Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Mimoza Çobo

777
Sigal

Mimoza Çobo

Për mua, je thesar

Dashuroj te ty, çdo gjest të padukshëm,
kur sipër buzës time, çel bozhur i qeshur.
Kur ti rreze dashurie më hedh gëzueshëm,
sa e dua syrin tënd, bajame zhveshur!

Se sytë e tu të virgjër, di t’i mbaj ngujuar,
këpus bisqet e dimrit që kanë kërcënuar,
zemrën që s’ta mori dot, asnjë tjetër grua,
zemrën që përvëlohet, kur vuan për mua.

Se unë të pushtoj,me takt, në një çast,
pa qënë nevoja të ngre ndonjë grackë,
mjafton syrin t’ma shkelësh,si dielli i artë
dhe rend ku s’kam rendur kurmit përvëlak.

Dhe nis e gurgulloj zhurmë ujërash, gjer në dej,
mbledh copëza kënaqësie, syrit cep më cep,
më pëlqen pas vetes, pa zhurmë të të tërheq,
kur jashtë qielli loton dhe rrufeja shkrep.

Dridhem si gjethe, kur fëshfërinë mbi ballë,
s’më pyet, kur e ndez lëkurën me zjarr,
kur, me shpuzë përcëllon pushin vërdallë,
as unë s’të pyes, pse gjinjtë m’i thyen si arrë.

S’të gjykoj pse më do dhe tregon kujdes,
çdo burrë e do gruan afër vetes ta ketë,
ndaj kur loton për mua, jam gati të vdes,
se dashuria e burrit – thesar i gruas në jetë.