Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Romani “Polakja” i Xhevat Mustafës

46
Sigal

Dhimbja për fatin e keq të grave të huaja

Të pafundme janë krimet e regjimit komunist ndaj popullit të tij, por njollë e madhe turpi do të mbetet për të, barbaria ndaj atyre vajzave të huaja që duke iu bindur ndjenjave të pastra të moshës rinore, dashuruan dhe lidhën jetën me djemtë shqiptarë dhe erdhën ta ndërtonin folenë e tyre familjare në vendin tonë. Sa drama kanë përjetuar ato fatkeqe që lanë atdheun e tyre, familjen, pra nënën, babanë, vëllezërit, motrat, shoqet dhe kujtimet e fëmijërisë dhe nisën nga e para një jetë tjetër plot të panjohura, plot privacione dhe pa asnjë perspektivë. As që e kishin menduar ndojëherë se kampi socialist do përçahej dhe pasojat e saj do t`i vuanin edhe ato, edhe burrat e tyre, edhe fëmijët e shtrenjtë. Ishin të sinqerta e të papërziera me pisllëqet e politikës, besnike ndaj bashkëshortëve, korrekte ndaj njerëzve të tjerë dhe as që kishin dashur t`ia dinin për punë të ndyra e të fshehta. Ndaj dhe u befasuan e u tronditën kur i detyruan të ndahen dhe të largohen të akuzuara si spiune. Disa prej tyre u burgosën e internuan, apo ndoqën burrat e tyre burgjeve, me kokën ulur, me trasta ndër duar, me hijen e dyshimit mbi supe, nën zgërdhirjen dhe poshtrimin e policëve shpirtkazmë. Ka qenë një penë e fuqishme që dinte t`i përshkruante gjenialisht dhimbjet dhe vuajtjet e femrës, ashtu siç edhe kishte ndodhur në të vërtetë. Ai quhej Stefan Zëeig (Cvajg), dhe ishte autori i romaneve monumentale “Maria Stjuart” dhe “Maria Antuaneta”, ku i ndikuar nga teoria shkencore e psikanalizës së Frojdit, i ngriti simfoni shpirtit të plagosur e delikat të gruas së dënuar padrejtësisht, por ai nuk është më, se ka mbyllur sytë qysh në 22 shkurt të vitit 1942. Por kjo nuk do të thotë që shkrimtarët e sotëm të heshtin e të mbyllin sytë, thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Ai pohimi i Petrarkës se “Qëndroj në kufirin e dy epokave, shoh njëherazi nga e kaluara dhe e ardhmja”, natyrisht që do t`i ndjekë nga pas të gjithë shkrimtarët. Por ndofta më shumë se kujtdo, kjo detyrë u bije shkrimtarëve shqiptarë, pasi ata jo vetëm kanë qenë edhe dëshmitarë okularë të atyre ngjarjeve, por edhe se ajo që ngjau në Shqipëri nuk ka të krahasuar me asnjë vend tjetër, sado mizor që të ketë qenë ai. Ja se çfarë më ndodhi ca kohë më parë, kur regjisorja e shquar bullgare Adela, teksa përgatitej për të realizuar filmin e saj dokumentar kushtuar këtyre grave, erdhi të më takonte, pasi i respektuari Ylli Pepo i kishte thënë se kisha shkruar për to librat “Lotët e zambakut” dhe “Pushkatimi”. Adela donte të bisedonte gojarisht me to, por kur ua tregova dëshirën e saj mikeshave të mia ruse, ato nuk pranuan të flisnin. E kuptova që edhe pse diktatura ishte përmbysur dhe kishte ardhur demokracia, pra liria e fjalës, ato ende ishin aq të trembura dhe të frikësuara sa nuk u kishte dalë e keqja. Ende u dukej se dikush i përgjonte e do t`i spiunonte. Ende shihnin ëndrra me intriga sigurimi dhe u bëhej se do t`i arrestonin. Se këtu te ne, edhe sot e kësaj dite hija e Enver Hoxhës kërcënon. Ndaj dhe më gëzoi