Suplementi Pena Shqiptare/ Zef Serembe-Poeti që grisi këpucët për dashurinë

310
Sigal

 

(1844-1901)

Zef Serembe është poeti lirik më i shquar i romantizmit arbëresh. Ai lindi më 6 Mars 1844 në fshatin arbëresh Strigari, të Italisë. Fshati i tij shtrihej mbi një kodrinë të bukur, përballë detit Jon. Zef Serembe, fëmijërinë e kaloi në një skamje të madhe. Mësimet e para i bëri në Shën Adrian, ku pati mësues De Radën, me të cilin pastaj u bë mik. Më vonë më 1860 i vazhdon mësimet e ndërprera në Roosano dhe në Kariliano –Kalabro. Më 1869 Serembe do të punojë si sekretar i Bashkisë së Strigarit. Ai ishte një natyrë e shqetësuar. Me një temperament të veçantë prej krijuesi, shpirtin e tij e tronditi edhe më shumë dashuria e pafat që pati me një vajzë të varfër arbëreshe, e cila mërgohet me familjen për shkaqe ekonomike, në Brazil dhe atje vdes.

Dëshira për të parë varrin e së dashurës, e bënë poetin të nisej, në vitin 1875, për në Brazil. I rënë nga shëndeti dhe nga gjendja shpirtërore, Serembe kthehet në fshatin e tij. Duke u kthyer me anije në vendlindje, afër bregdetit ajo shkatërrohet. Atij iu vodhën të gjitha paratë që kishte, me sa duket në portin e Marsejës. Thuhet se gjatë rrugës, humbi shumë dorëshkrime. Serembe zbret në Kadiks të Spanjës, dhe pastaj në këmbë dhe i sfilitur shpirtërisht për vdekjen e së dashurës, kthehet me këmbë, duke kaluar Spanjën, Francën, deri në Itali. Fatkeqësia e humbjes së të dashurës e bëri të paqetë jetën e tij dhe e shtyu në një jetë endacake. Udhëtoi vazhdimisht nëpër Itali, duke u endur në të gjitha kolonitë shqiptare dhe shpërndarë tek dëgjuesit thesaret e dellit të tij poetik. Adhuruesit dhe miqtë ia lehtësonin fatkeqësitë. Niset prapë për në Brazil. Natyra e ndjeshme e mposhti në fatkeqësitë. Poeti e mbylli jetën në një gjendje jo normale mendore më 1901, në Brazil.

Në poezinë e tij, Serembe trajtoi motive të ndryshme. Shquajnë sidomos, motivi patriotik, erotik, mediativ etj.

Motivi erotik

Serembe, në poezitë e tij motivin erotik e trajton me një ndjenjë të veçantë. Dashuria e këtij poeti ishte ndjenjë që nis nga një bazë reale personale: të përjetuarit e dashurisë të vetë poetit e realizon nëpërmjet vargjeve si forcë jetësore, si burim lumturie, si burim dhembje, që nuk kalon në pesimizëm dhe në shfrim mallkimesh kundër shoqërisë dhe zotit. Ai qahet nga fati i mjerë i tij. Ja, si e përshkruan në poezinë titulluar “Si isha- si jam” fatin e tij të mjerë:

“Rinia ime qe e gëzuar nga përfytyrime të kthjellëta/ dhe jeta m’u shfaq përpara si një pasqyrë: qielli më qeshte, e kthjellët m’u duk bota,/ dhe përpara meje nuk ndesha veç dashuri./ Pastaj u dëgjua një bubullimë e thellë nga mali:/ u ktheva, e pashë renë e errët, që zbriti drejt meje,/ më rrethoi me shqetësim turbullues/ dhe më pështolli me shtërngatën e llahtarshme./ Kalova nëpër pyje dhe rrëpira dhe u copëtova krejt: /dashuria m’u shua në zemër, të qeshurit m’u fik në buzë,/ dhe u lodha dhe, u këputa,/ duke hequr si mos më keq./ Zija shpërndau çdo shpresë timen/ dhe mjerimi ma preu secilën me gërshërën e vet;/ ah, fati keqbërës se si po më mundon!”

