Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Bum – bum kaput!

50
Sigal

Në gushtin e vitit 1943, leskoviqarët kishin arsye të plota të ishin të frikësuar nga egërsia e pushtuesve gjermanë, pasi atyre nuk u ishte fashitur ende ajo ndjenja e hakmarrjes, pas goditjes që u bënë partizanët, atje tek ai shkëmbi i Barmashit m`u në buzë të xhadesë. Jehona e barbarisë së tyre ndaj banorëve të pafajshëm të Borovës, ku nuk kishin kursyer as gratë e as fëmijët e porsalindur, endej kërcënuese rreth atyre dy rrapeve shekullore në qendër të qytetit, përmbi çatitë me rrasa guri, tek ato rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku po të mos e kishte mendjen mund të pengoheshe e të thyeje kokën e deri atje në fund të qytetit, ku rridhte pa pushuar kurrë ai uji akull i ftohtë që dramatikisht ndodhej m’u te një objekt kulti, që sipas rastit, herë kishte shërbyer si kishë e herë si xhami, gjersa andartët grekë e quajtën Kisha me Konizmë e Paraklis, që përfaqësonte shën Ilian e Majës së Melesinit, pranë kalasë së trimit Zylyftar Poda, dhe që tani njerëzit të lodhur e quanin thjesht Kroi i Rrëzës. Leskoviku i atyre viteve nuk ndryshonte shumë nga ky i sotmi dhe sidomos ajo fusha ku ushtria gjermane u vendos, ka mbetur po ajo. Ndër vite e vite, ndofta dhe ndër shekuj, aty e ngrinin fushimin të gjithë pushtuesit, gjersa italianët ndërtuan ca si kazerma, të cilat i dhanë atij vendi pamjen e një reparti të rregullt ushtarak. Kishte atje fjetore, mencë e klasa, të cilat rrethonin një fushë që përdorej si për rreshtime, ashtu dhe për ndonjë veprimtari sportive e sidomos për të luajtur futboll. Në ditë të tilla, djemtë e vegjël, ashtu si me drojë, afroheshin për të parë ndonjë ndeshje. Po fëmijët si fëmijët; nuk e vrisnin shumë mendjen dhe sa herë dikush do të shënonte ndonjë gol, bërtisnin me sa kishin në kokë dhe përplasnin fuqishëm duart. Si kaluan nja dy muaj edhe gjermanët sikur u mësuan me fëmijët. U mësuan edhe emrat dhe i çonin për ndonjë shërbim të vogël. Ja kështu u njoh edhe i biri i xha Njaziut, Lutfiu njëmbëdhjetë vjeçar me togerin Zigfrid Hofman. Ky ishte një burrë i gjatë dhe mjaft i pashëm. Kishte ca vetulla të trasha e mustaqe të zeza dhe dy sy të shkëlqyer, ku dallohej një shikim i butë. Këtë portret të këndshëm, nuk e prishte as një shenjë plage në faqen e majtë, si duket e trashëguar qysh nga çapkënllëqet e viteve të fëmijërisë. Po ta mendoje hollë, pa tjetër që vetiu të vinte pyetja: po ky ç`do këtu? Në të vërtetë, ai kishte studiuar në universitetin e vendlindjes së tij, në Lajpsig dhe ishte titulluar inxhinier elektrik, por kur kishte filluar lufta, e kishin mobilizuar në ushtrinë e Rajhut, ku shërbente si ndërlidhës. Edhe këtu, drejtonte pikën e ndërlidhjes dhe kishte në vartësi nja shtatë a tetë ushtarë specialistë. Dhe ishin po këta ushtarë, ata që e kishin njohur Lutfiun me togerin Zigfrid. Dhe ja sesi kishte ndodhur. Kishte ardhur vjeshta dhe babai i Lutfiut, xha Njaziu vazhdonte si përherë punët e tij arave e vreshtave andej nga Përroi. Rrushi ishte pjekur dhe ai pasi mbushte kofinët me korithin e kuq që ta bënte me sy, i ngarkonte në mushkë dhe pastaj Lutfiu i shpinte në oborrin e shtëpisë, ku nëneja dhe vajza tjetër, Myneveri, i shkarkonin dhe i fusnin në ca fuçi të mëdha, ku do