Suplementi Pena Shqiptare/ Zbulimi i Eposit shqiptar në Harvard nga ProfesorAgron Fico

211
Sigal

Nga katër rapsodët më prodhimtarë me të cilët ka punuar Milman Parry, tri janë me kombësi shqiptare.

Nesip Kaçi*    Publicist dhe Diplomat

 

I pari studiues shqiptar që ka trokitur te portat e Harvardit dhe ka zbuluar thesarin madhështor të epikës heroike shqiptare në Harvard është Profesor Agron F. Fico.

Në simpoziumin e folklorit të Shoqatës së Studimeve të Evropës Juglindore, që u mbajt në Tiranë në qershor 1966, mori pjesë edhe Prof. Albert Lord, përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë gjithë qëndrimit të zotit Lord në Shqipëri, zoti Agron Fico, që në atë kohë punonte bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Folklorit në Tiranë, u caktua shoqërues dhe përkthyes i tij. Në mbasditen e 25 qershorit mbërriti në aeroportin e Rinasit nëpërmjet Budapestit, Prof. Albert B. Lord.

Zoti Agron Fico në librin e tij “Zbulimi i Eposit shqiptar në Harvard – Albert B. Lord” shkruan: “U gjenda pranë shkallëve të avionit kur po zbrisnin pasagjerët dhe po mundohesha të dalloja mysafirin nga SHBA-ja. Nuk kisha ndonjë përshkrim të pamjes dhe as ndonjë fotografi të tij. Ndërkohë në derën e aeroplanit doli një burrë me shtat mesatar, veshur me kostum të zi dhe me një kravatë të tipit papijon, në dorë mbante një magnetofon. Këto elemente më ndihmuan që të kuptoj se ai ishte mysafiri që po prisja. Nuk arrita t’i them shprehjen e zakonshme:“Welcome to Albania!” (Mirë se erdhët në Shqipëri!), kur më pyeti:“Are you Mr. Kahreman Ylli?” (Zoti Kahreman Ylli jeni ju?) I dhashë dorën e mirëseardhjes dhe i shpjegova se isha përfaqësues i Rektorit të Universitetit të Tiranës Kahreman Ylli dhe se do të isha shoqërues dhe përkthyes gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Shtova se isha bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Folklorit.

Ndërsa po ecnim drejt sallës së miqve në aeroport, profesor Lordi m’u afrua më tepër dhe më tha në shqip një varg nga Eposi heroik shqiptar: “Halili ia hipi kalit”. Ky u bë varg kyç për bisedat e ardhshme me profesor Lordin, gjersa mësova një të vërtetë të madhe, faktin se në Harvard kishte një fond të pasur të epikës heroike shqiptare. Pasi pimë kafen e mirëseardhjes u nisëm për në Tiranë. Gjatë rrugës për në Tiranë e pyeta: Keni ndërmend t’i botoni “Këngët e grave”? Ai, si të ishte zgjuar nga një gjumë i thellë, u kthye vrik nga unë dhe përgjigjen ma dha me pyetje: E keni lexuar librin tim The Singer of Tales? (Këngët e grave). Me këtë pyetje që i bëra profesor Lordi kuptoi që shoqëruesi i tij dëshmonte se kishte nuhatje profesionale dhe se i kishte lexuar veprat e tij. Pas këtij dialogu fare rastësor, Lordi u duk më i hapur dhe përmendi disa nga tezat themelore të veprës së njohur “The Singer of Tales”. Ai më tregoi për ekspeditën në Shqipërinë e Veriut në 1937, si dhe për regjistrimin e këngëve popullore shqiptare e veçanërisht të atyre heroike. Lordi shtoi se në Harvard kishte një fond të epikës heroike shqiptare dhe se mendonte që fondin shqiptar ta botonte në një vëllim të veçantë në të ardhmen. Sikundër do të përmendte më vonë: “Kam synim që në një kohë të mëvonshme ta mbledh gjithë lëndën shqiptare të koleksionit tone dhe ta botoj në një libër më vete”. Kumtimi nga profesor Lordi se në Harvard kishte një fond të epikës shqiptare ishte një befasi e vërtetë shkencore dhe një shtysë e fortë në ndërgjegjen time për të bërë diçka, por rrethanat politike dhe armiqësia ideopolitike me “imperializmin amerikan”, për atë kohë, do ta shtynte këtë dëshirë vite e vite të tëra, gjersa në mars 1996 u ndodha para Arkivit në Harvard dhe arrita të prek me dorë e të dëgjoj me dhjetra inçizime të eposit shqiptar. Ndërkaq kishim arritur në hotel “Dajti”. Aty pushuam rreth një orë dhe u nisëm për Durrës, për në hotelin turistik “Adriatik”. Në mbrëmje Rektori, Kahreman Ylli dha një koktej mirëseardhjeje për shkencëtarët miq dhe i uroi punë të mbarë simpoziumit, që do të çelej të nesërmen në Tiranë. Të nesërmen më 26 qershor 1966, në Tiranë, në sallën e Rektoratit të Universitetit të Tiranës, filloi punimet Simpoziumi i Folklorit të vendeve pjesëmarrëse të Shoqatës së Studimeve të Evropës Juglindore. Kumtesat trajtonin probleme të ndryshme të muzikës folklorike, valleve dhe folklorit letrar, në planin kombëtar, por edhe në planin krahasues, ose të shtratit të përbashkët ndërballkanik, e më gjerë. Kumtesa e profesor Albert Lordit rreth epikës legjendare dhe rolit të rapsodit në pasurimin e varianteve bazë, u ndoq me interes dhe ngjalli diskutime të shumta.