Megjithëse qahet nga fati i tij i mjerë, dashuria në poezinë e Serembes është e vrullshme dhe e fortë, e papërballueshme, por gjithmonë e shoqëruar me dhembje me trishtim, sepse ai duke e ndjerë veten të varfër nuk e duan vajzat, megjithatë ai i përshkruan ato me bukuri vezulluese dhe në të njëjtën kohë shpërthen dhimbjen e tij për këtë mospërfillje ndaj tij të pikturuar me fjalë magjike.

Kënga e mallit të parë

Dëgjo vash’ këngën e par’,

që të thotë një djal bujar.

Dëgjo vashë këtë kangjele,

që është e butë, porsi dele.

Një e djelë ishte pagdhirë,

Tërë dritë e gaz e dlirë.

Dola jashtë e s’ish njeri.

Kisha helm , jo lumtëri;

e një vashëzë kërkonja,

po hirplote , siç e donja.

 

Mesha e madhe, ja po bije,

e nga kisha mënd i shtije.

Dola: vashëzat po vinin:

qetë e lehtë në kishë hynin.

Asnjë vashë s’mu duk e mirë,

e asnjëra s’mip dëshirë.

Dhe kjo zemër psherëtonte,

se nuk gjente kë kërkonte.

Po kjo zemër u gëzua,

kur një vashëzë u afrua.

Kur te sheshi ajo shkonte:

tërë sheshi dritë lëshonte.

I shkëlqenin ata sy,

që nuk shihnin asnjeri.

Si një fluturëz e lehtë,

vej në kishë e zhdukej vetë.

 

Kur e vrejta, kur e pashë,

“Sa e bukur”!-sakaq thashë.

Që ahere s’pat pushim,

ky i mjeri shpirti im.

Dit’ e natë unë kujtoj:

natë e ditë e dëshëroj.

Posi hije pas i rri,

e vështroj me dashuri.

Kur më sheh e më vë re,

ndiej të madhe një hare.

Kur dëgjoj fjalën e kthyer,

të parajsës hapen dyer…

 

Vashës së largët

Fati ynë është shumë i fortë,

sa na jep helme dhe mort,

posi hënës, posi diellit,

që kërkohen kot qiellit.

Se i shkreti fat i zbon

Edhe, kurrë s’i bashkon.

Edhe i ligu mirë e di,

që është drita dashuri.

E kur fatin tim kujtoj

derdh unë lot e psherëtoj.

Plag’ e rëndë s’hiqet dot

që më bëre ti qëmot.

Qenë ilaçe e qenë bare,

që s’më vlejtën mua fare.

Nuk pushon ky helm i fortë,

që na jep përdita mort.

 

Këngë malli

Më rri zemëruar e s’di ç’ke?

O, e t’humburit Parajsë, molla më e mirë.

Ç’të bëra vallë i shkreti, e ashtu më le.

sa jetën po e shkoj pa asnjë hirë?

 

Oh, këto ditë i shkova me hidhërim,

se s’ti pashë të qeshur ata sy,

që shpirtin mua ma mbushin me ngadhnjim

dhe, ma rrihnin me mall zemrën në gji!

 

Gjirin e kam plot me mall, zemrën plot zjarr

e trutë po më vlojnë ndër mendime.

S’gjej dot pushim, as paqë dot nuk marr.

Ti vashë më dërmove jetën time.

 

Mendja ime nga ty s’më hiqej dot!

Zemra më ziente fort me dashuri.

Era trupin tim ma rrihte  bot e bot.

Jeta qante mbi mua me zymti.

 

Tani ku je? Me erën që fryn vetë,

të fala të dërgoj e shumë lot;

Lule çoftë në varr puhia e lehtë.

Bilbili aty këndoftë mot për mot.