fermentoheshin për të nxjerrë si çdo vit, rakinë dhe verën. Duke e mbajtur mushkën përdore, Lutfiu në një kryqëzim rrugësh këmbësore, u ndesh me katër ushtarë gjermanë. U tha “mirdita”, dhe ata duke u treguar miqësor me të, i thanë me shenja që të priste pak sa të vendosnin edhe ata çantat e tyre në kocaqet e samarit të mushkës. Ashtu bënë dhe vazhduan rrugën deri në qytet. Gjermanët flisnin në gjuhën e tyre, si duket bënin shaka me njëri – tjetrin, dhe asnjë kokërr rrushi nuk prekën me dorë. Kur mbërritën atje te ai sheshi me bar i repartit, ndaluan dhe ushtarët morën çantat e tyre. Ndërkohë, doli nga zyra togeri me mustaqe dhe ata pasi i raportuan diçka, u kthyen nga Lutfiu si për t`i thënë eprorit se nuk u lodhëm, pasi gjetëm këtë djalin që na ndihmoi. Togeri ja bëri me dorë dhe kur Lutfiu i shkoi pranë, e pa me vëmendje dhe i fërkoi flokët. Edhe Lutfiut nga ana e tij, i shkoi mendja t`i thosh, po me shenja që të merrte ndonjë bistak rrush. Togeri e mori një të tillë dhe i dha të kuptojë djalit që ta ndiqte pas deri te zyra e tij. Djaloshi u zu pak ngushtë, pasi dyshonte se mos togeri e dinte që vëllai i tij Petriti që kishte kohë që kishte dalë partizan, kishte marrë pjesë në atë goditjen që i bënë autokolonës gjermane, ditën e parë kur shkelën në Shqipëri. Se edhe Leskoviku s`ishte pa gjë; e kishte një spiun të rrezikshëm që i informonte gjermanët për gjithçka. Zigfridi hapi sirtarin e një dollapi të vjetër dhe nxorri një pako me galeta. Ja zgjati Lutfiut dhe ky si me drojë e me turp i mori. Zigfridi e hapi pakon, mori një galetë dhe ja dha Lutfiut, duke i lënë të kuptojë që të tjerat t`i merrte me vete. Duke ngrënë galetën e shijshme dhe të shkrifët, Lutfiu vështronte rreth e rrotull asaj zyre dhe u çudit kur pa disa kafshë të vogla si iriqë, bretkoca, gjarpërinj, zhapikë e hardhuca, dhe insekte, që i kishte mbledhur e sistemuar togeri. Ky i fundit e pikasi habinë e djalit dhe u mundua t`i shpjegonte se ai ishte koleksionist dhe po të mundte ose po të gjente ndonjë të tillë, t`ja sillte atij. Kur shkoi në shtëpi së bashku me kofinët me rrush dhe mushkën, dhe u dha nënesë dhe të motrës nga një galetë, ato të shqetësuara e pyetën se ku i kishte gjetur. Ai ua tregoi fije për pe sesi kishte ndodhur dhe e ëma e turbulluar e pyeti: “Po ta marrë vesh për Petritin, e di se ç`na gjen të gjithëve?” “Nuk ishte si të tjerët ai – ja ktheu serbes i biri – ai s`ka ardhur të vrasë njeri, po për të mbledhur breshka e hardhuca. Dhe ushtarët e tij janë ndrysh nga të tjerët.” “Na more, mos u duk më andej, kupton, se do na marrësh më qafë!” iu hakërrye e motra. Por Lutfiu sikur t`i kishin thënë të kundërtën; gjej e mblidh tyrli fare soj kafshësh të pazararshme që në ato anë kishte sa të doje dhe ja shpinte togerit. Zuri të vinte dhe ndonjë leqe dhe një ditë kapi dhe një lepur të vogël që ai e quante pegun. Zigfridi u gëzua shumë dhe si shpërblim i jepte ndonjë koromane që ishte një bukë e zezë po shumë e mirë për ushtarët. Dhe Lutfiu ja çonte nënesë. Ajo nga ana e saj i shpinte Zigfridit me të birin ndonjë vezë të freskët nga ato të pulave të qymezit të saj. Xha Njaziu me vete thosh “S`i po venë këto punë kështu. Mos ka ndonjë hile këtu, ngaqë Petriti është me batalionin partisan?” Por dhe ky merak u shua, kur mësoi nga