Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Kështu është shkruar

265
Sigal

 

Petrit Ruka

Në jetë do të takosh shumë gra të bukura,

zemra do të të dhembë për secilën

një copë herë!

Kështu është e shkruar; gratë të jenë dhëmbje:

trëndafila të shartuara në ferrë.

Po duro, ec më tutje nëpër udhëkryqet e tua,

derisa të kalojë një grua që i ngjan nënës tënde!

Nëse të vjen për të qarë

sapo ajo të zhduket tek një kthesë:

kthehu dhe vrapo i shpejtë si një mendje.

Eshtë taksur për ty, je taksur për të,

nuk ka nevojë për fjalë përgjërimi.

Ajo i di përmendësh prej shekujsh,

ç’do t’i thuash;

pa lindur poezia, as kënga, as shkrimi…

POETËT

Poetët-njerëz të ligj, shtetet gjithmonë i shajnë:

Sillen me ta si me gratë, zihen dhe i ndajnë,

pastaj prapë u bëjnë këngë, për ta zënë dhe qajnë!

U bëjnë ndere prej skllavi, mbi supe i mbajnë.

Poetët janë njerëz të marrë, mos u besoni shumë,

u bëjnë magji njerëzve, grinden se s’kanë gjumë!

Grinden me veten si me një hasëm të vjetër.

Rrojnë si mos më keq; me dëshpërim dhe letër.

Përbuzin qeveritë, përbuzin paratë,

ngrenë tempuj për vdekjen, ngrenë tempuj për gratë.

Bëhen shok me djallin, shok me një pjergull,

pinë raki me fantazmat, bëjnë flamuj me mjegull.

Poetët janë të çmendur e kanë kokën të çarë,

nëpër muret e burgjeve të ndërtuara me fjalë.

Janë njerëz të dehur, pështyjnë zotin vetë,

sikur zoti qënka një copë redaktor i shkretë.

Poetët si poetët…t’i kuptosh?!…E kotë…

Po se mos vetë e dinë se ç’janë në këtë botë….!