Suplementi Pena Shqiptare/ Dhimitër Shtëmbari: Eshtrat e të vdekurit

799
Atë mbrëmje marsi bashkëshortët Demiri e Luljeta u kthyen vonë nga Greqia, ku kishin pas qendruar disa muaj te i biri emigrant – Fatmiri. Pasi u shlodhën pak, nxorën prej çantave disa sende që kishin sjellë nga jashtë dhe i sistemuan nëpër dhoma. Ndërkohë biseduan edhe për atë çka i kish porositur i biri: të rregullonin qivurët e gjyshërve në varrezat e fshatit. “Këto Euro, i kish thënë Fatmiri, i keni vetëm për varret e gjyshit e të gjyshes. I dua t’m’i bëni me mermer të zi. Kur të vij, t’i keni të përfunduara”. U ishte bërë qefi shumë të dy prindërve, sidomos të atit, për porositë që u kishte dhënë i biri. Të nesërmen Demiri niset për në varrezat e fshatit. Duke ecur në drejtim të tyre, nuk u beson syve! Nuk kishte varreza! Madje, dikush vazhdonte të plugonte mu në vendin e të vdekurve! Qendron një hop dhe i bëhet sikur nuk është në vete! Jam apo nuk jam në varrezat e fshatit! I ngul sytë drejt disa drurëve, që kishin qënë në krye të varrezave, dhe bën hamendjen për vendndodhjen e varreve të prindërve të vetë. Mbas disa minutave bën të ecë përpara dhe ja ku gjendet te ai që plugonte. Më falni, a jam në tokën e varrezave këtu?! – e pyet atë që plugonte. Bashkëfshatari i tij, Fadili, qendroi një hop, iu afrua, i shtriu dorën dhe ia ktheu: – Po, more Demir, në varreza jeni. Përse habiteni?! I verdhë dyll, me trupin që i dridhej i tëri, Demiri vazhdoi të fliste si i mekur: – Aty qënkam, po ku janë varret?!… Ku gjënden varret e prindërve të mi?! Fadili e kuptoi, se ndodhej në një situatë tejet të vështirë, prandaj e ftoi të uleshin diku. – Nuk ka nevojë të ulemi. Më thuaj, ku janë varret e prindërve të mi?! Duke e shikuar me një lloj keqardhjeje, Fadili ia ktheu: – Ju nuk keni qënë këtu kur unë u bëra thirrje tërë banorëve të fshatit që t’i hiqnin varret e njërëzve të tyre prej kësaj toke. Se kjo tokë është e imja. Ti e di; e kam me tapi… Demirin nuk po e mbanin dot këmbët. U mpi i tëri. Nuk e kish menduar kurrë se do të mund t’i ndodhte kështu. – Ku janë kockat e prindërve të mi?! – gjeti forcë t’i thoshte me zë të lartë. – Nuk dija ku të të gjeja. Qeskën me eshtrat e prindërve të tu ta vendosa para shtëpisë! Në degën e një fiku. Në hyrje të oborrit! Këtë e di shumë mirë edhe kushëriri yt. Se ia pata thënë. – Po si ta bëri shpirti ta bëje këtë?! – ngriti zërin Demiri. – E po, ç’të bëja! Më kshin zënë tokën! Kur i hoqën të gjithë, do t’i hiqja edhe ato. Ca më shumë që ishin mu në mes të pronës sime! Demiri i ktheu shpinën Fadilit dhe, pa e përshëndetur, mori të kthehej. Gjatë tërë rrugës mendonte atë ç’kish ngjarë. I dukej e paimagjinueshme. Si mundet njëriu të arrijë deri në këtë pikë! – thoshte me vete. Kur po i afrohej shtëpisë, dëgjoi fqinjin e vetë, Brahimin, që u bërtiste disa qenëve që i kishin ardhur në oborr: – Se nga kanë gjetur ca kocka dhe po zihen mes tyre! Me brengë në shpirt, Demiri mbrriti në shtëpi. – Ç’kishim andej? – e pyeti e shoqja. Demiri nuk foli. Iu afrua fikut, u rrotullua rreth tij dhe … asgjë! – Shko e më thirrë kushëririn! – iu drejtua së shoqes. Mbas një gjysëm ore, Hamiti, kushëriri i tij, u gjend në shtëpinë e Demirit. – Ke biseduar gjë me Fadilin? – iu drejtua Demiri, pa e përshëndetur. Hamiti e shikoi në sy dhe ashtu, me zërin që i dridhej, ia kheu: – Përse të bisedoja? – Për çështjen e varreve të prindërve të mi… – S’kam biseduar. Më sakt, ai vetëm sa më ka lajmëruar: kockat e prindërve të Demirit i kam futur në qeskë. Qeskën e kam varur në degën e fikut që gjëndet brënda oborrit të shtëpisë. Unë as që nuk e kam parë me sy… – Po ku janë?! – Ç’të të them! – Me siguri që i kanë ngrënë qentë! – shfryu zemërimin Demiri. Hamiti nuk foli. Demiri kërkoi nëpër oborr se mos shikonte mbeturina eshtrash, por… asgjë! Në mbrëmje gjumi e mori vonë. Shumë vonë. Të nesërmen nuk u ngrit nga shtrati. Kështu në drekë, kështu në darkë, kështu edhe ditën tjetër. I çuan mjekun në shtëpi dhe ky, pasi e vizitoi, këshilloi që pranë t’i qendronin vetëm njërëzit e tij më të dashur. – Demir, – i qe drejtuar Luljeta një mbrëmje, – ka telefonuar djali nga Greqia. Kërkon të dijë se si kanë dalë qivuret e gjyshërve…
Demiri qe kthyer në anën tjetër dhe nuk kish folur. Dhe që nga ky çast shkoi poshtë e më poshtë. 
Një të diel pasdite, shumë vonë, u shua përgjithmonë.
Sigal