i biri se një ditë Zigfridi i kishte treguar një fotografi, ku kishin dalë e ëma, gruaja dhe djali i tij dhe me sytë gjithë lot i kishte shpjeguar se ata ishin vrarë atje në Laipcig. “Bum – bum kaput!” më tha baba, për kokën tënde. Dhe qante togeri, duke hapur krahët si aeroplan.” E kuptoi xha Njaziu se togerit gjerman, Lutfiu i nxirrte mallin e të birit që s`e kishte më. Dhe ashtu qe vërtetë. Ca më shumë që Zigfridi kishte parë me sytë e tij masakrën e Borovës. Çfarë tmerri! E dinte vetë se ç`dhimbje ishte kur plumbat shponin trupin e brishtë të një fëmije që sapo kishte nisur ta jetonte jetën. Krim i shëmtuar ishte, dhe asgjë nuk mund ta justifikonte. Këtu edhe bindja e lëkundur e tij ndaj Fyhrerit dhe parrullës “Dojçland yber ales!” mori fund. Ato nuk ishin tjetër veçse demagogji. Ndaj dhe Zigfrid Hofmani, qoftë me sjelljen e tij, qoftë me këshillat e tërthorta, këtë frymë fuste edhe tek ata pak vartës që kishte. Pas vjeshtës erdhi dimri dhe dëbora mbuloi e zbardhi gjithçka. Vetëm tymi gri që ngjitej lart në qiell, dukej që së largu. Mungesa e komunikacionit kishte sjellë vështirësi dhe varfëri në qytet. Por Zigfridi, nëpërmjet Lutfiut, vazhdonte t`i çonte familjes së xha Njaziut herë ndonjë koromane, herë galeta e herë ndonjë kuti konserve. Një ditë Lutfiu me të motrën po ktheheshin nga pylli aty pranë, ku kishin ngarkuar shkarpa për t`u ngrohur. U ndalën për të pirë ujë te Kroi Rrëzës dhe pa pritur përballë u doli Zigfridi me një automatik në krah që i shoqëruar nga një ushtar, ishte nisur të shkonte diku. Myneveri ishte nja shtatëmbëdhjetë vjeçe dhe ato ditë do bashkohej me të vëllanë në mal. I dukej sikur gjermani do ta kuptonte vendimin e saj dhe balli ju mbush me djersë. Por togeri butësisht i përshëndeti dhe pasi përkëdheli si zakonisht flokët e Lutfiut, po me shenja i tha Myneverit se Lutfiun e kishte mik. Dhe ndërkohë futi dorën në xhep, mori portofolin dhe nxorri prej andej atë fotografinë, pa harruar të thotë “Bum – bum kaput!” Pastaj, më shumë me shenja, duke bërë një rreth të vogël me dy gishtat e parë të dorës, dhe duke e vendosur atë në sy, la të kuptojë që mos na shihni nga vrima e çelsit se ne nuk u bëjmë gjë. Myneveri që vërtetë si gjithë shoqet e veta i shihnin gjermanët nga vrima e derës, e fiksoi mirë fytyrën e togerit tani që e kishte aq pranë; mustaqet, sytë e ëmbël dhe atë shënjën në faqen e majtë. Por edhe ai nuk e harroi fytyrën e bukur të Myneverit me ata flokët e verdhë kaçurrela. S`kaloi shumë dhe Petriti erdhi një natë fshehurazi në shtëpi dhe e mori me vete të motrën. Xha Njaziu e pati të vështirë, por e dinte se ajo tani ishte rritur dhe duhej të shkonte me të tjerët për lirinë e atdheut. Merak nuk kishte pse bëhej, pasi fundja atje kishte dhe të vëllanë. Si ndenjën nja dy – tre muaj në batalion dhe morën pjesë në disa luftime, erdhi një urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm që tani e tutje ai formacion do bënte pjesë në radhët e një Brigade partizane të porsaformuar. Mirëpo, mesa dukej edhe luftës po i vinte fundi. Dhe ja, më tetëmbëdhjetë Tetor të 1944 – ës, edhe efektivat e ushtrisë gjermane të dislokuar në Leskovik, mblodhën plaçkat dhe armatimet dhe pasi u vunë në rresht, u nisën në marrshim. Lutfiu, dhe gjithë fëmijët e tjerë, kureshtarë kishin