(Nuk më vjen ta besoj, por është fakt se shkrimtarëve ende u përmendet një shprehje e vjetër, sipas së cilës ata qenkan më të gatshëm me dashtë edhe gjarprin, sesa njëri-tjetrin. Por nuk mungon as kundrahelmi.)
Eqrem BASHA: Janë të rrallë ata që shkruajnë prozë e që u ngritën bashkë me kërkesat e sotme. Zija Çela, pa dyshim, është i pari në këtë mes që duhet dalluar; dy romanet e tij “Gjaku i dallëndyshes” (1990) dhe “Gjysma e Xhokondës” (1992) shënuan kthesën më kualitative në prozën shqipe.
Te “Gjaku i dallëndyshes” është krijuar një kronikë shqiptare me një lojë të jashtzakonshme të krimit dhe misterit, krenarisë, sedrës, psikologjisë së shqiptarit, e thurur me mjeshtërinë e prozatorit të racës, i cili di të krijojë pamje dhe të ndërtojë personazhe, çfarë pak e ndeshim në prozën shqiptare në përgjithësi.
Kam një rekomandim këmbëngulës, lexojeni Çelën. Shqiptarët kanë Garcia Markesin e tyre.
Bajram KARABOLLI: Kur lexoj Zija Çelën, apo për këtë autor, më del përpara Ernesto Sabato.
Zija Çela është Ernesto Sabato yni.
Sami MILLOSHI: Unë mendoj se Zija Çela nuk ka të dytë si shkrimtar sa i takon dashurisë që kanë lexuesit për veprën e tij dhe për autorin personalisht. Nuk është e lehtë ta krijojë shkrimtari këtë marrëdhënie. Por ai e ka krijuar dhe kështu ka me qenë sa kohë njerëzit do të lexojnë libra.
Nuk ndodh me të gjithë natyrisht, por Zija Çela e ka krijuar se është midis lexuesve si i barabarti mes të barabartëve, me të vetmin ndryshim: ka një qiri në dorë dhe u bën DRITË…






















