Suplementi Pena Shqiptare/ Spase Thanase: Fjongoja e qiellit‘ nga Marash Mirashi….

126
Sigal

Kur përthyhet ngjyra e qiellit në magjinë e dikurshme… !

  • Si në kohët moderne me mite e legjenda, Marash Mirashi–poet thurr si “fjongo në qiell” brengën që pikturon dhimbjen…

NGA  SPASSE    THANASI

Nga pema e vjetër në oborr, “strehon” kujtimet në verandën e pikëllimit me “gjurmët”  mbi pluhurin e fëmijërisë. Nuk vjen lehtë në dëshirat e tij me ngjyrë poeti. Mundimshëm nga “Visaret e dhimbjes” doli në “Britmat e muzgut modern” dhe tani si një vals lumturie derdh një “Fjongo në qiell”…

Marash Mirashi si poet i talentuar i brezit të viteve 1990, si një gazetar i sprovuar në shumë “sfida” jetësore e profesionale, e përthyen rrezen e pritjes dhe brengën në mitologjinë e reve, hap “gracka thellësie” mbi lëkurën e trungut dhe nga emri mbi xham shpërndan fjongo në qiell si makinist i qytetit pa tren. I mjafton të thotë me paqe mbi  ngjyrat: “Jam gjallë!”. Si një filiz i hollë e i brishtë ai ngre një bazoreliev poetik “gdhendur” si monument lirie me titullin e bukur “Fjongo në qiell”. Ccdo varg ka simfoninë e Nënës, tingëllon përhumbur në një lojë të përjetshme me dhimbjen:

“Më vjen përditë Shenjtorja ime:

Nëna ime e dashur

si mjegull ngjyer në qiell…”

E sjell këtë shtatore prej fryme mbi mbretërinë e gjetheve e drurëve, në ajrin sipër çatisë prindërore dhe thërret fort si atëhere muzgjeve të fëmijërisë ku Toka ka lëvizur në tjetër hapësirë:

  • Ah, ju lejlekët e fëmijërisë

           dhe ti, o dritë  e Nënës time

           që ikët kaq shpejt

           e më latë fill:

           mua, që kurrë nuk mësova vjeshtën!….”

Mes shiut e moteve të shkuar, me rrugët e dikurshme në derë të vjetër druri, me një copë qiell si këmishë mes shpatullave ndër vite me grushta yjesh, me lutjet në heshtje në diellin e kujtimeve, me maninë e vjetër në oborrin e fëmijërisë, ku shfaqet marketi i lodrave e tisi i trishtë i fantazisë, me stinën e dhimbjeve dhe mallin për tulipanët, me lojën e lejlekëve në ajër për të mësuar vjeshtën, me erën e qytetit të Lezhës, me statujat në lëvizje përmes qytetit, me malet që flasin me qiellin, me arratinë e Hënës si një vejushë me dritë të zbehtë sikur tjerr trishtimin e qiejve, me akaciet në rrapet e Pukës ku fle shpirti i Marash Palit, me faqe mbi ngjyrat ku piktori cicëron me gjuhë të kafenjtë, me plagë mbi lëkurën e trungut që krijon fjongo në qiellin gri, me emrin mbi xham ku prêt udhëtarët mbi shkëmbinjtë koralorë, endur si makinist i qytetit pa tren mbi mitologjinë e reve që krijon figura të frikshme, poeti Marash Mirashi i del për zot fëshfërimës së lehtë të fijeve të barit  dhe luan si fëmijë me dy  lodra që banojnë në qiell, me balonë  dhe hënë. Njësoj u gëzohet të dyja lodrave, tek rend me këmishë zbërthyer dhe sytë nga qielli :

Ti ke një lodër.

Në qiell

një balonë,

që dridhet në erë.

Ke edhe një hënë

që të ndjek !…

Po shkoj te fëmijëria

të mbush ujë në pusin e oborrit

të pi, moshën time !….

Poezitë  tilla si “Stina e dhimbjes pa Nënën”, “ Loja e Lejlekëve”, “Gruaja e dhunuar”, Qyteti pa librari”, “ Një kalë në shi”,  “Pemë e zhveshur në fushë”,Akaciet në rrapet e Pukës”,  “Arratisja e Hënës”, “Paqe mbi ngjyrat” etj, janë  si  rreze në  shkëmbinjtë kolarë ku poeti  prêt me shpresë baticat e kohrave  dhe në stinën e sytheve krijon një kapotë të vjetër malli si në mitologjinë e reve me frymë gulçuese dhe frymë moderne në vetëtimat e botës. Si poet me dritë, me lule, me shira dhe erë, Marash  Mirashi ngre dhimshëm valsin  e lumturisë dhe të dashurisë duke ëndërruar si i çmendur në lojën e pulëbardhave me mjegull  të kaltër. E quan “Sahara” vjeshtën  e viseve magjike  të lindjes  dhe mundohet të gjejë gjethen e fundit për të luajtur muzikë!… Si mimikë ekzotike qan mbi murin e vjetër dhe ngre strehë  në fushën e paanë. Dhe mendon  gjithnjë i trishtuar : “Bota ka marrë tjetër formë!”…