Shpesh herë kam shkruar për sytë,
s’ndjeva lodhje asnjëherë,
se më joshnin bukuritë
siç të josh një stinë pranverë.
Sot do shkruaj prapë për syrin,
po për syrin e pa shkruar,
që sy-mbyllur ma puth gjirin,
pranë gjoksit përvëluar.
Këtë sy s’e kisha njohur,
fati ma solli përballë,
një pranverë e kudo ndodhur,
thjeshtë një bukuri e rrallë.
Një magji ngjyrash, magji,
një lëndinë e pa shkelur,
dy liqene thellësi,
dy ujëvara ballit derdhur.
Të mbërthente pa kuptuar,
pranë syrit jetë gjatë,
me diell të kish mbuluar,
thjeshtë një bukuri e artë.
Tek shihte botën përreth,
nën qepalla lindur hëna,
sythet hapi dhe një gjeth,
buzëve kish nisur kënga.
I ngula dhe unë vështrimet,
mbi lulishtet i mahnitur,
në zemër nisën rënkimet,
pa kuptuar i tronditur.
Kish vullkan e zjarr shikimi,
gati në të përvëluar,
aty mund të vdes dhe trimi,
pa e ndjerë e pa kuptuar.
Pastaj le të thonë i lojtur,
le të thonë njeri i shkarë,
Zoti kot s’ma kishte rojtur,
këtë bukuri të rrallë.
Këta qenë sytë e pashkruar,
në mes vargjeve të mia.
Sot me zell i kam vështruar,
gjer sa lindi poezia.