Suplementi Pena Shqiptare/ Sabrie Selimaj: Përpiqem t’i përshtatem kohës

343
Sigal

Tani s`ka më heronj, kreshnikë, as zana,

Koha i zëvendësoi me ujqër e hiena,

Aq të dhunshëm janë sa si zë skena,

Tek lexojnë poemat rrëna,

 

Koha na s`provoi aq shumë,

Sa s`kam më fuqi të rrëfehem,

Kur shikoj, llumin zhytur në llum,

Me verën e mishrave, tek dëfrehen,

 

Syri mbyll qerpikun, gjuhën kafshoj,

Sahan lëpirës, has sa hapa, ndërroj,

Në sfilatën e lajkave ukju dhe dhelpra

Koklavitur,  me një mijë e një të zeza,

 

Pasuria e shpirtit është e vërteta,

Të tjerat tej të mbushura me dhimbje

E vetmja e vërtetë në këtë jetë vdekja ,

Koha shpalos fletët ndër breza,

 

Përpiqem t‘i përshtatem kohës,

Pa i zhveshur shpirtit, ndjenjën njerëzore,

Trashëguar nga fisnikët e lashtësisë,

Kultivuar në rrënjët e shpirtit edukata prindërore,

 

Tani s`ka më, heronj as heroina,

Në vend të parë, ministra e deputetë ,

Me vete flasin udhës njerëzia,

Lodhur nga prapësitë e kohës së errtë.

 

 

MË LINI TË JETOJ !

Më lini të jetoj o të mallkuar,

Supi i varur, s`u mban dot,

Si nuk u ngopët o të harbuar,

Mëkatet do u ndjekin gjer në mort.

Në këtë botë kalimtare si të tjerët,

Asgjë më në fund, s`merrni me vete,

Më lini të shijoj diellit buzëqeshjet,

Të ndihem e lirë gjerë në vdekje,

Më lini të jetoj o ujqër të uritur,

Këtë botë se zgjodha unë?

Këtu më solli fati i përmbysur,

Koha e maskarenjëve, më uli në gjunjë,

Verbuar tërsisht nga lakmia qorre.

Kërkoni tërë botën ta keni për vete,

Kollarisur, pispillosur, shpirt boshatisur,

Vërdalliseni si ujqërit e uritur…

Më lini të jetoj o të mallkuar,

Në këtë jetë, ku njeri lind dhe vdes,

Ç`lironi nga mëkatet shpirtin e copëtuar,

Lerni dhe të tjerët, të jetojnë këtë jetë.