“Bota ecën me këmbët e mia”
Në ecje e sipër të gjeta ty
as unë as ti ku do vemë s’e dimë.
Kjo e gjitha s’ish rastësia blu,
që e mbulon me mjegull gjithësinë!
Iku dielli, ika dhe unë pas tij,
po tani kush do ta ndriçojë botën?
do të ndezim zemrat, sepse unë e di
shkëlqim si i tyre ç’do të thotë!
Bota ec me vrull me këmbët e mia,
më tepër shpejt, sesa ngadalë,
kush tha se mund të vdesë dashuria
dua ta kem ballëpërballë?
Iku dielli kësaj radhe,
ika dhe unë prej tij,
tani bota është e ndriçuar
veç me dashuri!
Variacion në dy kohë
Të shoh në sy,
dhe vdes aty!
Dimri po vjen,
era po shfryn!
Në arkivol
vjeshta po hyn!
Vjeshtë
Një tufë korbash po zbresin nga lart,
më duket se po sjellin vjeshtën!
Nën krahë shirat ato mbajnë,
që do të nisin nesër!
Një tufë korbash që veç krokasin,
trishtimin e qiellit ia sjellin tokës!
Nga krahët e tyre shirat po dalin,
për të rënë mbi supet e botës!
Një tufë korbash përzier me re,
e sollën vjeshtën që kishte humbur!
Ajo është e bukur sidomos kur vjen,
por edhe kur vdes ajo është e bukur!
Vdekja e fjalëve
Na u mbaruan fjalët,
s’kemi se si t’i flasim njeri-tjetrit!
Unë s’të përqafoj dot si më parë,
dhe as të puth dot unë memeci!
Te ky bar ku ne jemi ulur,
(Tavolina nuk ka asnjë faj!)
Kur të ikë hëna unë do çohem,
të vërtetën do ta them pastaj!
Ne jemi dy lumenj, por pa ujë,
dy Sahara që zgjaten gjer përtej.
Ti kokën më kot e kthen nga unë,
por edhe unë më kot nga ty e kthej!
E prapë heshtja nuk do që të ikë…
ajo jep urdhërat edhe për ne!
Na u mbaruan fjalët, ato vdiqën,
veç ne të dy e dimë përse!
Po bëhen vite që kam vdekur
Po bëhen vite që kam vdekur,
që hapat s’m’i kini dëgjuar,
unë kam ikur ashtu, i heshtur,
ashtu siç jetën kam jetuar!
Unë gabimisht mund të kem ikur,
te kjo lëndinë ku më keni futur,
tani u binda që kur ka lindur
njeriu lufton të jetë i bukur!
E djelë ishte, dasmë kish,
unë s’mund të rrija atje i vdekur
paçka se këpucët e mia shkëlqenin
dhe kostumin asnjëherë s’e kisha veshur.
I pashë të më mbajnë përmbi sup
edhe ata që s’më kishin dashur
dhe dhimbja brenda meje humbi
edhe urrejtja që mund të kem pasur!
Po bëhen vite që kam vdekur,
me duar ju kam përqafuar ,
me sy çdo ditë ju kam prekur,
kush tha që s’jam i dashuruar?!
-ISHËRVE TË MI-
Tre shokët
Mora vesh që edhe sot më keni sharë,
e keni ndotur edhe ajrin jashtë!
O Zot, po juve jeni pak, tepër pak,
megjithë karriget mezi bëheni gjashtë!
Edhe dielli iku, u fut pas reve,
që mos dëgjonte ato që për mua thatë!
O Zot, po juve jeni pak, tepër pak,
me gjithë tavolinën mezi bëheni shtatë!
Ishim shokë si gishtat e një dore.
Edhe hënën për juve e rrëzoja vetë!
O Zot, po juve jeni pak, tepër pak,
shto dhe urrejtjen, mezi bëheni tetë!
Mora vesh se sot më keni sharë,
siç keni bërë kështu edhe dje!
O Zot, po ju jeni për të qarë,
ndaj për secilin prej jush
më vjen keq!
Nuk mund të jetosh dy herë
Do ta kërkojmë edhe këtë moshë,
ajo tani ka ikur.
S’ka për t’u kthyer më andej nga erdhi,
ne jemi dy mbrëmje, dritat na janë fikur
dhe nuk mund ta njohim njeri tjetrin!!
Është një habi e madhe kjo që ndodh me ne,
sikur të jemi 100 vjeçarë e ndoshta më shumë…
Nuk mund të gjesh dot në tërë këtë planet
dashuri siç bën ti edhe unë!
Kjo është mbrëmje jo si të tjerat
dhe nuk e di ku do më shpjerë
Ai që jetën na i ka dhënë,
s’mund të na i japë atë dy herë!
Ne të gjithë kemi mbrëmje si kjo
që fare kot na ka ikur!
Prandaj duhet të duhemi më shumë,
ti ndezim ato drita që na janë fikur!
Çuditërisht
Ne thithim ajër,
pijmë ajër,
nxjerrë nga fryma
e njeri-tjetrit!
