Suplementi Pena Shqiptare/ Resmi Osmani: Ulkonja                                                                

229
Sigal

Pas dy ditë shirash, doli ditë e bukur, por e freskët, duket që filloi dimëri. Isha duke ecur në shëtitoren e parkut të liqenit. Dëgjova që dikush më thirri emrin. U ndala. Ishte biri i një shoku tim të vjetër, Nazimi. U bë viti pa e takuar. U përshëndetëm dhe pyetjet e zakonshme për shëndetin në kohë pandemie. Tha se u gëzua që më pa e që isha mirë dhe u nis të vijonte shëtitjen, por unë e ndala. Desha të dija për njerëzit e tij të afërt që unë i njihja dhe ua mbaja mend emrat. Disa nuk jetonin më, të tjerët ishin plakur. U ndamë. Çuditërisht, ky takim, më solli në kujtesë si të kishte ndodhur dje, një ndodhi në vite të largëta. E që ja rrëfeva Nazimit, për gjyshen e tij. Ato vite ne jetonim në fshat. Një nga ditët, ishte ditë bajrami, nëna më mori për dore dhe më tha se do shkonim për urimin e bajramit te Zonja Kimete. Ata ishin kosovarë, ne nga Çamëria, të dy familje jabanxhinjsh dhe bëheshim me njeri-tjetrin. Shtëpia ishte përdhese, por e madhe e me shumë dhoma. Na priti dhe na gostiti me nga një filxhan “tomël” (qumësht) se për kafe në ato vite nuk bëhej fjalë. Per mua u gjend dhe një copë fli, që e hëngra me kënaqësi. Të dyja biseduan gjatë. Qanin hallet. Nëna i drejtohej “zonja Kimete”, kurse ajo nënës motër Haxhire. Zonja Kimete ishte shtatlartë, e veshur me dimite, kokën mbuluar me lahuri të bardhë. Fytyrëgjerë, hundë shqiponjë, pa rrudha, por të ngurtë e të ngrysur, me ca sy të mëdhenj, të rreptë e të pikëlluar. Grua kapedane, mua më ngjante më shumë si burrë: e ashpër në sjellje dhe autoritare! Kishte hequr halle. Në fshat i quanin shtëpi ballistësh. Burri dhe djali i madh ishin nacionalistë, që ahere u thoshin ballista. Kur fituan komunistët, burri arriti të arratisej në Itali, djalin ja pushkatuan pa gjyq. Kishte dhe katër djem të rritur dhe një vajzë, me dy fëmijë, edhe ajo me burrë të pushkatuar, që jetonte me të. Zonja Kimete ishte vejushë me burrin gjallë. Ahere unë s’kuptoja nga këto gjëra U ngritëm për të ikur. Ajo na përcolli deri te lesa që shërbente si portë. Kur ishim duke u ndarë, u faneps si ta kishte pjellë dheu i plotfuqishmi, që bridhte fshatrave, veshur si gjysmë ushtarak dhe me një çantë të varur në sup. Mbaj mend që në xhepin e vogël të setrës kishte një tufë me lapsa. Qëndroi pranë nesh i kapardisur. E moj zonja Kimete, ku i ke djemtë se kam për t’u thënë ca fjalë.- Tha me hakërrim e qëndrim prej mujshari- Atyre klyshëve të tu, bij ballisti. Zonja Kimete u step dhe e pa me përbuzje të plotfuqishmin. Djeltë e nanës, i kam dërgu në shkollë-qe përgjigja. Dashke t’i bësh dhaskenj- (unë se dija se ç’ishin dhaskenjtë)-harroje, veç kur të shohin veshin pa pasqyrë! Të bahen të ditun, e t’i dalin zot vetes – i tha ajo. Se kur të kthehet me kambë përpjetë komunizmi, të paditunit s’kanë me ju dashtë kujt. I plotfuqishmi, që se priste atë përgjigje, u tërbua: Mbylle gojën moj buçe plakë, si guxon e thua të tilla fjalë? -Bushtër mbase ashtë jot amë, që ka pjellë ksi këlysh qeni, unë jam ulkonjë, dhe kam lind ujqër! -Ah kështu qënka puna, ke për të ma paguar dhe ke për të parë se ç’do t’u punoj! Pushka top- ,i tha zonja kimete- ani, ulkonja nuk tutet kah zagarët! Pjellë e keqe, hiqmu sysh! I plotfuqishmi u largua si qen i rrahur. Që ta kuptoja më mirë, përsa ngjau, pyeta nënën. Ajo më ledhatoi flokët. Je i vogël, – më tha. Kur të rritesh do t’i kuptosh të gjitha. Nga ajo ditë, vetmëvete, për mua, zonja kimete ishte Ulkonja, nëna e ujqërve. Të tillë e solla ndërmend edhe pas ngjarjeve të viteve 90-të. Por ajo si më tha i nipi, nuk e arriti atë ditë që e kishte profetizuar.