Xhevahir Spahiu – Poeti flet në gjuhën malazeze nga Akademik Jevrem Bërkoviç

356
Sigal

Nga aktiviteti i Shoqatës  Rajonale  të Shkrimtarëve të Malit të  Zi  “ Teuta”

   “Xhevahir Spahiu, poet i mençurisë dhe ndjenjës” flet në gjuhën malazeze

 Në kuadër të manifestimit të shoqatës  letrare “Teuta”, si vlerë e shtuar  u paraqit përmbledhja poetike, me krijime të përzgjedhura  nga vëllimet poetike të Xhevahir Spahiut, titulluar “Borxhet e mia” e përkthyer në gjuhën malazeze .  Përmbledhja poetike u shpall edhe fituese në edicionin e 8- të manifestimit letrar trekufitar “Muzat e Alpeve 2020”  të shoqatës me motivacionin: “Skalitës i shkëlqyer i fjalës dhe i zbulimeve të papritura të thellësive të saj, si rrënjë dhe qiell në botën shqiptare, edhe në lëvizjen e saj nga një pikë e vdekur”, siç thotë vetë një varg i poetit. Me këtë rast, Xhevahir Spahiut iu dorëzuan edhe ekzemplarët e përmbledhjes nga krijimtaria e tij poetike titulluar:  “MOJI DUGOVI (Borxhet e mia), botim i “TEUTËS”, në përzgjedhje të Xhevat Limanit dhe Ajet Beqirajt, me përkthim të Nikollë Berishajt (103 poezi në gjuhën malazeze) si dhe me recension dhe redakturë nga akademikët Jevrem Bërkovic dhe Zuvdija Hoxhicc Berisha.

 

Shkrimtari Xhevat Limani  nga Nju Jorku në manifestin letrar trekufitar “Muzat e Alpeve”, 2020 , shkruan :

“T’i ngarkosh vetes detyrë letrare, të përzgjedhësh një cikël poetik nga tërë vëllimet dhe botimet e poetit kombëtar Xhevahir Spahiu , është njësoj si nga ujët e oqeanit të zgjedhësh ujët e Drinit dhe të Vjosës. Mirëpo përzgjedhja ka qasje dhe përgjegjësi subjektive andaj le të na falin ajo duzinë e madhe perlash poetike, që nuk mund të përmblidhen në kuadër të librit “Borxhet e mia” të përkthyer në gjuhën malazeze, në kuadër të manifestimit letrar të shoqatës  letrare “Teuta”.

Karakteristike për vargjet e poetit janë gjetjet e veçanta. Që në hapje : “Takim më 31 dhjetor”, vargu përcakton kufirin mes viteve. Brirët e prerë të demit si dy gjysmëhëna aludojnë dhe transmetojnë porosi konkrete, ndërsa ditët e pritjes së javës i ngjajnë stadiumit të zbrazët.

Skrapari  është adresim poetik i barazvlershëm me Tomorrin ku perënditë dhe farisenjtë  kuvendojnë shqipërisht. Metamorfoza dhe guximi spikasin tek poezia “Miço”, ku poeti trajton me ndjeshmëri dhe përgjegjësi çështjen e censurës në letërsinë e realizmit socialist në Shqipëri. Një Miço, një palo spiun do të bëjë karierë në gabimet e poetit duke e akuzuar se ai i kërren vargjet gjatë kohës së prodhimit. Për poezinë  “Jetë” u kritikua publikisht në vitin 1973 nga kreu i shtetit dhe libri u tërhoq nga botimi. Libri pa dritën e botimit 5-vite më vonë,por të hequr  poezinë “Jetë “, që përmbante kinse frymën e ekzistencializmit Sartian, që natyrisht ishte i ndaluar me kriteret e realizmit socialist. Poezia  “Bota ku eci”, paraqet sublimen poetike të poetit, që ecën me kumtimin e këngës, përmes vargjeve:  – ditën si bir i diellit e natën si bir i hënës/ gjatë ditëve të javës duke dhënë ç’ti kërkojë jeta/ pa pranuar të jetë një copë mishi me dy sy,/ duke kërkuar të jetë Kolomb i vërtetë në eksplorimin e shpirtit të tij,- shkruan poeti në prill 1977.

