Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga: Zaho Vasili

467
Sigal

Kur kërcente Niko Çaçi

 

A thua se që foshnjë u rrit mes blerimit,

Thonë pylli trishtohej pa të,

A thua se nuk flinte kur flinte ylli,

Do pushonte dhe gjethet e mbulonin pa zë.

 

Këmbët iu zgjatën e iu zbukuruan

Duke vrapuar lozte me drenushën,

Duart e tij si degë kanë guxuar,

Mbi maja brirësh mbështeti gushën.

 

E zbuti, s’i ndahej hap pas hapi

Ia rrëmbeu ecjen, për vete e bëri,

Thonë se kërcimi kur merrte vrapin

I duhej për valle, kur dridhej i tëri.

 

Kokën e mbante lart e shumë krenar

Si dreri nëpër degët me brirë,

Belin e hollë e dridhte mbi bar

e shtrëngonte me thupra degësh aq mirë.

 

Në pyll vraponte zbathur si kaproll

Bari e gjethet ja ledhatonin këmbën,

pylli i fali shpërthimin pranveror

Tek vallja në rini e shkriu gjithë zemrën.

 

Por dhe deti kaltërosh i fali valën

për vallet e buta si mëndafshi, i duhej,

Deti gjëmimtar i fali dhe dallgën

Në shpërthimet e tij që ai shquhej,

 

Kur kërcente ai do të tundej skena

Në Lefkadhë  të thanë, Lavdi paçi!

Kalasë atje do t’i tundeshin bedenat

Se kërcente ai që quhej, Niko Çaçi…