thosh se “ka gjëra midis qiellit e tokës mbi të cilat vetëm poetët kanë ëndërruar…” Delo Isufi, duke folur për vajzat pa dallim, shprehet: “Këto vajzat tona, / Dheun zbukurojnë, / Të kënaqin shpirtin, / Si zogj cicërojnë”. Ai, me sytë e mendjes e krijon vajzën ashtu siç e do ai. A nuk ngjau kjo edhe me Eseninin kur shkroi poezinë kushtuar persiankës Shagane? Dhe në imagjinatën e vet, poeti veç joshjes fizike te një femër, nuk harron asnjëherë forcën e shpirtit të saj: “Sytë e tu, pasqyrë e shpirtit, / Ç`vezullim që kanë brenda, / Aty janë gjithë stinët e vitit, / Aty folenë ka dhe Hëna”. Ai edhe kur nuk e ka pranë atë që se heq nga mendja, çmallet kur sheh ndonjë që i ngjan asaj. Dhe ajo nga ana e vet, i vjen papritur nëpër ëndrra, dhe po ashtu edhe largohet, duke bërë që poeti ta kërkojë vend më vend, duke e munduar pyetja “Më thuaj pse erdhe, pse ike vallë?” U kujtohet ajo kënga ruse ku thuhej: “Përse, përse ti përsëri u ktheve, / Përse ma prishe qetësinë?” Kudo brengat e shpirtit njerëzor, shkaktuar nga dashuria dhe zhgënjimet e saj, janë të njëllojta. Por kuptohet se Delo Isufi, e njeh mirë krijimtarinë e gjithë poetëve me zë në botë dhe sidomos ata rusët e pavdekshëm. Shkruan me muzikalitet, duke ju përmbajtur rregullave metrike, përdor rimën e asonancën dhe përherë i mbulon poezitë e tij me një tis krijimtarie popullore. Dhe po të nisesh nga titujt e librave të tjerë, si “Magjia e syve”, “Lulet e zemrës”, “Kur lahet Hëna”, “Ëndërr e grisur” ose edhe novela “Ndjej tek ikën”, kuptohet se ai nuk do t`i ndahet ndonjëherë temës së dashurisë. Dhe këtë ai e deklaron vetë: “E dua dashurinë, më shumë se dashuria, / Ajo nuk ka moshë, është përherë e re, / Ajo është ajri, uji, dielli dhe gjithësia, / Ajo është lulja më e bukur mbi dhe”. Ai e di se koha e poetit ka ardhur atje ku shtrohet pyetja për vitet që ikin: “Nuk e di se sa kanë mbetur, / Andej nga fundi pa u tretur”, por asqë merakoset për këtë. Po shkon i kënaqur nga jeta, madje edhe kërkon që mikja ta presë, se vërtetë po kalojnë katër stinë, por po e takoi atë “Do t`i jap një thes me vjersha”. Ja pse ky burrë sa simpatik aq edhe fisnik, kishte të drejtë, që pa u njohur mirë, thosh: “Më flisni vetëm për dashurinë!”