Erotika zë një vend të duhur në poezinë e Xhevahirit. Dashurinë poeti e trajton me ndjeshmëri të hollë njerëzore dhe poetike përmes antitezash, aliteracionesh dhe krahasimesh të qëlluara. Në dashuri,-thotë poeti dikush hyn nga dera, dikush nga dritarja, e dikush nga çatia, ndërsa dashuria vetë hyn nga të tria. Bien në sy vargjet poetike: “Ullinjtë fytyrë gërryer dhe të ngarkuar me barrë të rëndë si Nënat para lindjes”. Është kjo një gjetje poetike, njësoj siç është poezia: ose vargjet poetike “Një pyll me shelgje dhe një pishë e vetme”:  ku shelgje të kërrusur simbolizojnë shpirtskllevërit, ndërsa pisha, e vetmja në majë të malit e djegur nga rrufetë rri drejt, pa u përkulur para kamxhikëve të pushtuesve; përqafon idenë e lirisë dhe të pavarësisë…

Poezia monumentale “Borxhet e mia”, ku poeti spikat rrëfimin e tij makabër, duke klithur publikisht:  “Gurin e varrit e shes të paguaj borxhet”, botuar në vitin 1989, si vit përmbysësh dhe kthesash të mëdha: kur fjala në vend të tingujve kullonte gjak, pse nuk e ndjente ende çmimin e lirisë së ëndërruar. Poezia “Qielli fluturonte tek një zog”, është plot antiteza antologjike: “Shtrati rridhte tek lumi, toka mbahej tek pema. Udha ecte tek një këmbë, pasqyra shihej tek një sy”.

Pra, këto gjetje origjinale poetike janë vula autentike poetike e poetit të madh kombëtar Xhevahir Spahiu.

Lejomëni t’i përmbyll mbresat e mia poetike me titujt “Historia jonë”, ku poeti tingullon shqipërisht e botërisht : “tehut të shpatës kemi ecur rrufe, pastaj shpata ka ecur mbi ne”!

Dhe poeti qëndron vertikalisht në poezinë “Ballëpërballë”, kur del në rrugë me mimoza në duar e ata me shkopinj dhe plumba.

Gjuha poetike e xhevahir Spahiut është një ujëvarë fjalëmargaritarë, që bien emocionalisht mbi shtyllën vertebrale dhe ngjyrimet emocionale të gjuhës së bukur shqipe. Ai kultivon gjuhë të kulluar dhe fjalë qendisur sikur humanistët dhe poetët e Renesancës. Është më i veçanti poet, që shpirtërisht noton pellgjeve të gjenetikës dhe reliefit kombëtar dhe universit poetik njerëzor.

Rroftë poezia… Rroftë poeti…”

 

 

 “BORXHET E MIA”

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
S’është asgjë mbytja në lum

a në dhomat e gazit!
I kam borxhe nënës ,që s’ia ngrita varrin.
I kam borxhe lisit, që s’ia hodha pjergullën,
I kam borxhe dashurisë, që ia vodha të dielën.
I kam borxhe krimit, që s’i vura emër.
Do të vdes!
Do të vdes i mbytur në borxhe.
I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr.
I kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët.
I kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagët.
I kam borxhe ardhmërisë që ia lashë tek pragu,
terrin e një kohe të largët.
Do të vdes!
Do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxh të gjallëve.
U kam borxh te vdekurve.
Gurin e varrit e shes,
të laj borxhet.

Dhe vë pikën këtu:
Tani mund të flisni,
për borxhet që më kini ju.

