Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Demir Zyko që i ngriti monument këngës polifonike toske

73
Sigal

Kënga polifonike e Skraparit, e përcjellë nëpër shekuj nga banorët e kësaj treve, tashmë ka zënë një vend të nderuar në muzikën popullore shqiptare, pasi ajo nga brezi në brez është kënduar dhe zhvilluar, si një pasuri e rrallë e shpirtit artistik dhe estetik të tyre. Në këto rrjedha të etnokulturës, polifonia toske e Skraparit, si dhe ajo e Gramshit dhe Mallakastrës, gjatë shekullit të XX njohën një gjallëri të veçantë, pasi këngëtarë dhe valltarë të shquar, burra dhe gra e ekzekutuan atë jo vetëm në dasma e ceremoni familjare, por edhe në koncerte e festivale të ndryshme folklorike, siç ishte edhe ai në kalanë e Argjiros në Gjirokastër.

Në këtë begati të polifonisë shqiptare, gjurmë të thella ka lënë edhe grupi polifonik i fshatit Gjerbës në Skrapar, me kryekëngëtarin Demir Zyko, si dhe këngëtarët e mirënjohur: Mehdi Kushja, Belul Hyska, Shahin Çinari, Neshat Habibasi, Agim Carkanji, Hetem Zyko etj., të cilët e pasuruan më tej polifoninë shqiptare, duke vënë një gurë të rëndë në këtë trashëgimi popullore, nën mbrojtjen e UNESCO-s.

E gjithë veprimtaria jetësore dhe artistike e Demir Zykos përmblidhet në një shprehje metaforike të poetit Xhevahir Spahiu kur thotë se ai e “vuri zemrën në zërin e tij”. Ndërsa Dritëro Agolli thotë për të se “ai e rilindi këngën skraparëse”. Mjaft konsiderata të tjera me një lavd të merituar shprehin për Demir Zykon. Shaban Sinani, Ramazan Bogdani, Rrok Zojsi, Beniamin Kruta, Arsen Mustaqi-specialistë të fushës dhe njohës të folklorit, por edhe nga Dhori Qiriazi, Astrit Nuri, Zylyftar Hoxha, Vasil Dilo, Bashkim Koçi, Iliaz Kapxhiu, Ylli Qafoku, Riza Bregazi, Adem Jakllari, Hajri Nuhu etj., që sjellin çaste mbresëlënës për të, por edhe studiues dhe njohës të mirë të folklorit.

Përgjithësisht, ajo që shprehet në kulturën tonë popullore kombëtare është një vlerësim maksimal pa lavdërime të tepruara për një nga korifenjtë polifonikë siç ishte Demir Zyko, i cili, me zërin e tij të dallueshëm dhe me një fuqi të madhe interpretative, u bë i njohur veçanërisht me këngën “Mbeçë more shokë mbeçë”-një tekst mjaft i njohur i folklorit, që këngëtari e ngriti në artin e këngës polifonike.

Përgjithësisht, jeta e Demir Zykos është jeta e një jetimi, i cili provoi brengën dhe vuajtjen pa prindër që në moshë të re. Por kjo vuajtje nuk solli tek ai ashpërsi apo një farë largese nga njerëzit, përkundrazi i shtoi më tepër dashurinë për njerëzit dhe të qenët artist i lindur, kjo i solli edhe përkorësi, thjeshtësi dhe natyralitet e zemërgjerësi, cilësi këto të një artisti të madh. Ata që e kanë njohur, dhe nuk janë të paktë, i tregojnë këto cilësi të këtij artisti me një nderim të veçantë, nderim që vjen edhe nga respekti dhe admirimi për veprën e tij si këngëtar virtuoz dhe me famë, qoftë në mjedise të thjeshta midis shokësh, qoftë edhe në skena të ndryshme aktivitetesh kombëtare, ku Demir Zyko shkëlqeu dhe u pëlqye nga artdashësit e botës shqiptare të të gjitha krahinave.

Një njeri i madh ndihet me praninë e tij pa thurur për të fjalë dhe elozhe, por thjesht duke pranuar atë vetëm si ekzistencë, sepse njeriun e bën të madh vepra. Zakonisht, njerëzit janë kuriozë të dinë diçka më tepër për një talent, por Demir Zyko në prani të tyre ishte më tepër gojëkyçur dhe enigmatik, sepse mendja e tij “fluturonte” te kënga, te sharmi i saj, jetonte edhe në çaste kur ishte duke biseduar apo i gjendur rastësisht në prani të njerëzve. Natyrisht, kjo nuk është shenjë mendjemadhësie, por një natyralitet i vetvetishëm, që e kanë të gjithë artistët e shquar, ku arti bëhet jetë e dytë dhe e zakonshmja përfillet prej tyre vetëm për etikë apo për të mos krijuar ndonjë keqkuptim, apo hatërmbetje nga të pranishmit.

