E gënjej shpesh veten time se jam i zoti
të vizatoj një diell, që lind në mëngjes.
Gjithë dritën të derdh të ketë shkëlqim.
Çudi, dielli është fytyra jote që buzëqesh.
E gënjej shpesh veten time se jam i zoti
të vizatoj pamjen magjike në përendim.
Më flet ndjenja e dora seç më mërmërit…
Çudi, pamja e dalë ,buza jote kuqëlim.
E gënjej shpesh veten time se jam i zoti
të vizatoj detin tim Jonian të dallgëzuar.
Gjithë kaltërsia më përdridhet si qerpikë.
Çudi, në pikturë, flokët e tu argjendshtruar.
E gënjej shpesh veten time se jam i zoti
të vizatoj edhe Syrin e Kaltër si një flutur;
të lyejë me dashuri e ngjyrë tërë letrën!
Çudi,ç’paska dalë? Ky qenka syri yt i bukur.
E gënjej shpesh veten time se jam i zoti
të vizatoj po kaq bukur një pëllumbeshë.
E lodh kaq shumë penelin e shtroj ngjyrat.
Çudi, portreti i tëri është i yti moj mikeshë.
E pranoj, jam një piktor që s’ndreqem kurrë
Sado të bëj përpjekje dhe kurseve të rend.
Dhe penelat, ngjyrat e letrat unë të ndërroj.
Prapë ato do vizatojnë,vetëm portretin tënd.
BLEGËRIMA PSHERËTIMA….
Qengji pullali mbremë qau me blegërima vaji si fëmijë.
S’e hapi gojën për biberon, donte gjinjtë e nënës së tij!
S’pushoi qengji pullali, iu sos shpirti deri në të gdhirë.
Diellit i erdhi keq, në mëngjes me dritë sytë i ka lëpirë.
E përkedheli me gishtat e rrezeve, ia ledhatoi trishtimin.
Në qoshe të stanit , të vetmuarin, qengjin pullali, jetimin.
Sytë e tij të humbur, pa gaz, as dielli dot nuk i dritëron!
Mëma humbur në lëngim,s’ka gjëkundi ilaç që e shëron.
Aty në një qoshe të stanit,i vetmuar, shpirtvrarë e i mpirë.
Qengji pullali,me botën e humbur, nga nëna e tij i palëpirë
Hap pak syrin e sheh shokët në prehrin e nënave tek rrinë.
Shikon diellin t’i errësohet,dhe …ngadalë veçse psherëtin.
Aty në një qoshe të stanit, i vetmuar, kruspull qengji pullali.
Dhimbjen përtyp,dhe ofshan pa zë: Dhe në fat ka padrejtësi.





