 


Kosovarja

Në hyrje të shekullit të njëzetë,

nxorën në bankë të akuzës

një malësore të thjeshtë.

Ajo pas hekurave të burgut kishte pyetur:

-Përse?

Ata i thanë:

-Sepse…

Ajo në gjyq:

-Përse?

Ata:

-njëherë ke thënë se…

Sy të habitur,

në sallën e tymtë.

– Përse? Jua them unë,-

tha ajo më në fund.

Kosovarja para gjygjit

zbuloi veshjen e varfër të saj,

sikur të zbulonte një thesar:

jeleku i kuq,

xhubleta e zezë!

– Ja, për këto po më dënoni,

ju të një toke tjetër!

Në sallë u shpalos

trupi i saj:

një flamur kuq e zi.

Dhe zemra në flamur

si shqiponjë lëvizi.

 

 

PARLAMENTI

Atje brenda,
pas mureve të trasha,
pas mureve të rënda,
atje brenda
thonë: natën e varrosnin,
thonë: ditën e përsosnin.
Sa shpresa,
sa ëndrra,
atje brenda!

Një mëngjes u gdhinë të tmerruar,
panë se vetveten e kishin harruar!
Dhe nisën vetveten
nga gjumi
ta zgjonin,
ta miklonin,
ta kërkonin:
kush vila, kush plazhe,

kush paga të larta,
kush blloqe të reja,

avione, parajsa.
Duart dhe këmbët
si në ethe i shtrinin.

KËNGA E ABETARES

Abetare, Abetare!
Sillma diellin në dritare!

Lehtë, lehtë
e bukur, bukur,
dora ime sa e lumtur;
Hap një faqe,
kthen një fletë,
nëpër shkronja –
Bota vetë.

Rrjedh në fjalë plot kumbim
Gjuhë e lasht’ e vendit tim.

Me ty mendjen lartësoj.
Me ty zemrën e gëzoj,
bëhem zog e fluturoj.

Abetare, Abetare:
ti je dielli në dritare.

Akademiku malazez  Jevrem  Bërkoviç  shkruan:

Ndonjëherë, një varg është i mjaftueshëm për të dashur një poet.  “Mbrëmë pashë në ëndërr , një ëndërr të vjetër/ Jeta kishte vend për marrëzinë, marrëzia s’kishte vend për jetën”. Xhevahir Spahiu është një poet i mençurisë dhe i ndjenjës së fortë. Por, me të, këto nuk janë botë të kundërta, por fytyra që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën, fytyra që reflektojnë mbi njëra-tjetrën, duke krijuar një substancë unike, poetike – një para-element i vetë poezisë.

Më bën të lumtur që, në sajë të këtij përkthimi, Mali i Zi mund të takojë një poet si ky, një zë autentik të tragjedisë së përjetshme ballkanike.

Sot po shkruaj për vargjet e tij, por Xhevahir Spahiun e njoha në njërin nga momentet më dramatike dhe të vështira të jetës sime. Ai ishte një poet, i cili në tetor 1991 më priti në Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë, si një emigrant që hyri ilegalisht në Shqipërinë e tij, duke u larguar nga të dëgjueshmit e Millosheviçit, që drejtuan vendin tim. Unë kurrë nuk do ta harroj ngrohtësinë dhe njerëzinë e atij vështrimi dhe të asaj përshëndetjeje. Për një emigrant të freskët, detaje të tilla kanë domethënie të madhe…

Duke lexuar këtë libër, kuptoj që Spahiu kaloi edhe përvoja që në vendin tonë në Ballkan, poetëve nuk u mungojnë. Siç shpjegon shënimi poshtë poezisë, “në qeli, ora 20:00,6 mars 1997”, shkroi: “Një popull i vrarë do t’ish më fatzi/po qe se nuk vriteshin dhe poetët e tij”. Kështu, të gjitha “shkollat” tona malazeze dhe shqiptare, poetike dhe të jetës janë të ngjashme. Kombet e pjekura nuk u besojnë poetëve të tyre. Dhe ata për këtë paguajnë shtrenjtë. Te Spahiu do të gjeni gjithashtu muzikë të bukur, atë tingull unik mesdhetar:

“Lisat me rrush turfullojnë,
si kuaj frelëshuar nëpër natë.
Pini se vreshtat s’mbarojnë,
mbaron vetëm jeta e ngratë”.

