Ishte hera e parë që Vironi dilte jashtë shtetit. Por edhe atje në Zvicër, nuk kishte shkuar për qejf. Madje, thuajse ishte ilegal. Pasi kishte zbritur nga ajo anija e stërmbushur me qindra e qindra hallexhinj si ai dhe kishte ikur nga ai kampi ku i kishin grumbulluar fillimisht në Brindisi, kishte prerë një biletë dhe drejt e në Zyrih. Këtu shpresonte të gjente ndonjë nga të njohurit e tij, por s`qe e thënë. Një kosovar që e takoi rastësisht dhe që e strehoi nja tri net në apartamentin ku kishte familjen e tij, i tha që do të bënte mirë sikur të shkonte në Dubendorf, ku mundësitë për punë ishin më të mëdha. Pastaj, duke parë e duke bërë. Dubendorfi nuk ishte larg Zyrihut. I hipi trenit dhe pas nja pesëmbëdhjetë minutave arriti. Këtu, nuk vonoi të rregullohet disi në një punishte druri. Ditët e para fjeti në një hotel të lirë, por pastaj e pa se nuk i dilej dhe nisi të kërkonte ndonjë dhomë me qira. Por edhe këtu qiraja ishte shumë e lartë. Teksa endej nëpër qytet, pas një kopshti i zuri syri një barakë dhe vendosi t`i hidhte një sy. Kur u fut brenda saj, pa që aty nuk ishte aq keq. Mesa dukej, i zoti i shtëpisë aty pranë, e përdorte për vegla dhe grumbullimin e atyre pak prodhimeve që merrte nga kopshti. Ta provoj një herë tha, se nuk humbas gjë. Verë ishte dhe ai në darkë, pasi hëngri diçka, ashtu si fshehtazi hyri në atë barakën për të cilën askush nuk i kërkonte të paguante ndonjë frangë. Kishte aty ca vjetërsira të palosura, me të cilat shtroi e u mbulua keq e keq, dhe pasi shkoi ndërmend Vlorën e tij, familjen, vuajtjet e varfërinë pas burgosjes së babait dhe atë rrugëtimin me anije plot rreziqe, e zuri gjumi. Pa gdhirë mirë, vendosi gjithçka në vendin e vet dhe doli prej aty. Ndaloi tek ai klubi ku pinte kafenë zakonisht dhe drejt e në punë. Do kursente dhe do mblidhte ca para për t`ua dërguar atyre të shtëpisë, se i kishte lënë trokë. Edhe ato pak që kishte marrë me vete, borxh ja kishte dhënë komshiu i tij. Si mbaroi punë dhe u sorollat një copë herë të mirë gjersa u err, përsëri u drejtua për te baraka. Kur hyri brenda saj, u çudit kur pa një enë të emaluar nga ato me kate që andej nga vendi i tij i quanin sefertas. Sefertasi, me tre të ndara shkëlqente nga pastërtia dhe lëshonte një aromë të mirë. Dukej që ishte plot, por Vironi duke menduar se e kishte lënë për hesapin e vet i zoti i shtëpisë, nuk e preku me dorë. Si kaluan nja dy orë dhe askush nuk po dukej, ai pa ç`pa dhe si tha “Dreq u bëftë!” mori lugën që ishte vendosur mbi të, e hoqi kapakun dhe nisi të hajë ato dy a tre gjellë që kishin futur. Kur vajti të bënte gati vendin për të fjetur, i zuri syri një dyshek sfungjeri, dy batanije, një jastëk dhe çarçafë. Nuk qenka përrallë Hirushja – tha me vete. E kuptoi se dikush duhej ta kishte parë që ai qe strehuar aty dhe kishte dashur ta ndihmonte mesa mundej. Të nesërmen në darkë, po kjo punë: sefertasi plot, një panine e mbështjellë dhe një shishe plastike me lëng frutash. U pa kjo punë tha, po si nuk më jep të njohur i zoti i shtëpisë. Se kush tjetër veç atij do e bënte këtë? Nga ana e tij, ai nuk kishte sesi ta takonte, pasi natën vinte e natën ngrihej. Po kureshtar ishte ama. Të paktën ta falenderonte për atë që bënte për të. Kjo histori vazhdoi nja tre muaj dhe ai që i sillte ushqimin mbeti që mbeti i panjohur për të. Një ditë rastisi që atje në punishte erdhi si punëtor edhe një burrë nga Durrësi. U miqësua shpejt me të dhe ai i tha të shkonte te banesa e tij ku jetonte i vetëm. Nuk ke pse paguan, i tha ai, se për mua njësoj është.Por Vironi, tani e kishte kapur disi veten dhe pranoi me kusht që