Demir Korita: Jeta dhe veprimtaria e Selfo Allka-Dukaj si kuadër, publiçist e studiues

(NË 85 VJETORIN E LINDJES)

Nga Demir Korita

Sigal

Selfua i takon atij brezi të pas çlirimit që u vunë në krye të punëve për zhvillimin, progresin dhe  përparimin e vendit. Me vullnetin e tij arriti të përfundoj dy shkolla të mesme, tekniken dhe ekonomiken Më vonë ka kryer edhe arsimin e lartë pa shkëputje nga puna, duke u bërë gradualisht pjesë e strukturave të administratës së kohës. Ndërkohë ai shfaqi dhe talentin si publicist e shkrimtar duke shkruar hera-herës në shtypin e kohës, po ashtu u bë edhe një studiues i historisë së trevës së Tepelenës e deri në Fier.

“Ata që përpiqen të bëjnë diçka dhe humbasin, janë më të mirë

se ata, që rastësisht bëjnë diçka, pa u munduar!” Mark Tuen

Familja dhe edukimi patriotik:

Selfo Allkaj, është me prejardhje nga një familje të thjeshtë, patriote dhe e  nderuar nga Dukaj.  Më 21 shkurt 1941, prindërit e tij ndjenë gëzimin e pa përshkuar kur erdhi në jetë djali i parë, Selfua, duke iu dhënë shpresa për zgjerimin e  mëtejshëm të familjes së tyre të shumëvuajtur. Teksa po gëzonin ardhjen në jetë të fëmijëve të tjerë ata u ndodhën përball pushtimit ushtarak të Shqipërisë dhe vendosjes kudo të administratës ushtarake dhe fashistizimit të vendit, të cilën Dinua dhe bashkëshortja e tij i’u bashkuan zemërimit të popullit shqiptar për dhunimin e sovranitetit të vendit nga një fuqi ushtarake e madhe. Ndaj të dy prindërit i’u bashkuan thirrjes për bashkim në Frontin Antifashist të vendimeve historike të Konferencës së  Pezës më 16 shtator 1942, për të luftuar kundër  fashizmit italian, e më pas nazizmit gjermanë. Ata mbështetën formimin e këshillit antifashist të fshatit. Dinua u bë pjesë e çetës dhe batalionit të  parë territorialë të zonës duke kundërshtuar edhe thirrjet e disa veglave të fashizmit që përpiqeshin të mashtronin popullin fukara me një thasë misër, kur kriza e urisë kishte arritur kulmin në çdo familje të varfër fshatare. Babai i tij Dinua u rreshtua me armë në dorë në batalionin territorial dhe mori pjesë në disa beteja luftimi të përgjakshëm si ajo për çlirimin e qytetit të Tepelenës.  Edukimi dhe arsimimi:

