Suplementi pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Petraq Kote, shkrimtari që na i sjell të gjalla baladat

371
Sigal

 

                 (Rreth tregimit “Ngjarje ndër Muzakë”)

 

Si rregull, çdo shkrimtar nuk i shmanget tendencës në veprën artistike, pasi me anën e saj ai kërkon ta shpjerë lexuesin në një përfundim të qartë. Por gjatë rrugëtimit krijues, ai nuk dikton, ndaj dhe nuk përjashtohet që t`i largohet disi qëndrimit të ngurtë dhe ta lërë lexuesin që të fluturojë i lirë në qiellin e fantazisë. Ai edhe vetë e ka lirinë e trillimit, prandaj nuk ka frikë se mos e qortojnë për mungesë vërtetësie. E ka këtë liri edhe kur tema e tij është marrë nga historitë e ndodhura. Ai nuk flet si historian, ndaj edhe mund të mos e vrasë shumë mendjen për ndonjë pasaktësi kronologjike, hapësinore, apo pjesëmarrësish në to. Ai nga hiçi mund të krijojë personazhe nga më të çuditëshmit. Mund t`u japë ngjarjeve zgjidhjen që i pëlqen atij, por edhe mund ta çojë atë përtej të vërtetës. Por edhe mund të lërë boshllëqe, për mbushjen e të cilave lexuesi është në të drejtën e tij të mendojë si të dojë. Në letërsi jemi në art dhe në art vendos talenti i autorit.

E bëra këtë tiradë të shkurtër si hyrje, kur vendosa të them dy fjalë për tregimin “Ngjarje ndër Muzakë” të autorit të afirmuar Petraq Kote. Zakonisht, kritika merr në analizë tërë përmbajtjen e një libri. Por mendoj se kur bëhet fjalë për gjininë e tregimit, është më e volitshme të ndalesh te njëri prej tyre, pasi mund të ndodhë që t`u kalosh përcitazi të gjithave nëse i trajton në bllok. Tema e tregimit të sipërcituar, vjen nga një kohë e largët. Si e tillë, autorit i është dashur të operojë me ato që trashëgima gojore ka sjellë deri në ditët tona. Kumtin, ndofta skeletor, ai e ka veshur si ka dashur vetë, duke vënë në shërbim të saj kulturën e tij të gjerë dhe sidomos talentin e padiskutueshëm. Petraq Kote është nga ata që ka nisur të shkruajë letërsi, pasi ka kaluar ndër duar krijimtarinë e shumë e shumë shkrimtarëve të huaj dhe shqiptarë. Ai e di mirë se tani kurrkush nuk do t`i kërkojë llogari për ndonjë hije gjatë përshkrimit, hije që ai e ka lënë qëllimshëm, vetëm e vetëm që të ndriçojë ajo që ai kërkon të përcjellë te ne; koha. Nëqoftë se ne me të drejtë ankohemi se për të shkuarën e largët, jo çdo gjë e kemi të shkruar, mendoni se sa vështirësi paraqet për një shkrimtar data 26 dhjetor i vitit 1111, që shënon ditën që ai përshkruan. Iliria, pavarësisht fatit të keq historik, kishte përballuar depërtimin sllav dhe e raskapitur nga luftërat bullgaro – bizantine të shekullit IX – XI – të, kishte marrë pamjen e një shteti të konsoliduar me emrin Arbëri, ku po forcoheshin oborret e familjeve feudale të ngjashme me ato evropiane. Këto familje, sipas zakoneve princërore, për të fuqizuar aleancat, lidheshin me krushqira mes tyre. Ndaj dhe disa burra me pamje e zakone kreshnikësh, nga fisi i Arianitëve të Dibrës, kishin ardhur te Muzakajt e Myzeqesë për të kërkuar dorën e vajzës së tyre Maries, ende e pa rritur mirë, për Gjergjin. Autori shprehet se “Malet po lidheshin me fushën e parë të Ilirisë”. Mirëpo te këta kishte ndodhur diçka tronditëse; ishte gjetur i vetë vrarë dhe i mbytur në pusin e lajthishës, djali i shtëpisë Dhimitri. E kishin nxjerrë me litar, i kishin futur më mill shpatën që kishte lënë mbi kapak dhe nga e cila kishin arritur t`ja gjenin trupin dhe të mbledhur rreth tij, nuk nxirrte askush, burrë apo grua, lot. Për më tepër, më plaku i fisit, flokëgjatë dhe i thinjur komplet, nga ata që sikurse shkruan autori “Bënte vaki të binte briri i luftës, në çast do të nisej përballë saj”, solemnisht thotë: “Të nderoj trimërinë, nip! Të pështyj burrërinë, nip!” Dhe shton që t`i bëheshin të gjitha nderet, veç pa prift e pa zë dhe trupi t`i digjej. Po ç`kishte bërë i ziu? Kishte dashur Noradën e Matrëngajve dhe meqënëse ajo nuk i qe përgjigjur kësaj dashurie, kishte vrarë të gjitha femrat që i kishin dalë përpara. Dhe ja, në një situatë të tillë, ja behën miqtë e largët, trima të çartur që edhe të huajt u këndonin: “Ju lavdin e kini vet, / Shkoni grindi me rrufetë!” Dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë, tamam si nëpër legjenda, apo më mirë si nëpër ato gostitë që përshkruan Homeri, miqtë priten me gjithë të mirat.