Pas dy ditëve të ngjeshura me kumtesa dhe diskutime, pjesëmarrësit shkuan në Shkodër, ku morën pjesë në shfaqjen e grupeve të zgjedhura folklorike, që u mbajt në teatrin “Migjeni”. Ashtu si dhe ishte menduar, grupet sollën elemente tipike të folklorit të krahinave të veriut, që i ekzekutuan me mjeshtri dhe natyrshmëri. Gjama e burrave të Dukagjinit, kënga për Mujin dhe Halilin, luajtur në lahutë nga rapsodi Llesh Prekushi nga malësia e Lezhës, vallet e grave të Tropojës, vallja e shpatave e burrave të Hasit të Kukësit e të tjera, mahnitën pjesëmarrësit e huaj.

Në Vlorë shfaqja u dha në Kus Baba. Skena e shfaqjes me dekorin koreografik të zgjedhur të kaltërsisë së detit Adriatik dhe larmia e kostumeve të grupeve folklorike ngjallën emocione dhe atmosferë gëzimi tek specialistët e huaj. Këngët polifonike të grupeve të Vlorës, Gjirokastrës, Tepelenës, vallet lirike të Përmetit, meloditë baritore të ekzekutuara me frymëzim nga Laver Bariu, vallja pirrike e grupit të Vranishtit të Vlorës e të tjera, ishin disa nga ata margaritarë që ndritën atë natë dhe që rrëmbyen zemrat e gjurmuesve të thesareve kombëtare të popujve të ndryshëm. Folklori shqiptar tridimensional i lashtë, i pasur dhe i larmishëm dëshmoi vitalitetin e vet krijues.

Pjesëmarrësit e simpoziumit u larguan nga Shqipëria me përshtypje shumë të mira, që i shprehën edhe nëpërmjet intervistave, që dhanë për masmedian shqiptare.

Profesor Lordi u largua drejt Italisë për të qëndruar disa ditë në Akademinë Amerikane në Romë. Andej dërgoi një letër falenderimi për pritjen dhe mbarëvajtjen e simpoziumit të zhvilluar në Tiranë. Letrën ma dhanë mua ta përktheja. Në përmbajtje kishte mirënjohje dhe falenderim për rektorin Kahreman Ylli. Në letër profesor Lordi shtonte edhe këto fjalë: “Falenderim i takon edhe studiuesit të ri Agron Fico, jo vetëm si përkthyes”. Në një letër që më shkruante pasi u largua nga Shqipëria do të më përcillte edhe emocionet e veta për këtë vizitë:“Ato ditë në fund të qershorit do të mbeten përgjithmonë të paharruara për mua e do t’i kujtoj gjithnjë për shkak të atij udhëtimi në Shqipëri dhe mikpritjes bujare që gëzova në duart tuaja”.