Akademiku Zuvdija Hoxhicc Berisha si redaktor i këtij vëllimi poetik, shkruan:

 “Çdo poet i mirë, pavarësisht nga cili komb vjen, është i çmueshëm për të gjithë, sepse poezia është universale. Sigurisht, ai mbështetet në traditën sikur heroi antik Anteu, i cili fiton forcën sa herë vë këmbët në tokën mëmë. Ajo forcë ndihet edhe te miku ynë Xhevahir Spahiu, ajo lidhje e ngushtë me traditën, por në një mënyrë moderne. Dhe unë jam tejet i lumtur që një poezi e tillë sot flet edhe në gjuhën malazeze dhe jam shumë i nderuar që më është dhënë mundësia të jem redaktor i librit ‘Moji dugovi’ (Borxhet e mia)”.

Përktheu: Jeta Beqiraj

Mendime dhe vlerësime për poetin e talentuar Xhevahir Spahiu  nga shkrimtarë vendas dhe të huaj.

“Me Xhevahir Spahiun, edhe vetë poezia europiane fiton në origjinalitet dhe modernizëm.”

Ante Popovski

 

“Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria, poet me një shprehje të fuqishme metaforike, me përplasje idesh, me një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella, tronditëse.”

Dritëro Agolli

 

“Poezia e Xhevahir Spahiut, e këtij “enfant terrible” të letërsisë shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore.”

Robert Elsie

“…Muza poetike e Xhevahir Spahiut nuk ngjizet, as nuk shpërthen në truall të butë, aq më pak në truall indiferent. Përkundrazi, duke qenë natyrë krijuese e pasioneve të forta, natyrë e pasioneve të tërësishme, duke qenë natyrë e shquar e guximit krijues e intelektual…”

Ali Aliu

 FJALA

I thanë fjalës: tani je e lirë!
Po fjala s’kish fuqi t’u thosh : nuk me duhet!
E ç’më duhet,
kur s’e thashë atëhere kur duhet?
Kam mbetur pa krahë .
Kam mbetur pa qiell.
Jam jetë pa ëndërr.
Jam ëndërr pa jetë.
I thanë fjalës: je e lirë:
vështirë,- tha fjala,- sa vështirë

të besosh se je e lirë!
Pasi ke ngrënë rrokjet e tua,
pasi ke mbetur cung
dhe, liria bëhet burg .
I thanë fjalës:- liria jeton.
Fjala ua ktheu :
-S’jam si Kostandini që pas vdekjes udhëton!
I thanë fjalës:- Ti je liria:
për ta kuptuar këtë duhet fare pak
Ajo e besoi:
Ajo hapi gojen,
por në vend të tingujve,
prej saj doli gjak!

Kreu i Shtetit Ilir Meta, çmon poetin e shquar Xhevahir Spahiu me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: Xhevahiri i letërsisë shqipe!

Presidenti i Republikës Ilir Meta çmon poetin e shquar me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: Xhevahir Spahiu është një prej atyre emrave që I bën nder çdo epoke, çdo gjuhe, çdo letërsie.  Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta çmoi Xhevahir Spahiun në ditëlindjen e tij të 75-të me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Poet, që me krijimtarinë e tij, u bë pararendës i një brezi krijuesish që solli në poezinë shqipe ndryshime cilësisht të spikatura në formë e përmbajtje dhe guxoi t’i japë asaj dimensione të denja për letërsitë e mëdha, qytetar dhe intelektual që ka sfiduar me dinjitet kohën e vet”.