Ndaj duhet të quhemi
“të dashur”,
Jo unë e ti,
por gjithë njerëzit!
Lindëm nga puthje
që nuk i pamë,
(Puthjet i japin jetë
planetit!)
Ne thithim ajër,
pijmë ajër,
dhe prapë nga fryma
e njeri-tjetrit!
Jemi të lidhur
me meridianë,
(Të lirë janë
vetëm të vdekurit!)
Dhe thithim ajër
pijmë ajër,
dhe veç nga fryma
e njeri-tjetrit!
Në një mënyrë ose në një tjetër
Në një mënyrë ose në një tjetër
unë do të të bëj që të më duash,
e përse duhet ta jetosh këtë jetë
kur dashuri nuk mund t’i thuash?
Në një mënyrë ose në një tjetër
bota do të mbërrijë atje ku është nisur,
njeriu do të bëhet gjithnjë e më i egër
do të urrejë ditën që ka lindur!
Në një mënyrë ose në një tjetër
do pëlqesh shpellat, o njeri,
unë jam me një Perëndi që e kam zemër
i ngrys netët me të edhe i gdhij!
Dhe ju them që s’kemi gabuar
as ti me mua, as unë me ty
në një mënyrë ose në një tjetër
në shpirtin tënd unë do të hyj!
Nesër
Nesër ti do të qash
Kur të jesh vetëm.
Unë do të jem ajo
mjegulla e bardhë te dritarja!
Për të folur me ty
duhet me patjetër
të thyej, të paktën tre-katër xhama!
Dua të të mbuloj ty të gjithën,
që të mos të afrohet asnjë tjetër.
Botën e tërë ne e çuditëm
dhe s’jemi as të rinj, as të vjetër!
Nesër t’i do të qash
kur të jesh vetëm,
dhe unë s’të dhashë aq dashuri sa duhet!
Jetojmë në një planet
ku ende nuk kemi gjetur.
Të ngrihet ndonjë monument
vetëm për puthjet!
Ikën dritat dhe u bë terr
Ikën dritat edhe u bë terr!
Si të t’i gjej sytë!?S’di se si!
Dorën time një tjetër dorë e merr,
dhe e shtrëngon atë, por jo si ti!
Ikën dritat dhe brenda u bë natë.
Si të t’i gjej ty flokët!?S’di se si!
Më mbeti në ajër dora ime e djathtë,
e shtrirë drejt teje si një dashuri!
Ikën dritat dhe ne u ngatërruam,
të tjera duam, të tjera po na kapin!
Një vals po pret tani për të filluar,
me të shëmtuarat po nxjerrim inatin!
PassASSËORDI
Ky është passëordi im,
që s’e hap dot asnjë,
me asnjë çelës!
Atje brenda rri fshehur
si një mister,
emri yt
që është vazhdim i zemrës!
Atë emër vetëm unë e di,
se më jep të drejtën
të ec edhe më tej!
Brenda passëordit
si në një burg intim,
Sa herë që më duhesh
unë të gjej!
Ky është passëordi im,
ku emri yt rri me kyç
e nuk bën zë!
Ndodh ndonjëherë
që gjërat më të shenjta,
i mbajmë mbyllur
që mos i shohë asnjë!
Unë dhe vetmia ime
Ngandonjëherë edhe unë kam faj,
me vetminë time jam përplasur!
Ajo ikën edhe kthehet prapë pastaj,
duke sjellë me vete edhe parkun!
Ai vjen tek unë gjithë vjeshtë,
me gjithë gjethet që bien nga lart.
Ai vjen tek unë me gjithë pemë,
me gjithë erën që flet pak përçart!
Ai vjen tek unë me gjithë ata që qeshin,
dhe me gjithë ata që qajnë pa kuptim!
Unë i shmangem atyre dhe bisedoj me pemët,
dhe qëndroj me to gjer në përqafim!
Ndonjëherë edhe unë jam fajtor,
e marr vetminë time, e çoj ku s’do ajo!
Qenka jo e lehtë që të gjesh një park,
aq më tepër një vetmi që të jetë si kjo!
O ZOT më trembin këta memerë
Zoti të solli ty në këtë botë,
që ti të më sjellësh mua!
Çdo mëngjes që lind është i errët,
pa u prekur nga duart e tua!
Të janë shtrembëruar gishtat,
aq sa nuk i fut dot në unazë.
Ti ke pasur duart më të bukura,
kur ke qenë vajzë!
E dashur nënë!
Tani që s’të kam,
më duhesh më shumë.
Lermë dy fjalë të të them,
ato s’janë fjalë, ato janë unë,
dhe unë nuk di se ç’më dhemb!
Se nuk kam ardhur ka kohë tek ti,
s’të kam sjellë lule!
S’të kam ndezur qirinj,
O Zot më trembin këta mermerë,
nga sipër të bardhë,
nga brenda të zinj!
E shtrenjta nënë,
unë jam bërë një djalë i keq,
mund të të thyhem në dorë si qelq!





