Në mesin e shekullit XX në shkencat humanitare ndodhi një kthesë rrënjësore, lindi një disiplinë e re studimesh e njohur me emrin “Oral Literature” (Shkenca e letërsisë gojore), e cila lidhet me emrin e dijetarëve të shquar amerikanë Milman Parry dhe Albert B. Lord. Pas vdekjes aksidentale të Parry-t synimet krijuese shkencore e sollën përsëri Albert B. Lordin në Shqipërinë e veriut, në zonën më tipike të këngëve epike shqiptare.

Shkencëtarët e njohur amerikanë Milman Parry dhe Albert B. Lord, të Universitetit të Harvardit krijuan Teorinë gojore për zbërthimin e enigmës disa shekullore homerike, zbulimi i ligjit të ngjizjes dhe krijimit të poemave homerike, njohur edhe si Teoria Gojore Parry-Lord. Lordit i pëlqente ta quante studim të letërsisë gojore tradicionale. Me kërkimet në terren në Ballkanin perëndimor në vitet 30 të shekullit të kaluar mblodhën një lëndë folklorike të pasur dhe të larmishme të këtyre trevave, që u bënë laboratori i kërkimeve të tyre, pra hodhën themelet e teorisë moderne të folkloristikës. Lordi shkruan termiletërsi “gojore” sepse këngërari këndon gojarisht, kompozon gojarisht dhe po gojarisht e përcjell tek të tjerët. Kjo më direkt duhet kuptuar se për poetin gojor çasti i kompozimit është interpretim. Ky term, njëherazi dhe koncept i ri, u bë fjalë-kyçe në punën madhore të dy shkencëtarëve për regjistrimin, botimin dhe studimin e eposit heroik të sllavëve të jugut. Në fillim të dy bashkë më 1933 -1935 mblodhën 12.544 këngë, biseda dhe histori të regjistruara ose të diktuara, dhe më pas vetëm Lordi më 1937 regjistroi edhe shumë këngë me burim shqiptar. Ky koleksion gjendet aktualisht në Bibliotekën Ëiedener të Universitetit të Harvardit. Nga katër rapsodët më prodhimtarë me të cilët ka punuar Milman Parry, tri janë me kombësi shqiptare. Ishte befasi shkencore të dëgjoja zërin dhe vargje shqip nga rapsodi Salih Ugljani, i regjistruar 60 vjet më parë në disqe prej alumini. Lordi i ka mbledhur këngët nga 36 rapsodë të ndryshëm shqiptarë në pikat e ekspeditës në Shkodër, Kastrat, Bogë, Theth, Abat, Mërtur Kolgecaj, Tropojë, Bytyç, Bicaj, Prizren, Dukagjin, Pukë. Përveç folkloristikës, edhe shkenca të tjera, si fonetika historike, dialektologjia et., do të përfitonin mjaft nga njohja dhe studimi i kësaj lënde të regjistruar shkencërisht.

Në kërkim të Albert B. Lordit

Kishin kaluar rreth tridhjetë vjet qysh nga qershori i vitit 1966, kur profesor Albert B. Lordi pati ardhur në Shqipëri që të merrte pjesë në simpoziumin për problemet e folklorit në trevën e Ballkanit dhe pothuajse nuk dija se çfarë kishte ndodhur me të. Falë zonjës Jacqueline Muller, diplomate në ambasadën amerikane, të cilës i jepja kursin e gjuhës shqipe me diplomatët amerikanë, mësova se Albert Lordi kishte ndërruar jetë para disa vjetësh dhe se familja e tij banonte në shtetin Massaçhusets. Pasi e falenderova këtë grua të mënçur amerikane, fillova të mendoja se si mund të vizitoja familjen e tij. Vajza ime Albana, mjeke, kishte fituar një bursë nga fondacioni “Fulbright” në SHBA dhe kishte zgjedhur Los Anxhelosin për realizimin e këtij programi specializimi. Prej andej, me një letër zonjës Lord, vendosi lidhjet me familjen e zotit Lord. Në letrën e përgjigjes, të 28 gushtit 1994, zonja Lord më shkruante: “Na ke bërë një nder të madh mua dhe dy bijve të mi që na dërgove nderimet dhe vlerësimet e tua për tim shoq dhe kujtimet e ngrohta të takimit tënd me të në Shqipëri më 1966. Është vërtet shumë prekëse besnikëria jote ndaj tij”. Në letër zonja Lord më ftonte për një vizitë dy-tri javore.