 

Shën Mërisë Virgjër

I grisa gjunjët edhe gjuhën thajta.

Sytë nga lotët që derdha m’u thanë.

Ma therën shpirtin, zemërën ma vranë,

e sa keq e më keq përditë vajta.

 

Dhe as më ndihu besa që të mbajta:

Gjithnjë  ditë të zeza mua më ranë.

Ëndrrat dhe shpresat posi lulet vanë.

Gjindja më turpëron, sepse t’u qajta.

 

Tani ç’të bëj, o mëmë te kjo jetë?

Dita më helmon, nata më vret.

Më ngrys e sotmja, e nesërmja më zhyt.

 

Tek ti vjen zemra me mall të vërtetë:

Po ti rri larg dhe brenga mua më pret

dhe, në një det plot helme, ja, më mbyt.

 

Këngëtari dhe bilbili

Jam i vetëm në mesnatë,

si bilbil i pafatë,

që me zënë e tij i thotë:

sa mjerime ndjen dhe lotë.

Trëndafiles dal nga gjëmbi,

që ka zëmërën si shkëmbi.

Fërshëllimet që këndoj,

i rrëmbeu mali e përroj.

Edhe unë këngëtar i mjerë,

vajtoj fshehtas hera-herë.

E këndoj e qaj si dua

e, me lotët bëj një krua.

Vashë, syt’ m’i përvëlove:

Unë të desha ti më zbove.

Je si një tufan që shkrep,

që rrëmben e rreh e shqep.

Flaka jote më rrëmbeu,

kurm e shpirt më dogji e preu.

Shkove e zjarri që më le:

më bën hi më fut në dhe!

Ahet që mjerimi e sjell

ngrijnë e larg era i shtjell.

 

 

Gjendja shpirtërore e helmuar e poetit shpërthen edhe në poezitë atdhetare. Dallgëzimet e ndjenjave të poetit arrijnë deri në shpërthim: (zemra do më plasë mua në gji…zemra m’u shqerr nga tmerri…zemra nuk harron, sepse ai e ndjen veten të pafuqishëm për të ndihmuar në mënyrë aktive atdheun e tij (Shqipërinë), që akoma lëngon nën zgjedhën turke.

 

Vrull

Zogj të bukur këndojnë me hare,

po zëmra do më plasë mua në gji.

I helmuar shkoj jetën te ky dhe.

Mërzitem në katund, në vetëmi.

 

Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti,

që zgjon te trutë e mi mendime shumë.

Zemra m’u shqerr nga tmerri mua të shkretit,

aq sa vetëm pushoj kur bje në gjumë.

 

Arbëria matanë detit, na kujton,

se ne të huaj jemi te ky dhe!

Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron

që ne turku na la pa Mëmëdhe.

 

Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon,

Por fryn era dhe akulli me zë.

Se ç’ka qenë Arbëreshi po harron:

dhe s’i vjen turp aspak, po rri e fle.

 

Mendim vlerësimi

Zef Sqiroi i Ri

… “Është pa dyshim, nga poetët më të çiltër me të cilin mund të krenohet letërsia shqiptare… e ardhmja do ta vendosë midis poetëve më të mëdhenj shqiptarë”.

Ali Aliu

“Poezia erotike e Zef Serembes qëndron në kulmin e poezisë shqipe të këtij lloji. Krahas kërkesës mediative refleksive, po ashtu shkëlqen dhe ajo patriotike, nëpërmjet llojit erotik. Poeti shpreh thellësisht botën e vet të trazuar… dhe ndryshe nga shumë poetë të traditës tonë, Zef Serembe e sheh dashurinë si të vetmin kuptim të jetës njerëzore, si burim kryesor të lumturisë.”

Eqrem Çabej

“Serembe qe… një romantik në kuptimin evropian të Perëndimit”.

Rexhep Qosja

“Zef Serembe –është një poet i vetvetishëm, i natyrshëm, i cili kryesisht, shkruan që të shprehë botën e vet e jo që të krijojë botën e re…”