Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Për hir të Shegës

153
Sigal

Ditën që po bëja gati valixhen e rrobave që do të merrja me vete, nëna m’u lut:” Shpirt të kam, merre edhe këtë shegë dhe çoja Lelës në Kanada. Ti e di se sa qejf i ka ajo shegët.”– Ka shegë atje, sa të duash, kujton se nuk ka?- ia ktheva unë.– E di që ka, po si këto të kopshtit tonë nuk ka. Ma ban hallall, thuaji se e kam këputur vetë me dorën time.- tha nëna dhe heshti. Une e kuptoja nënën më shumë kur heshtte se sa kur fliste. Prandaj, nuk ia bëra fjalën dysh. Pasi futa në valixhe rrobat e trupit, veglat e rrojes dhe nja pesë- gjashtë libra të rinj që kisha blerë, i bëra vend edhe shegës. Por, para se ta fusja në valixhe e mbështolla me letra gazetash, e futa në një qese plastike, dhe i bëra vend në një qoshe të valixhes. Nëna e pa se si u kujdesa për shegën, I ndritën sytë dhe i qeshi buza nga gëzimi, por nuk tha asnjë fjalë. Heshta edhe unë, nuk komentova kurrgjë. Gjithë çfarë më ndodhi me shegën më mbeti t’ia tregoj motrës në Toronto, sepse Nëna ndërroi jetë atë mot, pikërisht në fund të vjeshtës, në një ditë me diell të ftohtë kur jo vetëm gjethet e shegës kishin rënë për tokë, por edhe ato të dafinës qenë fishkur krejt. Kur avioni u ul në pistë mua më kapi një dyshim se çfarë do të ndodhte me shegën që më dha nëna. Në të vërtetë këtë dyshim ma futi në kokë një bashkëudhëtar i imi, i cili më tha se nuk lejohej të silleshin produkte ushqimore dhe farëra lulesh apo bimësh të tjera. “Është shkelje e ligjit “, tha ai, dhe mua sikur m‘u fut një lepur në bark. Po, hajt, ma,thashë me vete, këta kanadezet, nuk do të bëhen kaq të këqinj për hir të një shege… Kur mbërrita tek pika e kontrollit të valixheve, që kaloheshin në skaner, zemra filloi të më rrihte më shpejt se zakonisht. Më kapi një lloj paniku dhe m’u mblodh një lëmsh në fyt. Një polic më bëri shenjë të kaloja, por më tërhoqi mënjanë dhe më futi në një dhomë. Prit këtu, më tha,se do të sqarosh diçka… E ndjeva se po më hetonin për valixhen time. Çfarë tjetër duhej të sqaroja unë, se mos do të më pyesnin për ngrohjen globale…. E solli valixhen dhe e hapi në sy tim. E nxorri edhe shegën që, falë zotit, nuk qe troshitur gjatë lëvizjeve të valixheve sa nga një aeroport në tjetrin. – Ne kujtuam se është bombë,- tha polici dhe mua sikur me ra tavani në kokë. -Zotëri, – i thashë- Unë nuk jam nga ata që pandeh zotrote. Unë nuk kam vrarë një mizë gjer më sot në jetën time. – As që më duhet ta dij se sa trim apo frikacak je ti, po më thuaj, je i sigurtë se është shegë kjo, apo jo?-tha ai me ton të prerë. -I am pretty sure sir,this is pomegranate. – ia ktheva. – Hape- më tha- që ta shoh, ndërsa fytyra iu përskuq nga nervozizmi. Unë po përpiqesha të ruaja qetësinë, por kjo dukej se ishte krejt e pamundur. -Për kokë të djalit, të betohem,- i thashë se ishte shegë dhe iu luta të mos më detyronte ta hapja shegën. I thashë se e kisha porosi nga nëna që shegën ta hapte motra ime kur të mbërrija në shtëpi të saj. Ma nxorri qumështin e nënës për hundësh. Polici nuk bindej që nuk bindej.

Që ishim të dy kokëderra, kjo kuptohej fare mirë, po aq sa unë i dukesha atij Albanian pig, dhe ai më dukej mua derr kanadez. Si e pa që nuk po haja pykë, me solli një thikë dhe më detyroi ta hapja shegën. Ca kokrra shege ranë në dysheme, dhe mua, nuk e di sepse, m’u kujtua nëna kur si filozofe komentonte se çfarë do të thoshte rënia e kokrrave të shegës në tokë… Sikur u çlirova nga ankthi që kisha kur i mblodha ato dy tre kokrra shege që ranë në dyshemenë e mermertë të aeroportit. – Do të paguash 300 dollarë gjobë – tha polici dhe shkroi gjobën – Po shegën ta marr?- pyeta unë sikur t’i lutesha Krishtit. – Shegën merre,-tha ai- për hir të porosisë që të ka dhënë nëna. Por, ta dish se gjobën e ke marrë për hir të SHEGËS… Kur mbërrita tek motra, ia tregova fill e për pe se çfarë më ndodhi me shegën dhe asaj i rrodhën ca pika lot në faqe. Pastaj e mori shegën e ndarë më dysh dhe e vuri në një pjatë porcelani stolisur me trëndafila .– Të kujtohet si thoshte nëna kur na jepte të hanim shegë?- pyeti motra. – Jo- i thashë- megjithëse e dija shumë mirë se çfarë na thoshte. – Në mundsh me e hangër shegën pa të ra një kokërr shege në tokë, nuk ka më të zot se ti- tha Motra. Vërtet ashtu e mbaja mend të na thoshte. Filluam të hamë shegën. Dhe kokrrat e shegës, aty këtu, kërcenin në dysheme si zemra e nënës…