 

Mysafir në shtëpinë e Lordëve.

Ishte 5 mars 1996 kur Albana më përcolli në aeroportin e Detroidit dhe në orën 15.30 arrita në aeroportin Logan të Bostonit. Aty më priti zonja Lord, një grua e pakët nga trupi, e përkulur nga artriti, veshur me një pallto të kuqe. Me taksi arritëm në vilën e saj, në adresën: 23, Francis Avenue,Cambridge. Ndërtesa ishte trekatëshe, ngjyrë kafe. Pasi më uroi mirëseardhjen dhe më gostiti me ëmbëlsira dhe pije, më shpuri në katin e dytë, ku do të banoja. Pas kësaj më tregoi kabinetin e profesor Lordit, po në katin e dytë. Në dhomën e punës së profesor Lordit gjendeshin rafte plot me libra nga letërsia klasike greke, latine, fjalorë shumëngjyrësh, kompjuteri, telefoni dhe dy tryeza të mëdha plot me dorëshkrime dhe libra të hapura në faqe të ndryshme. Dhoma ishte plot dritë dhe ndihej atmosfera e një mjedisi të vërtetë shkencëtari. Familja jonë është e vogël, kemi vetëm dy djem, Natanin dhe Markun, -tha zonja Lord. Ajo që më magjepsi ishte biblioteka e familjes Lord. Të nesërmen paradite, aty nga ora dhjetë, shkuam me zonjën Lord te Fondacioni Nieman për Gazetarinë në Univesitetin e Harvardit, ku drejtor ishte Bill Kovaçi, me prejardhje shqiptare. Ai ishte brez i dytë emigrantësh. Të atin e kishte nga Gjirokastra dhe nënën nga Fieri. Zoti Kovaçi na njohu me veprimtarinë e këtij institucioni akademik.

 

Me këngët epike shqiptare në arkivat e Harvardit, mars 1966

Mbasdite vizitova Universitetin e Harvardit, ndër më të vjetrit dhe me një pasuri akademike të shquar, themeluar qysh më 1636. Në të kanë studiuar tetë presidentë të SHBA: John Adams, John Quincy Adams, Rutherford B. Hayes, Theodore Roosevelt, Franklin Delano Roosevelt, John Fritzgerald Kennedy, George Ë. Bush dhe Barack Obama. Nga fakultetet e këtij universiteti kanë dalë rreth 40 fitues të çmimit Nobel. Biblioteka e Harvardit për nga madhësia vjen pas Bibliotekës së Kongresit. Shoqëruesi im më tha se biblioteka ishte ndërtuar nga një familje e pasur për përjetësimin e emrit të të birit, që ishte mbytur me Titanikun. Interesimi im i veçantë dhe i vjetër ishte arkivi i këngëve të mbledhura nga Milman Parry dhe Albert Lordi. I njohur me emrin Parry Collection, ky arkiv ishte vendosur në katin më të lartë të godinës, në dhomën C. Aty ruheshin edhe disqe alumini, përdorur nga shkencëtarët për regjistrimin e lëndës folklorike. Secila pllakë zgjaste 4 me 4 minuta nga të dy anët. Këto inçizime ishin përdorur edhe nga muzikologu i njohur hungarez Bela Bartok, kur punonte në universitetin Columbia për transkriptimin muzikor të melodive. Këtu, në një raft të veçantë, ruheshin edhe fletoret me këngë epike shqiptare, mbledhur nga Albert Lordi në Shqipërinë e veriut, më 1937. Ishin gjithsej 12 fletore, tetë prej të cilave dhe një me treguesin e këngëve ishin mbledhur nga Lordi me ndihmën e përkthyesve, ndërsa tri fletore ishin dërguar më vonë. Fletorja e treguesit kishte të shënuara 100 këngë shqiptare. Edhe në regjistrimet e Milman Parry-t, krahas këngëve serbo-kroate kishte disa këngë shqiptare si ato epike, ashtu dhe ato lirike. Madje Mattheë. Kay (shoqëruesi im) më tregoi në kompjuter se numri i këngëve shqipe ishte më i madh se sa mendohej, sepse gjatë regjistrimit të teksteve serbo-kroate, këngëtarët (siç pohohet tek “The Singer of Tales” të Albert Lordit), ardhur nga viset shqiptare, kishin në repertor edhe shumë këngë të atyre trevave. I tillë ishte rapsodi i njohur Hyso Qorri. Në koleksionin Parry takova profesorin Thomas Butler, i cili vullnetarisht punonte për arkivimin kompjuterik të gjithë asaj pasurie poetike, mbledhur gjatë disa vjetëve në trevat folklorike të Ballkanit.

