Suplementi Pena Shqiptare/ Pjetër Budi, kleriku me veprimtari atdhetare

1715
Pjetër Budi është një nga figurat më të shquara të botës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai u përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare. Ishte organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të pupullit tonë. Për jetën veprimtarinë dhe formimin e tij intelektual nuk kemi shumë të dhëna të drejtpërdrejta. Edhe ato që dimë, i nxjerrim kryesisht nga thëniet e veta në librat që botoi, veçanërisht nga letra latinisht që i dërgoi më 1621 një kardinali të quajtur Gocadin. Kjo letër është një dokument me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën dhe personalitetin e autorit, por edhe për gjendjen e vendit në atë kohë, dhe mbi të gjitha ajo është një program i plotë për organizimin dhe zhvillimin e luftës së armatosur kundër pushtuesit. Në këtë letër Budi pas hyrjes bën edhe një autobiografi të shkurtër , nëpërmjet së cilës mësojmë dicka të sigurt për jetën e tij. Lindi në Gurë të Bardhë të Matit me 1566 nga një familje e dëgjuar dhe e vjetër. Mësimet e para dhe formimin e tij intelektual e mori në vend, pranë disa ipeshkevet të ndryshëm, deri në moshën 21-vjeçare. Më 1587 u caktua meshtar dhe shërbeu si famulltar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe me vonë 17 vjet të tjerë si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë. Gjatë viteve 1516-1522 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. U mbyt në dhjetor të vitit 1622 duke kaluar Drinin, por vdekja e tij nuk ndodhi aksidentalisht; atë e shkaktuan qarqet anti shqiptare, që shikonin tek Budi një atdhetar të flaktë dhe një nga organizatorët e luftës së popullit për çlirim nga zgjedha e huaj. Faqe me rëndësi në krijimtarinë e Budit përbëjnë vjershat e tij. Para tij njohim vetëm një vjershë të shkurtër me 8 vargje, të shkruajtur nga arbëreshi Matrënga, kurse Budi na ka lënë 23 vjersha me mbi 2.300 vargje, prandaj me të drejtë ai mund të quhet nismëtari i parë i vjershërimit shqip. Vjershat e Budit kryesisht janë të përshtatura nga latinishtja e italishtja, vetëm pak janë origjinale. Është e vërtetë se në hartimin e tyre nuk kemi një frymëzim e teknikë të lartë, por vihet re një përpjekje serioze për ta pasuruar gjuhën shqipe edhe me krijime që synojnë të shprehin në vargje të bukurën në artin e fjalës shqipe.
AJO DITË ME MËNI
Ajo ditë me mëni
Qi te vijnë nde e vonë
Këtë shekull të zi
Ta diegë e ta përvëlojnë,
Si profeta ban dëshmi
Me sibilenë, po thonë
I madh gjyq e meni
Të vijnë për mkate tonë.
Sa dridhmë e sokëllimë
Të jenë përgjithmonë,
E n qiellshit shkëpëtime
Nd’ajërit e madhe gjamë.
I madhi Zot, qofsh lëvduam!
I madhi zot, qofsh lëvduom
për gjithë kaqë të mirë
që së kam u’ merituom
me ndoonjë shërbetyrë;
qi më dhee kaqë hijr
këtë kafshë me mbaruom,
si paçë zanë fijll,
gjithëherë tue shkruom.
posi mendja më përcijll
nd’arbënë me ua dërguom,
për kishë e për munështjir
pak ndë mend me i trazuom. 
ata merrë mbë dëshijr
mkatit me u peenduom,
posi pemëtë ndë prijll
ndë shpijrt me lulëzuom;
e si zogzitë ndë pyyllt,
zoti im me të lëvduom,
ndjerë vetë nata mbyyllt,
me një zaa t’amblëtuom.
Sigal