dalë për të mbajtur sehir. Ai nuk ja ndante sytë toger Zigfridit dhe ky, nga ana e tij shkoi dhe e përqafoi. I qenë skuqur sytë, sikur po ndahej me një mik të vjetër, me të cilin nuk do të shiheshin kurrë më. Fëmijët ndenjën aty deri sa kolona u humbi nga sytë atje te kthesa e të përpjetës së Shkozës, nga ku rruga vazhdonte drejt Ersekës e më tej. Të moshuarit dhe gratë që tani nuk po shihnin nga vrimat e çelsave, morën frymë të lehtësuar, duke thënë “E thyen qafën qafirat që mos vafshin gjallë atje prej nga u nisën!” Si e panë që tani gjermanët asqë e kishin ndërmend të ktheheshin, fëmijët hynë nëpër depo e kapanone që të merrnin ç`kishte mbetur nga gjithë ai qëndrim i palavdishëm, i asaj ushtrie që kishte ardhur me aq zhurmë e bujë dhe po ikte e turpëruar dhe me bishtin në shalë. Lutfiun, këmbët e çuan atje te zyra e Zigfridit. Dhe shtangu kur pa se të gjitha ato kafshë e insekte që togeri i kishte mbledhur me aq durim, i kishte lëshuar. Pra u kishte dhënë lirinë. Kjo e gëzoi. Por dhe e vuri në mendime; kush do ta priste tani atë atje në vendin e tij, se fundja, nuk dihej me siguri në do mbërrinte gjallë atje në Lajpsigun e kthyer në gërmadhë nga aleatët? Tani, me besimin se luftën do ta fitonin dhe Gjermania po shkonte drejt kapitullimit edhe partizanët ishin hedhur në aksione të paprera. U ishin vrarë shumë shokë dhe kishin hak për të marrë. Dhe ndodhi që në një pritë të tillë, në Qafën e Krrabës, ra edhe reparti ku bënte pjesë toger Zigfrid Hofmani. Pritë kur u futën, dhe pritë tani që po tërhiqeshin, mendoi togeri. “Po shpëtova… vetëm sa të vete te varri i nënës, gruas dhe djalit të shtrenjtë. Dhe t`u them se ata vdiqën për fajin tonë. Se ne i besuam një marrëzie, deshëm të pushtojmë botën, shkatërruam, dogjëm dhe vramë këdo që na doli përpara, madje edhe fëmijët e vegjël dhe ja shpaga. Prandaj më falni, ju dhe Zoti lart në Qiell! Mallkim kush e nxit dhe e do luftën.” Por teksa kërkonte falje, dëgjoi krisma e shpërthime të forta nga të dy anët e rrugës automobilistike. “Ja dhe fundi” – mendoi vetëtimthi, dhe si hapi derën dhe u hodh nga makina, u shtri në një kanal aty pranë. Bëri të nxjerrë pistoletën, si të tjerët, por pa se dora nuk po i bindej. Kuptoi se qe plagosur. Si nuk e kishte ndierë qysh në fillim? Pa gjakun që i rridhte, por kjo nuk iu duk gjë e madhe para atyre dhjetrave që shtriheshin ngado të pa jetë. S`kaloi shumë dhe mes tymit e flakëve dëgjoi disa britma të fuqishme “Para partizanë” dhe pastaj një thirrje e dallgëzuar “Urraaaa!” Bëri të ngrihet për t`u fshehur diku te shkurret buzë xhadesë, por ata mbërritën sa hap e mbyll sytë. Një partizan i shkoi fare pranë me koburen në dorë dhe gati për t`ia shkrepur, kur një zë gruaje e ndaloi: “Mos, Petrit! Është ai Zigfridi i Lutfiut! Shihja shenjën në faqe”, dhe Petriti nuk qëlloi. Kur Zigfridi ktheu kokën andej nga erdhi ai zëri shpëtimtar, pa vajzën e bukur me kaçurrelat e verdha. E njohu, por s`ishte koha as për ta falenderuar dhe as për t`i buzëqeshur. Kur ndeshja e përgjakshme, që nuk zgjati shumë, pushoi, Zigfridin e bashkuan me robërit e tjerë. Por askush nuk mësoi ndonjë gjë të saktë për fatin e tij. Veç Lutfiu e kujtonte sa herë kalonte pranë repartit që patjetër ndër vite e shekuj kishte parë kushedi sa e sa histori të tilla.