Vështruar në këtë prizëm, edhe pas kaq kohësh të largimit nga jeta të këtij artisti të madh, jehojnë fakte e ndodhi, që gdhendin portretin e Artistit të Popullit Demir Zyko, një portret i kompozuar me elemente të biografisë jetësore, të biografisë artistike dhe të vështrimit të tij përmes syrit të mjaft bashkëkohësve dhe specialistëve të kohës, si dhe të gazetarëve, apo njerëzve të thjeshtë, që e deshën artin dhe patën fatin ta dëgjonin këtë artist, si dhe të shijonin magjinë e zërit të tij, i cili gurgullonte i pastër e plot njomështi si gurrat e vendlindjes së tij, Gjerbësit (për Gjerbësin gjendet edhe një shpjegim mjaft interesant etimologjik nga profesor Eqerem Çabej), kurse në një shpjegim poetik, çka dikton bukurtingëllimi i këtij fshati ne mund të shtojmë se Demir Zyko gjerbi ngadalë gjithë hojet e shpirtit poetik të zonës së tij dhe pastaj këto i derdhi në këngë.

Për jetën e Demir Zykos gjenden disa të dhëna biografike, të cilat në esencë pasqyrojnë jetën e një njeriu të thjeshtë, që nuk e njohu babanë, që e la herët dhe ai u rrit në varfëri. Pastaj vuajtjet, privacionet dhe lufta e përditshmërisë për mbijetesë përvijoi një jetë, e cila sillej me kursim në ato kohëra dhe nuk dhuronte shumë mundësi.

Mjafton këto të dhëna për të kuptuar një fëmijëri të vështirë, por asnjëherë sfiduese dhe pa lënë gjurmë në shpirtin e tij se, ndërsa rritej dhe madhërohej, ky bard i lashtë i tokës dhe i fshatit të Gjerbësit në Skrapar, thithte nektarin e luleve dhe dashuronte natyrën, traditat, zakonet gjithçka të bukur, që afronte jeta dhe që bënte kontrast me varfërinë dhe mungesat që sillte ajo. Një artist i lindur dhe i rritur rrëzë malit mitik të Tomorit, kurrsesi nuk ia dorëzoi shpirtin rëndomtësisë, por vetëm të bukurës, lirikës dhe epikës së vendlindjes së tij, që e rriti, dhe ai i dha përmasë të re asaj me zërin dhe këngët e tij të pavdekshme dhe mjaft origjinale.

Ishte ajo këngë që buronte nga shpirti i gjyshërve, po të perifrazojmë një term nga Dritëro Agolli dhe që kërkonte një rimishërim në një nivel të ri interpretativ. Dhe këtë rimishërim të saj e gjeti në zërin dhe talentin virtuoz të Demir Zykos. Me një vokal me cilësi të rrallë, ai i dha përmasë të re polifonisë toske. Dhe repertori i tij numëron 100 këngë të kënduara, njëra më e bukur se tjetra, ashtu si dhe 50 këngë të shkruara nga ai. I cilësuar si “Bilbili i Tomorit” veçanërisht cikli i këngëve të tij për kurbetin dhe për nizamët, përbën një majë të paarritshme interpretative dhe kjo si spikatje e vënë në dukje nga mjaft studiues, të cilët e kanë parë atë si fenomen të këngës polifonike toske.

Siç vinte në dukje prof. Beniamin Kruta, në eksplorimet e tij për polifoninë e Skraparit, kjo muzikë popullore, ka ruajtur traditat më të lashta të kësaj pasurie shpirtërore, për vetë natyrën konservative të ligjërimit të saj, ku u ushqye edhe kënga e Demir Zykos dhe e kohëve më pas. Hapësirat e saj në këtë trevë janë të gjera. Merita e padiskutueshme e Demir Zykos ishte se ai nuk e këndoi atë vetëm në dasma, çka ishte e natyrshme për një këngëtar të preferuar, por e ngjiti në skenë dhe i dha vlerë të fuqishme përhapëse në të gjithë botën shqiptare.

Bisedat me “Plakun e Këngës”, si dhe rrëfimet e bashkëkohësve e përndritin figurën e artistit të madh në një sfond të gjerë kohor, por edhe ambiental, në një mjedis social-ekonomik, kulturor, historik, zakonor, psikologjik, në marrëdhënie me familjarët, me njerëzit e njohur, me thëniet e tij urtake, duke sjellë kështu vlerat e një populli artist që këngën e përcjell nga brezi në brez dhe Demir Zyko bëhet zëdhënësi, dhe përcjellësi i saj më i denjë. Kështu, në libër gjejmë studime mbi dasmat, traditat dhe zakonet e ritualit të tyre, gjejmë vështrime të sakta dhe përcaktime shkencore për polifoninë e Skraparit edhe nga studiues si: Neim Mustafaraj, Nuri Çuni, Beniamin Kruta, Spiro Shituni, Naxhi Kasaruho, Arsen Mustaqi etj.