pagesën e qirasë ta ndanin përgjysmë. Edhe me gjuhën gjermane, ai kishte përparuar mirë, kështu që pronari ndërhyri tek autoritetet dhe e pajisën me dokumente provizore. Vërtetë bëri ca para, por mendjen atje e kishte, në Vlorë. Fëmijët dhe gruaja i dilnin në ëndërr. S`kishte rrugë tjetër; duhej të kthehej. Dhe ashtu bëri. Ndërkohë në Shqipëri disa gjëra kishin nisur të ndryshonin.Po ndaheshin dhe disa prona, kështu që vëllai i tij ishte interesuar dhe u kishin kthyer një vilë me gjithë truall në breg të detit që dikur e kishin pasur gjyshërit e tyre. Dhe si e pleqëruan, vendosën që atë ta shndërronin në hotel. Po ashtu, blenë me letrat me vlerë që përfituan nga burgosja e të atit edhe një anije të vogël peshkimi. Nuk kaloi shumë dhe gjendja e tyre ekonomike u përmirësua ndjeshëm. Vëllezërit ishin njerëz mjaft punëtorë. Por edhe të ndershëm. Vironit shpesh i kujtohej ai sefertasi dhe ai i panjohuri, atje në Dubendorf që i qe gjendur në ato ditët e vështira. I kishte mbetur merak, jo vetëm që nuk e kishte njohur, por edhe pse nuk kishte mundur ta falenderonte. T`i shprehte mirënjohjen për sa kishte bërë për të kur ai ishte në vështirësi të madhe.Ndaj pas disa vitesh, vendosi të shkonte një herë në Zvicër dhe ta takonte bamirësin e tij. Mori dhe gruan me vete, se tani po shkonte si zotni. Pastaj edhe për viza nuk kishin më nevojë. Natën e parë u akomoduan në një nga hotelet më të mira të Zyrihut. Pasi vizituan qytetin, të nesërmen morën një taksi dhe drejt e tek ajo shtëpia përballë barakës. Vironi, shtypi citofonin dhe u dëgjua një zë burri. “Kush jeni? “Vironi pa u menduar shumë ia ktheu: “Ai nevojtari i barakës së dikurshme. Kam ardhur nga larg të të takoj”.Burri që hapi derën, ishte aty te të shtatëdhjetat. Kur pa dhe një zonjë, kërkoi falje që zbriti me bizhama, ashtu siç ishte. U takua përzemërsisht me ta dhe i ftoi të ngjiteshin lart. Pasi u tha të rehatoheshin, shkoi dhe veshi kostumin. Dhe hyri në dhomë së bashku me të shoqen. Ajo ishte një grua e mbajtur mirë që kuptohej se dikur kishte qenë shumë e pashme, me flokët e bardha dhe shumë e përzemërt. U takuan si miq të vjetër edhe me të dhe pastaj filluan bisedën, ku Vironi i tregoi gjithçka për veten e tij. Në fund e pyeti: “Ku e dije se unë isha strehuar te baraka jote?” “Që ditën e parë të pashë nga dritarja. – foli zvicerani – E mendova si për vete. Nuk vjen tjetri pa pasur një hall të madh… Unë jam fetar dhe mundohem të bëj mirë, pa u dukur. Zoti le ta dijë. Është ai që ta shpërblen të mirën. Dhe më shumë se unë, ishte Tereza ajo” “Që m`i ndërronte dhe çarçafët një herë në javë” – plotësoi Vironi duke qeshur. “Edhe unë erdha që t`u shpreh mirënjohjen time, ty dhe gruas tënde. Por edhe t`u ftoj që të vini për nja dy javë në vendin tim. Kam bindjen se do të mbeteni të kënaqur. Gjithçka e keni nga unë; biletat e avionit, hotelin, ushqimin dhe udhëtimet që do të bëjmë. Kjo është edhe dëshira e sime shoqeje. Vetëm kështu, unë do të jem i qetë. Prandaj, mos ma prishni”. Dhe ata pranuan. Pas nja dy ditësh, të katërt morën avionin nga aeroporti i Zyrihut me një fluturim direkt për Rinas. Këtu i priti vëllai i Vironit dhe drejt e në Vlorë. Të afërmit e Vironit, ku ishin e ku s`ishin, nuk dinin si t`i nderonin. I thërrisnin për dreka e darka apo edhe vetëm për një kafe. E ku nuk i shpunë për vizita; në Sarandë, Butrint, Berat, Durrës, Tiranë, Shkodër, Pogradec, Korçë etj. dhe ata që më parë, thuajse nuk dinin asgjë për Shqipërinë, një darkë, teksa pinin nga një birrë në Kuzum Baba, i thanë Vironit: “Po ju qenkeni këtu më bukur se në Zvicër”!






















