Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Petraq Risto

618
Sigal

Nëse një këmishë mjegulle të mbulon trupin prej kujtese
S’do të thotë që mjegullën s’e zhvesh
Kam një garderobë me të tilla veshje:
Të shkojnë vetëm ty.

Një pyll në mjegull i bënë zogjtë të ngjishen me njëri-tjetrin
Qyteti në mjegull ndihet si somnambul: lëviz pa ndërgjegje
Dritat pa dëshirë pranojnë t’ia shuajnë epshin
Llavës qiellore që mistershëm derdhet.

Pres të shfaqesh ti gëzim i këtij qyteti të vogël
Mes mjegullës së zakonshme të mesnatës
Mes zjarreve drithëruese: plagë në trupin e një ëndrre
Si magji pres të shfaqesh.

Ti vonon, mjegulla diku t’i ka marrë llërët
Të ka rrëmbyer flokët, sytë, buzët dhe fjalët
Mjegulla si asnjëherë të ka rrëmbyer të tërën
Dhe përpiqet si ty përpara të më dalë.

Natyrshëm do ta pres e do t’ia zhvesh trupin prej kujtese
Po nëse s’je ti do trishtohen zogjtë e ngjeshur të foleve
Somnambuli do të zgjohet e do thotë me ngulçe dënese:
Xixëllonjat shfaqen pasi mjegulla tretet.

Sokrati para gotës së verës

1.
I mplakur. Me dejet: bimë kacavjerrëse
që ngjiten me dhunë në muret e mendimit
Sokrati rri i qetë para gotës së helmimit.
I qetë. Qetësia ka kurorë dafine mençurinë
I qetë – verë e nxjerrë nga pjergulla filozofike
verë e vjetër që nesër do të shijoj shekujt
me buzë njerëzimi.

2.
E si ta njohësh veten kur të tjerët nuk të njohin
e kur ti nuk njeh të tjerët.
Ti Sfinks i Delfit kurrë s’e njohe veten
megjithëse në pasqyrë ktheve dhe derën.
Ju miq të mi, studentë të mençur, kot më kërkuat arratisjen
unë jam këtu: rob i ajrit të Athinës
sfidë e tridhjetë titanëve të dehur.
Vërtet liria qenka ar i shkrirë
po liria në kallëpe s’paska vlerë.
Verë-vrerë.

3.
Unë di një gjë që nuk di asgjë – dhe harrova se mençuria
do të tretej në kimikatet e gjakut të njerëzimit.
Nuk dija si mbilleshin hardhitë, si bëhej vera
por verën mësova ta pi mirë, madje në fund e shoqërova me pak helm.
Pas meje askush nuk piu helm me verë, shumica helmoi të tjerët…
Verë-vrer
shi në terr
dritë në tmerr
kufomën e fajit
askush s’e merr:
varr i hapur
në tokë djerr.

4.
Qiellin steril e përbuz rrufeja.

5.
I dënuar“për çoroditjen e rinisë dhe për futjen e perëndive të reja”
I dënuar. Fjalët: pranga pa duar.

Qiellin steril e përbuz rrufeja.

6.
Nga Sokrati te Eskili
Nga Eskili te Shekspiri
as helmi as vera nuk ndryshoi
madje nuk ndryshoi as të pirit
as zjarri as hiri
as ati as i biri..
madje dhe zero-t (000000) pas mbretërve
mbetën funde kupash (me helm e me verë)
apo… hallka zinxhiri…
Të mjerë të mjerë të mjerë.
varr i hapur në tokë djerr.