Vështrimi në këtë kënd i artistit Demir Zyko bëhet me një qëllim të caktuar, se artisti asnjëherë nuk lind në një truall bosh, as nuk formohet si rastësi, por ecën dhe ngrihet mbi këtë mbështetje që kristalizohet në vetëdijen e tij dhe merr formë në të ardhmen. Njeri i pajisur nga natyra me talentin e këngës, ai nuk qëndroi vetëm aty, duke dëshmuar punë dhe vetëm punë në grumbullimin e përvojës artistike dhe rritjen e saj me kërkime të vazhdueshme në perfeksionimin e këngës, ndaj kompozitori Tish Daija e quan “një zë legjendë duke e quajtur të vështirë të nxjerrë në pah të gjitha aftësitë e tij krijuese”.

Me zërin e një tenori lirik shpërthyes dhe me një diapazon të gjerë, me një ngjyresë të ëmbël ku vibronte një ndjesi përftuese në çast, që zbërthente një emocion të fortë imponues, Demir Zyko i bëri studiuesit dhe artdashësit që ta dëgjonin me dëshirë dhe të mahniteshin nga ky zë. Është interesant të vihet re te ky artist edhe sipas kujtimeve të tij, se zëri i tij nuk u mpak edhe kur i kapërceu të shtatëdhjetat dhe vetëm një herë ai tha se nuk kishte zë kur shokët me të cilët këndonte i kishin ikur nga jeta, por kjo e thënë në mënyrë alegorike dhe prekëse.

Sipas Demir Zykos: “kënga lind nga shpirti, melodia vjen nga dashuria për tokën mëmë”, dhe kjo nuk nënkupton se ka art pa mendim, porse arti vetëm me mendim dhe pa shpirt është i destinuar të dështojë, ashtu siç e provon këtë edhe vepra dhe historia e trashëguar e artistëve të mëdhenj. Vlerësimi i tij për këngën popullore si gurrë frymëzuese për të, ku ai piu tërë jetën, është një vlerësim i drejtë dhe i provuar, duke e parë këtë këngë si një frymëzim për të krijuar, jo si kopjim të saj.

Tekstet e këngëve që këndoi Demir Zyko ishin të thjeshta, ato kanë si referencë atdheun dhe Tomorin, por edhe nizamët, edhe kurbetin, edhe dertet, hallet, brengat, janë më së shumti lirike dhe që i shkojnë për shtat formatit të këtij këngëtari dhe zërit të tij. Pothuajse të gjitha tekstet, diku më pak a diku më shumë, i përshkon elementi elegjiak, por edhe tonaliteti i forcës së jetës bashkuar me dhimbjen, si dhe krenarinë e natyrshme për atdheun e për historinë e tij. Kuptimi i thjeshtë i këtyre këngëve sjell një element komunikativ të drejtpërdrejtë që të depërton menjëherë në zemër, ku gati në çdo tekst kemi një apostrofim të fuqishëm thirrmor malli e ftese, sikur këngëtari do ta sjellë objektin e tij poetik sa më afër.

Studiuesi Jani Thomaj, duke i parë këto tekste në një vështrim të gjerë, arrin në përfundimin se ato “kanë një karakter përshkrues ose tregimtar-historik”.

Në fondin e pasur dhe të larmishëm të këngëtarit Demir Zyko, zënë vend këngë të tilla të magjishme si: “Mbeçë more shokë, mbeçë”, “O Tomor o mal i lartë”, “Në ato male mbi Skrapar”, “Shqipëri o vend i bukur”, “Ngreu o Abdul bej nga varri”, “Një mëngjes me natë u ngreç”, “Shtriva sytë në atë mal”, “Moj syzezë, symëshqerrë”, “Më rrite nëne, më rrite”, “Në mëngjes dola pa gdhirë”, “Ku mërzen cjapi me zile”, “Qaje moj lule beharë”, “Fryn kjo erë e malit”, “Tanë moj e zeza Tanë”, “Këngë për Riza Cerovën”, “Kapinova rrëzë mali”, “Medet o Gani, medet”, “Lule o Avni Rustemi”, etj.

Mjaft poetë janë frymëzuar nga figura e artistit të madh, Demir Zyko. Poeti Xhevahir Spahiu e përfytyron teksa hyn në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe me sy kërkon dikë që mund t’ia kthejë këngës, ndërsa poeti Petraq Risto e quan këngën e tij “një melhem për plagën”, poeti tjetër, Pano Taçi, ia ndryshon mbiemrin nga Demir Zyko në Demir Orfeu. Mjaft poetë popullorë kanë thurur vargje për artistin e madh Demir Zyko, duke i thurur lavde jetës dhe këngës së tij të mrekullueshme për të cilin poeti Ali Podrimja thotë: “Qenka vështirë të jesh Perëndi/njerëzit t’i shikosh nga maja”.