Suplementi Pena Shqiptare: Poezi nga Mimoza Çobo

610
Sigal

Eja mike si pulëbardha!
(poezi me motiv popullor)

Atje ku vallëzon dhe lodron vala,
të prita mike, gjersa u zbardha,
me nur argjendi më mbuloi hëna,
aty do të pres dhe nesër mbrëma.

Pse s’bën mike ç’të thotë zemra,
po fshihesh natën kur del hëna,
pse s’më thua të vraftë perëndia:
Në ke frikë, a të mungon dëshira…!

Të vish me mua në ato rrëpira,
ku freskon gjethen trëndelina,
të të mbuloj gjinjtë me luledele,
t’na kaplojë gjumi nëpër gjerdhe.

Mos thuaj, mike. se s’të lë nëna,
të vish me mua në ato rrëza!
Se jam i varfër e më pikon çatia
dhe të vjen turp ç’thonë njerëzia.

Ah ,moj mike, moj zemërngrira,
lërmë të puth, të marrtë e mira!
Të puth nishanin që ta bëri nëna,
kur mbi vetull të lodroi hëna.

Anës bregut, ku vjen e ikën vala,
hajde mike siç vjen pulëbardha,
ulu në cep të zemrës, si ta do ënda,
se pritja e gjatë thur plagë të rënda.

TË NGJALL DHE VDES,ME SYRIN E TRETË

Sonte ylli i syrit tënd,po tretet perënduar
ndonëse u bëra qiellit hënë e dritëruar,
iris’ i syrit tim,s’mund të qesh e gëzojë,
dhe pse stuhia e yjeve,nis të “vallëzojë”.

I vij rrotull syrit tënd, edhe pse ka ngrirë,
vala e dashurisë s’shushurin më sy,
as shiu meteorik,akullin se ka shkrirë,
asgjë s’pipëtin dhe nuk fëshfërin aty…

Dhe hap syrin e tretë,brënda trurit të qetë,
me fuqi mistike,hedh shigjetë të mprehtë,
të bëj t’më dëshirosh ,kur përvëluar rrjedh
siper zjarrit të shuar; si thëngjill i nxehtë.

Se shpërthimi erotik, turbullon e rrëqeth,
shuan frymën,si qiri,derisa shpirti vdes,
po,kur dhimbja ëmbël shtatin ta përqeth,
thërrmohesh në grimca të vogla me vesë.

Po,kur ballit fëshfërij,të kthej sërish në jetë,
rigëtin thellë zemrës dhe s’më lë të qetë,
më lidh brënda syve,me magji të fshehtë,
por me syrin e tretë,të ngjall e vdes,si dua vet.

Syri i tretë është një mjet shumë i fuqishëm i shpirtit për të “parë”, “ndjerë” dhe “dëgjuar” realitetet e frekuencës më të lartë. Këto tre funksione të shpirtit janë të njohura si syri i tretë. .