Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Vaso Papaj – Grua

213
Sigal

Grua!

Qetësinë do të t’a sjell

dhe do ta mbaj me kyç,

në zemrën tënde strukur.

Le të rrahë e qetë atje

dhe unë, do të jem i lumtur.

Grua!

Universin do t’a mbledh

dhe do ta sjell në grusht,

në mendjen tënde ndrydhur.

Të ngopesh me pafundësi:

dhe unë do të jem i lumtur.

Grua!

Do të t’a sjell edhe durimin:

do ta strehoj aty,

në shpirtin tënd të bukur.

Durimi shpirtin të të shplodhë

dhe unë do të jem i lumtur.

Grua!

Me orë, ditë, vite, më mban në sy.

Gjysmë njeriu u bëra që kur të njoha,

se gjysmën tjetër t’a kisha falur ty.