Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Vaso Papaj

491
Sigal

Eja të ikim

Eja me mua, të ikim nëpër natë,
M’i dëgjo këto fjalë të thjeshta.
Të ëndërrojmë botën në çdo monopat,
Pa poezi kurrë nuk vjen vjeshta.

Të ikim të dy me urbanin e vjetër,
Sa më larg, lodhur nga mjeshtrat.
Atje ku mendjen s’na e marrin për tjetër,
Sado e sido me gënjeshtrat.

Të shkojmë ashtu, për dore, dëgjon,
Edhe pse nëpër kohë të vrenjtur.
Atje, ku çdo fije bari, thjesht gjelbëron,
Pa një purtekë të mbështetur.

Eja me mua, ashtu siç je, domosdo
Dhe merr vetëm puthjet me vete. 
S’do ndalemi kështu, kurrë nga kushdo
Pse rrugët janë pa mokete.

Dua me shiun në agim të më zgjosh!
Mbi llamarinë si trokëllimë ta dëgjojë.
Krahëve të tu i sigurt mos ndiej moshë.
Për ty, është gjithçka që kërkoj.

Parfumi

Ndonjëherë parfumin ndiej,
I sigurt… Je ti.
Me erën më vjen këtej, 
Më bën shoqëri.

Por qëllon edhe pendohem.
Ç’të bëj…, xhelozi.
Era vjen dhe pse s’dorëzohem,
Të merr përsëri.

Mbrëmjeve të majit, gëzimet
S’i harroj aspak.
Me guxim rrëmoj kujtimet,
Kur kam qenë çunak.

Po shpesh herë, ja, edhe tutem,
Mos shoh ëndrra kot.
Në dëshpërim, prapë mund të futem,
Pas fitores së plotë.

Do ta ndjeja atëher’ të keqen,
Dhimbja triumfon.
Dhe arsye gjej…, të ndreqem,
Zemra ma kërkon.

Ndaj përsëri, përsëri të ndiej,
I sigurt… Je ti.
Bashkë me erën vjen këtej,
Rrotull meje rri.