fakti që miku im, gazetari i njohur Xhevat Mustafa më dhuroi romanin e tij “Polakja”, botim i EMAL, ku kishte trajtuar pikërisht këtë temë. Por akoma më shumë u kënaqa kur pashë se Xhevati e kishte shkruar këtë roman, jo vetëm me kulture, por edhe me shumë ndjenjë. Nga faqja në faqe përsëritet në trajta të tjera historia e “Romeos dhe Zhuljetës” ku tragjedia merr përmasat e ndeshjes me forcat e errëta të shoqërisë së kohës, të cilat në misionin e tyre djallëzor, duan të pengojnë me çdo kusht ecurinë e personalitetit të lirë të qytetarëve. Por në Shqipërinë tonë, kjo luftë, jo vetëm ishte e pabarabartë, por dhe gati e pamundur, pasi sistemi që ishte instaluar, me egërsinë e tij të pashembullt, e shtypte dhunshëm dhe fare lehtësisht individin. E ç`mund të bënin ish studentët e viteve 50 – të në Poloni, Andoni e Jani, që kishin, i pari të dashurën Anna dhe djalin, Feliksin në Gdansk dhe i dyti gruan e tij Jadëika në Durrës, e cila kishte mbaruar konservatorin për muzikë? Në të gjithë shtrirjen e tij, libri i përmbahet linjës paralele midis këtyre dy grave, ku të dyja kalojnë brenga të mëdha; Anna ato shpirtëroret, të shkaktuara nga dashuria, kurse Jadëiga edhe truporet, pasi këtu ndeshet me kriminelë të pushtetshëm si epshori prepotent Qemal Hanxhari, i cili kishte arritur një post aq të rëndësishëm, të cilin e shfrytëzonte sipas tekave të veta, për të mos thënë, ashtu sikurse e kërkonte e ashtuquajtura armë e sigurimit që vriste e priste si t`ia kishte qejfi. Burgosja e saj dhe e të shoqit, pa bërë asgjë, veç duke parë punën e tyre, torturat, shantazhet e presionet e bëra ndaj kësaj gruaje, që kur e pa për herë të parë shoku i Janit, Andoni, e quajti “mbretëreshë përrallash” dhe që përherë magjepsej pas muzikës së romantikut Frederik Shopen, është pjesë e një tragjedia të madhe. Ajo ishte treguar dinjitoze karshi kërkesave shtazarake të Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme dhe ai tani po hakmerrej pa asnjë keqardhje ndaj saj. Kthimi i saj në Poloni, lajmi i vdekjes së Janit, na jepen nëpërmjet një narracioni të thjeshtë, dhe me shumë emocion. Edhe pse ka një shpirt të butë, ajo di ta zotërojë veten; derdh lot, por dhe di të arsyetojë. Jo më kot i bëhet se i shoqi nga fotografia e ditës së martesës i thoshte të kishte besim se “Vuajtjet e ferrit i përjetuam në tokë, prandaj meritojmë mrekullitë, gëzimet dhe lumturinë e parajsës në qiell.” Dhe ja sesi e ndryshon një sonatë e vetme gjendjen e saj shpirtërore: “Nëpër tingujt e saj shpreheshin të qeshura gazmore dhe ofshama dashurie nga djem e vajza, nëpër livadhe apo në degët e pemëve; përplasje flatrash nga zogjtë në fluturim, të dehur nga liria dhe lumturia; blegërima qengjash, që nuk ngopen nga qumështi i gjinjve amësorë dhe nga aroma dhe vesa e barit; kuaj që fluturojnë në një fushë të pafund dhe thirrjet luftarake të kalorësve mbi ta; gurgullima ujërash të lumenjve malorë…” Po Anna, ç`bën? Ajo jeton jetën e saj me Marekun, por edhe me ankthin e mëkatit. Djalin e ka me një inxhinier detar shqiptar që vërtetë është shumë larg dhe ka krijuar familjen e tij, por që nuk i hiqet nga sytë. A s`kishte thënë dikush se “Ndonëse njerëzit shtiren se