I fundit që iku nga ai vend,
u ul te pragu i shtëpisë dhe la ca amanete.
Unë po iki se dhe shpresa u shëmb,
tani e tutje kujdesu më shumë për vete.
Barin e oborrit mos e ler të rritet
dhe shtëpinë ajërose herë pas here.
Me cepin e hënës në mesnatë kosite
dhe bëhu me yjet partnere.
Çezmën e ujit mos e ler gjithmonë hapur,
se mbaron uji e çdogjë thahet më pas.
Pas pjergullës mbi bajame diku kapur,
kur të ndjesh dhimbje apo të kesh ndonjë maraz.
Nëse të vjen ndonjë vizitor,
qerase me raki nga mani i Shanies.
Uluni këmbëkryq diku mbi oborr
dhe ndjejani lezetin e asaj shijes.
Nëse bie ndonjë pikë nga çatia,
bisedo me shiun dhe zgjidhe atë punë.
Nuk dua të rrëzohet si letër shtëpia,
se nuk i dihet dukem ndonjë të shtunë.
Po qe se kam harruar ndonjë porosi pa dhënë,
më falet se zemra po më pikon lot.
Me ëndërrat m’i nis çfarë ke për të më thënë,
që dhe unë t’ia dërgoj të madhit Zot.
Po u kujtova:
Dritat e shtëpisë dhe të oborrit pas mesnate fiki,
se digjen llampat e ndodh ndonjë mas.
Tani e dashur u bëra gati do iki,
më jep leje që mos të ngelem me mendjen pas.



