Çlirimi i vendit Selfon e gjeti në moshë të mitur rreth 4 vjeç mes vuajtjeve e shkatërrimeve nga lufta. Në vatrën e shtëpisë së tij Selfua u rrit, u  edukua dhe mëkua me traditat më të mira të familjes dhe krahinës së Labërisë, të cilat e brumosën dhe e kalitën atë me dashurinë për atdheun, për popullin patriot, për dëshmorët dhe heronjtë e rënë për liri e çlirim kombëtar. Kur arriti në moshën 7 vjeç kreu shkollën fillore në vendlindje, ndërsa shkollën 7-vjeçare e kishte mjaftë larg në qytetin e Tepelenës. Por me dëshirën e zjarrtë për dije në moshën 11 vjeçare me vullnet e sakrificë të jashtëzakonshme përballoi dimrin e egër, të ftohtit dhe stuhinë e dëborës së bashku me verën e nxehtë. Çdo ditë kryente vajtje ardhje rreth 20 km rrugë, bashkë me një moshatarin e tij për tre vite në shkollën 7-vjeçare në Tepelenë. Edhe pse në kushte mjaftë të vështira Selfua  doli midis  nxënësve me përparim mbi mesatar. (Sot është mjaftë e vështirë të perceptohen vështirësitë dhe vullneti i nxënësve të asaj kohe). Më pas përfitoi një bursë në shkollën e Rezervave të Punës në “Qytetin Stalin”, sot Kuçovë në degën mekanik për industrinë e naftës, e cila kishte filial edhe në Patos. Pasi përfundoi kursin mbrojti kategorinë e katërt dhe u emërua në ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës në Patos si mekanik, profesion me të cilin u “dashurua” shumë. Por nuk mbeti me kaq! Me vullnet të fortë ai vazhdoi shkollën e mesme mekanike pa shkëputje nga puna dhe u diplomua Teknik i Mesëm Mekanik. Ndërkohë Selfua vazhdoi dhe përfundoi edhe shkollën e mesme ekonomike në Fier. I kompletuar në këto nivele me arsimim profesional Selfua u bë një punonjës i zoti, që më pas për aftësi profesionale e organizative kaloi në pozicione drejtuese në ndërmarrje. Në vitin 1959 thirret për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Dega Ushtarake Fier e çoi në repartin special (Brigjata 92-81) pranë “Varrit të Bamit” Tiranë, së bashku me 33 djem fierak. Për aftësitë e tij si ushtar shembullor, Ministria e Mbrojtjes e komandon në funksionin e sekretarit të Komitetit Rinisë Brigadës që në organikë ishte oficer. Pas ushtrisë, përsëri Selfua rikthehet me punë në industrinë e naftës në Patos dhe nisi rrugën si kuadër që do të udhëhiqej nga parimet e kohës: “Të punojmë ku ka nevojë Atdheu”. Gjatë viteve në punë ka kryer detyra kuadri në sektorë të rëndësishëm brenda industrisë së naftës. Pas disa vitesh u transferua si kuadër në rrethin e Tepelenës. Më vonë u transferua në Drejtorin e Përgjithshme të Ndërtimit të Hekurudhave me qendër në Elbasan dhe më pas kthehet në qytetin e Fierit, me detyrë në ndërmarrjen tregtarë, siç quhej NTSH, etj, ku u shqua për përkushtimin, ndershmërinë  dhe  korrektësinë në kryerjen e detyrave.

Selfua me shokët më të afërt. Nga e majta, Demir Korita, Miti Nito, Selfo Allka, Nuredin Qato.

Veprimtaria e Selfos në organizatat patriotike -shoqërore: Me daljen në pension Selfua nuk e ndërpreu veprimtarin e tij shoqërore. Në vitin 2005 deri 2009 ka kryer detyrën e kryetarit të Shoqatës Kulturore Atdhetare “LABERIA” dega Fier. Ndërkohë u rreshtua në armatën e pasardhësve në Organizatën e Familjeve të Dëshmorëve të atdheut dhe Organizatën e Veteranëve të LANÇ Fier. Në të dyja këto  organizatat ka qenë i zgjedhur në forumet drejtuese, në atë të nënkryetarit të komitetit, dhe konferenca e vitit 2007 e zgjodhi sekretar të Komitetit të Veteranëve të rrethit Fier.  Ndërkohë Selfua ka ushqyer gjithmonë një pasion të veçantë për publicistiken dhe historinë. Gjatë periudhës 35 vjeçare  ka shkruar e botuar gjithsej 10 libra, kryesisht gjatë viteve në pension. Tematika e përmbajtjes së tyre është e gjerë, subjekti është marrë nga jeta reale. Ato janë të mbushura me ngjarje, kujtime, mbresa, tregime, impresione, përjetime, por brenda tyre gjen edhe jetën tragjike e varfërinë ekstreme që ka përjetuar trungu i tij familjar, përfshirë dhe jetën në adoleshencën tij.  Vlerësime nga institucionet  shtetërore e shoqërore: Komuna Qendër e Tepelenës  e ka nderuar me titullin ”Qytetar Nderi”. Bashkia Fier e ka  vlerësuar me  “Certifikatë Mirënjohje”. Lidhja ndërkombëtare e poetëve, shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” ALBANIA i ka akorduar titullin “Anëtar Nderi”. Organizata Kombëtare  e Familjeve të Dëshmoreve të Atdheut e ka vlerësuar me  titullin: “Nderi i Organizatës Kombëtarë  të Dëshmorëve të Atdheut”