Gratë naftëtare në grevë urie, Vasili: Ku janë ministret dhe deputetet llafazane dhe dënglaxhije?

290
Sigal

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili e ka quajtur rrëqethëse futjen në grevë urie të grave naftëtare.

Vasili thotë se gratë ministre bëjnë sikur mbrojnë të drejtat e grave pro tashmë asnjëra prej tyre nuk reagon për ato që kanë punuar gjithë jetë në naftë.

Ai shton se qeveria nuk i ka marrë detyrimet kompanive që kanë përdorur uzinën duke ia bërë dhuratë për t’i korruptuar.

“Gratë naftëtare janë ngujuar në një grevë urie të pa precedent në Ballsh. Pra grat janë në grevë urie.

Vetëm ky fakt do të rrëqethte këdo njeri normal dhe ka rrëqethur tërë Shqipërinë pasi grat punëtore dhe nëna njëherazi ndodhen në grevë urie thjesht dhe vetëm për diçka. Për djersën e ballit të tyre e cila ju është grabitur, ju është vjedhur, ju është plaçkitur në sytë e një qeverie hajdutësh.

Një tufë grash ministre dhe deputete, llafazane dhe dënglaxhije, që bëjnë sikur çerrin gjoksin për gratë, për barazinë e tyre, për të drejtat, ju a kanë vënë tapën në gojë hajdutëria e qeverisë dhe asnjëra prej këtyre grave ministre e deputete nuk guxojnë të hapin gojën për nënat, motrat punëtore të robtuara gjithë jetën që punojnë në naftat në një punë shumë të vështirë e që ndodhen në grevë urie.

Një turp e një faqe e zezë.

Përse janë në grevë urie naftëtaret, e naftëtarët ditë më parë dhe qindra familje në Ballsh që kanë punuar e kërkojnë djersën e ballit? Për disa milionë euro.

Vetëm për disa milionë euro që ju takojnë, që ju përkasin. Po në të njëjtën uzinë ku qeveria e kusarëve nuk ju ka marr detyrimet prej 60 milion euro kompanive që kanë përdorur uzinën, të cilat i kanë përvetësuar dhe i anë futur në xhep 60 milion euro. Dhuratë e korrupsionit dhe hajdutërisë qeveritare, e lek për të paguar pagat e ligjshme të punëtorëve nuk ka.

Pra nuk ka qeveria se qeveria vetëm vjedh. E njëjta qeveri që paguan 10 milion euro për incenerator që nuk punojnë në Fier edhe në Tiranë. Për koncension që shkon 370 milionë euro, paguajnë për incerenatorë miliona që nuk punojnë, nuk ekzistojnë. Sot është një ditë shumë kritike për Shqipërinë.

SPAK-u i famshëm ka ditë të tëra që nuk ndihet, ndërkohë që hajdutët dhe hajdutëria me inceneratorët është atje në mes të sheshit, e shohin të tërë, edhe qytetari më i fundit e di. Sot SPAK-u është në provë, ndan përfundimisht bashkëfajësinë dhe bashkë hajdutërinë me qeverisë, ose do të hetojë e do t’i çojë përpara drejtësisë ata.

Ne po mbajmë shënim çdo ditë të kaluar që SPAK-u mbyll gojën, SPAK-u nuk lëviz gishtin, do të thotë ortakëri me hajdutërinë, do të thotë bashkëfajësi, do të thotë bashkëpërgjegjësi, për të cilën do duhet të përgjigjet njëlloj si qeveria.

Hajdutët e kanë kryer hajdutërinë e tyre, detyrën për t’i hetuar, për t’i çuar përpara drejtësisë e ka SPAK-u. Një provë e hekurt, e pakapërcyeshme: ose me hajdutët e me krimin, ose me ligjin. Rrugë të mesme nuk ka.

Ne, dhe bashkë me ne 2 milionë e 800 mijë shqiptarë po vëzhgojnë, sepse u janë grabitur miliona. Po vëzhgojnë edhe naftëtarët të cilët janë në grevë urie, e nuk u jepet djersa e ballit.

Të gjitha janë në një vëzhgim të rreptë, të hekurt, e për të cilin nuk do të falin as qeverinë, por absolutisht nuk do të falin as ata që janë ngarkuar të bëjnë drejtësinë, por mbyllin sytë dhe larg qoftë shuka e parave të qelbura të tyre, të ketë depërtuar edhe në zyrat e këtyre njerëzve që duhet të japin drejtësi. Koha nuk pret, koha është tani! Ju faleminderit të gjithëve!”, shprehet Vasili.