udhëhiqen në jetë prej arsyes, në të vërtetë udhëhiqen prej ndjenjës”? Pandeh se do ta çlirojë shpirtin duke u rrëfyer te Padre Johanes, por është e kotë. Motra nga babai, Ana (me një n) që nga Durrësi ku është avokate, e gjen mënyrën të lidhet me Feliksin. Dhe këtu lufta psikologjike nuk i ndahet Annës. Xhevat Mustafa na e ka dhënë lidhjen Anna – Andon, në mënyrë provokuese: ai ka zgjedhur për studentin 22 vjeçar të Akademisë së Flotës Tregtare një grua të martuar dhe jo një vajzë, nga të cilat Polonia kishte sa të doje. Këtu qëndron e veçanta. Jeta ka të papriturat e saj dhe sytë të mbesin atje ku nuk ta pret mendja. Le që Anna, ajo që me endje lexonte “Ana Kareninën” e Tolstoit, ishte nga ato femra që njeriu do të dëshironte ose të mos e kishte parë kurrë, ose ta kishte pranë gjithë jetën. Ajo nuk jepet lehtë. Por e rrëmben pasioni, ashtu sikurse rrëmben edhe burrin e saj herë pas here. Por dashuria e ndaluar e ka një çmim. Edhe Andoni nga ana e tij mundohet nga kujtimet e së shkuarës dhe nevoja për ta ruajtur sekretin. Për ta ruajtur deri ditën kur e pa se po ndahej nga jeta. Edhe ai ka nevojë të rrëfehet. Ndaj atë ia beson të bijës, me amanetin që ta gjejë gjysmëvëllanë e saj. Autori, duke ndjekur me skrupulozitet gjithë zhvillimet kronologjike, sociale, politike, propagandistike, ekonomike, mendësore e kalon Shqipërinë në revistë me besnikëri të jashtëzakonshme. Duke mos ju shmangur kësaj rruge, ai mbërrin deri te rrëzimi i komunizmit dhe ardhja e demokracisë. Ardhje që pasohet nga ardhja në Shqipëri e Jadëigës që donte të vizitonte varrin e të shoqit për të vënë një tufë me lule dhe që tmerrohet kur e çojnë në hotel, në hollin e të cilit gjen Qemal Hanxharin, që kapardisej përsëri, pasi djemtë e tij ishin aty pronarë. O Zot, përsëri këta? Vendos ta vrasë, por kur sheh se ai me dashuri përqafon mbesën e vogël që i thotë: “Gjyshi im! Unë të dua shumë! Ti je gjyshi më i mirë në botë!” heq dorë nga ky mendim. Asaj i sillen ndër mend ato sonatat e famshme që zbusnin edhe egërsirat, përveç njerëzve si Qemali. Dhe drejtohet andej nga deti, duke menduar se ai mizori qe shkaku që ajo mbeti pa fëmijë. Por dhe i vjen keq për njerëzit e thjeshtë; se Qemali nuk duhej të ishte i vetmi që kishte ditur ta dridhte. Sido që zoti e kishte ndëshkuar duke i marrë djalin, trafikant droge, babanë e asaj vajzës engjëllore, mbesës së atij përbindëshit të dikurshëm. Duke qenë roman, personazhet dhe ngjarjet leksen e pleksen shpesh mes tyre, por autori, tashmë me mjaft përvojë në romanet e mëparshme “Zë i prerë” dhe “Mëkatet e vetmisë”, ka ditur t`i ndërthurë me shumë korrektësi dhe harmoni. Falë kësaj, shpesh të bëhet se je duke parë një shfaqje të këndshme teatrore, por edhe duke lexuar historinë e vërtetë të vendit tonë në mbi gjysmë shekulli. Histori që duhet kujtuar gjithmonë, pasi jo vetëm na ngatërroi dhe na bëri të vuajmë ne shqiptarët, por edhe i shtriu tentakulat e ligësisë deri te disa vajza të huaja e të pafajshme, të cilave ua shkatërroi jetën. Atyre vajzave që ashtu sikurse bën në këtë roman tejet të arrirë, shkrimtari Xhevat Mustafa, jo vetëm duhen kujtuar, por dhe duhen nderuar, madje edhe duke u kërkuar falje.