Suplementi Pena Shqiptare/ Fabula nga Kastriot Hadëri

647
Në teatër 
(Sipas Pëllumb Kullës)
Në sistemin e kaluar 
puthja në skenë qe ndaluar.
Në ca çaste dashurie 
dy aktorët si në hije. 
Regjisori me durim 
do bënte një korrigjim: 
– Jo kaq statik, more djalë, 
bëj sikur e puth në ballë!
Fët aktori u ndez shpuzë: 
– Po sikur ta dojë në buzë?! 
Buzëqeshje e ngrirë 
(Sipas Pëllumb Kullës)
Cjapi cyt bashkëshorten dhi: 
– Cjappërçori faqezi, 
ç’janë dhi te shkalla jonë, 
dikë herët, dikë vonë,
pa përjashtim, ai horr, 
i ka kaluar në dorë! 
– Jo të tëra, cjapi im, 
se njëra bën përjashtim! 
Fët cjapi, sa u gëzua: 
– Cila është, ma trego mua? 
– Ajo me hundën përpjetë, 
leshverdha në kat të tretë! 
Mos denoncimi 
(Sipas Pëllumb Kullës)
Prej province në Tiranë 
dreri hapin seç e mban.
Mikut ia gjeti shtëpinë, 
ai shante qeverinë.
Dreri i gjorë u bë tym:
– Ta zëmë se s’bëj denoncim 
për të gjitha këto fjalë, 
tek ju sa dënohem vallë?! – 
dhe iu ngjethën ata flokë, –
Tek ne paguhet me kokë!
KUNDËRVAJTJE 
(Sipas Pëllumb Kullës)
Kishte pirë një kastor. 
Zoti derr, polic rrugor:
– Veturën nuk e nget mirë! –
i dha gypin, për t’i fryrë. 
– Gypi më jep alergji, 
as për kaq s’më beson ti?! 
– Do t’i frysh a t’i fryj vetë, 
të ngelesh në burg përjetë?! 
REFORMA NË DREJTËSI 
(Sipas Pëllumb Kullës) 
Në pyll hajde ç’drejtësi, 
dhe kur, pikërisht tani!
Akuzuan një sorkadh 
si përdhunues të madh!
Akuzë e aty për atyshme 
mbi dyshime të “arsyeshme”!
“Hyr në burg, – i thanë, – tani! 
Nëse kërkon pafajësi, 
duam vërtetim nga ti; 
po jo me gisht si qëmotit, 
me firmë nga femrat e globit!”
Sigal