Therren deshët, derdhet lumë vera, nga ajo e vjetra, e trasha si gjaku dhe e kuqe si ai, dhe nis kënga e vallja që s`dinin të pushonin. Shëndetet pasojnë njëri – tjetrin: “Gëzuar Krishtlindjet! Shëndeti i oxhakut të madh të Muzakëve, me fund!” Dhe kur ai i vogli që shërbente, Urani, zbret në qilar për të mbushur enën e drurtë te buti i verës, habitet kur një trup i pajetë i bije ndër këmbë. Ishta halla e tij, Katerina, motra e vogël e Maries. Një zot e di se ç`kishte ndodhur me të, por jo Petraq Kote. U thirr Gjeraqina nga Berati, se edhe për të urdhri i plakës së Madhe Milaja ishte që “T`i bëhen të gjitha nderet, veç pa prift. Me zë, po!” Miqtë qenë larguar herët, me premtimin që do e bisedonin aty nga pranvera punën e kërkesës së dorës së vajzës për Gjergjin, ndaj zëri i gruas së famshme nga Berati që thirrej si në gëzime edhe në morte, buçiti: “Njëra shkon në gaz, / Tjetra në Jadhimë. / Oh, këto mënxyra, / Shpirtin na e grinë. / Marie e bukur, / Po të del një thinjë. / Qaj dhe mos e qaj, / Motrën Katerinë. / Yllëz ne e kishim, / Ti si shkrepëtimë. / Katerinë përse, / Ngule prapë zinë?! / Vellon përgatitnim, / Ti vure qefinë! / Eh, zakoni ynë! / Hëngre Arbërinë…” E trishtueshme, apo jo? Ka ca Shqipëri këtu, paçka se nuk na sqaron dot askush përse ngjau kështu. Po kjo nuk është asgjë para pohimit se “Luftëtarët e vdekur, luftojnë përkrah të gjallëve në Shqipëri”. Njësoj si në ato poezitë liriko – epike që i quajmë ballada dhe i kemi ndeshur në periudhën e romantizmit në Angli, Skoci e Gjermani apo edhe te Ismail Kadareja ynë. Ndërsa Katerina e pajetë ishte veshur si nuse, pra atë mëngjes që autori e përshkruan gri si ngjyra e reve tomorrane, si vetë trupi i asaj të shkretës, në oborrin e Matrëngëve dëgjohej kuisja e qenit dhe vaji i grave. Burrat e shtëpisë ishin të helmuar. I mundonte dhe pyetja: “Përse?” Ajo pyetje që na mundon edhe neve si lexues, por edhe si qytetarë. Kjo është e tëra, por s`duhet harruar se autori për ta bërë sa më joshës tregimin, përdor mjete artistike të larmishme. Madje ai edhe krijon fjalë të reja, kryesisht të përngjitura që ja shtojnë vlerën narracionit si: vapëderdhëse, vjeshta e manastiroste këtë pronë, copëzbaltë, shëmti e vetbërë krimshëm, ftomëharresë, malnjeriu muzakas (për takijen), pavendpërdorur, muzakgjalli, hijoste, gëzimtarët, shëndetngritjet etj. Dhe për të dalë atje ku e nisa; mos vallë është më mirë kështu, pra një tregim me ndonjë boshllëk, ku na jepet mundësia për t`u vënë në mendime. Por edhe për të kujtuar rrugën se nga erdhëm dhe për të mos harruar thënien e Volterit se s`duhet të mbesim njerëz që nuk mendojmë më thellë se një fakt. Ky besoj që ka qenë dhe qëllimi i të shkruarit të këtij tregimi kaq të bukur nga ana e Petraq Kotes, një shkrimtari me shumë vlera dhe një njeriu dinjitoz.