Suplementi Pena Shqiptare/ Pullumb Ahmeti: Ra një kambanë

256
Sigal

Ra papritur një kambanë dhe ajrin e drodhi
pikëllimin e shpirtit thellë e nxori prej zëmre
qielli u nxi nga dhimbja lotët rrebeshe hodhi
dritëza e dritës së syrit, ç’ju shuajt një nëne.

Kambana rëndë gjëmonte shpirtrat i ndrydhi
ulërimë xhani nënës ajrin dhimbshëm shqeu
eh,kjo ditë e hidhët diellit i thirri dhe sytë mbylli
nëna me trupin që dridhej puthi një dorë dheu.

Ra kambana thellë zemrës hyri me pikëhelm
në supe shokët mbanin heshturazi arkëmort
djemtë e nënave i hëngri i treti larg ky kurbet
sot tkurresh në dhimbje tokë moj e mjera tokë.

Ra një kambanë e mpaku kockën deri në asht
zogjtë cicërimat pushuan dhe lulet ranë përdhe
yjet sonte mbas hënës u shuan në të sterrën natë
bilbili vajtonte e qyqja lisave thërret,o djalooo ku jeee?

U ndal qyqja mureve të plagosura te kulla e vjetër
kujen vuri llahtarshëm sa zemrat mbyten në helm
toka dridhej,qielli nxirë sterrosur hodhi lotët breshër
shtrati i ftohtë i ngurtë këtë trup brenda jo s’e nxë.

Kambanat e dhimbshme të shpirtit çanë kraharorin
një buzëqeshje e ngrirë dilte lirshëm fytyrës së akullt
qyqja tej mbaj mureve kujen shpërndante për mortin
dhe zoti lutej për paqen kur arkëmorti doli prej pragut.

Ra një kambanë dhe jeta heshti
gjëmimi i saj qiejve shkoi e mbeti
kësaj toke kurrë buza jo s’i qeshi
rrobat e dhimbjes koha trupit veshi.