 

Bostoni është kryeqyteti kulturor i SHBA

Me shoqëruesin shkuam me metro në pjesën historike të Bostonit ku vizituan ngulimin shqiptar, më i hershëm në Amerikë, si dhe kishën ortodokse, vepër monumentale e Fan Nolit. Ky është qyteti ku u vendosën shqiptarët e parë, qëndra më e rëndësishme e lëvizjes patriotike në fillimet e veta, është qyteti ku lindi gazeta e parë shqipe në Amerikë “KOMBI”, qyteti i Shoqërisë “Besa-Besë”, i Kishës së Shën Gjergjit, i Federatës Pan–shqiptare “VATRA”. Aty vepruan figurat më të mëdha kombëtare të Diasporës si Petro Nini Luarasi, Sotir Peci, Fan Noli, Faik Konica etj. Gjithë aktiviteti i Fan Nolit në Amerikë lidhet me qytetin e Bostonit. Shqiptarët e Amerikës Bostonin e quajnë kryeqytetin e tyre sepse është kolonia më e vjetër e më aktive por edhe se aty kanë selinë, që në fillim të shekullit të kaluar Vatra dhe Peshkopata, sepse aty e kishte qendrën Fan Noli, udhëheqësi i tyre shpirtëror.

 

Plotësimi i një pengu

Gjatë atyre ditëve të paharruara në Cambridge të Bostonit, si i ftuar i familjes së Albert B. Lordit, dita më emocionuese ishte vizita në varrezat e qytetit për plotësimin e një pengu por edhe të një detyrimi moral ndaj këtij shkencëtari dhe miku të shquar. Aty nga ora dhjetë u nisëm me taksi drejt varrezave. Rruga shkonte përmes lagjes ku kanë banuar njerëz të famshëm si poeti Longfellou, dinastia Kenedi etj. Bora mbulonte gjithë hapësirën që të zinte syri. Zbrita nga taksia dhe shkova drejt varrit të Lordit, vendosa lulet dhe plot emocion, me zë të lartë thashë: “I dashur profesor Lord! E mbajta premtimin. Kam ardhur nga Shqipëria e largët të takohem me Ty”. Dhe i përlotur shtova: “Të ndrittë shpirti, i nderuar profesor Lord”. U ktheva e përqafova zonjën Lord dhe bëmë disa fotografi. Punëtorët dhe shoferi shikonin të habitur. Ndihesha i lehtësuar se kisha kryer një rit njerëzor, që e mbajta në zemër e në mendje për më shumë se tri dekada. U kthyem në shtëpi dhe i kërkova zonjës të pinim një kafe sipas traditës shqiptare. Bostonin e gjeta me borë dhe e lashë po me borë, por mora me vete një thesar me kulturë dhe dije shkencore.

 

Profesor Agron Fico, i pari studiues, që zbuloi eposin shqiptar në Harvard

Isha me fat, – thekson profesor Agron Fico, në librin e tij, – që u bëra i pari studiues shqiptar që zbuloi thesaret e eposit shqiptar në arkivin e Harvardit dhe këto thesare ia bëra të njohur opinionit intelektual e publik mbarëshqiptar, në Shqipëri dhe në Diasporën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me sa u parashtrua më lart, nga libri i profesor Agron Ficos “Zbulimi i eposit shqiptar në Harvard – Albert B.Lord”, dëshmohet me fakte, me dokumente, me fotografi, me artikuj e publikime se autori i parë i këtij zbulimi historik është Profesori i nderuar Agron Fico.